Politika 22 May 2026, 19:15 Nga VNA

Nga Becchetti te Pacolli, fantazma e arbitrazheve që rikthehet mbi Shqipërinë për aeroportin e Vlorës

Ndaje në Whatsapp
Nga Becchetti te Pacolli, fantazma e arbitrazheve që rikthehet mbi

 

Shqipëria mund të përballet me një tjetër përplasje të kushtueshme në arbitrazhin ndërkombëtar, këtë herë për aeroportin e Vlorës, një projekt që qeveria e ka paraqitur prej vitesh si simbol të zhvillimit strategjik dhe krenarisë infrastrukturore.

Kompania zvicerane MABCO Constructions SA, në pronësi të Behgjet Pacollit, ka paralajmëruar zyrtarisht shtetin shqiptar se do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar nëse deri më 28 maj nuk ndërhyhet për situatën e krijuar në aeroportin e Vlorës, ku kompania pretendon se është përjashtuar fizikisht nga kantieri dhe nga kontrolli operacional i investimit të saj.

Në letrën drejtuar kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Infrastrukturës dhe institucioneve të tjera, MABCO pretendon se, ndonëse zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare VIA dhe ka financuar projektin me dhjetëra milionë euro, përfaqësuesit, specialistët dhe nënkontraktorët e saj janë ndaluar të hyjnë në aeroport që prej 18 majit.

Kompania flet për një “marrje faktike të kontrollit” nga 2A Group, aksioneri me vetëm 2% të kuotave, ndërsa pretendon se kjo po ndodh me mbështetjen ose tolerimin e institucioneve shtetërore.

Nëse konflikti përfundon në arbitrazh, Shqipëria rrezikon të hyjë edhe një herë në listën e gjatë të përballjeve ndërkombëtare që i kanë kushtuar miliona euro taksapaguesve shqiptarë.

Rasti më i njohur mbetet ai i biznesmenit italian Francesco Becchetti. Pas mbylljes së televizionit Agon Channel dhe sekuestrimit të aseteve të tij në Shqipëri, arbitrazhi ndërkombëtar vendosi kundër shtetit shqiptar, duke e detyruar Shqipërinë të paguajë mbi 100 milionë euro dëmshpërblim.

Çështja Becchetti u kthye në simbolin më të fortë të kostos që mund të prodhojnë vendimet politike, konfliktet me investitorët dhe mënyra se si menaxhohen kontratat apo investimet strategjike.

Edhe në rastin e aeroportit të Vlorës, sinjalet janë alarmante. MABCO pretendon se ka investuar mbi 90 milionë euro kapital, ka garantuar financime dhe kolateral që arrijnë qindra milionë euro dhe se projekti ndodhet në prag të hyrjes në fazën operacionale.

Në letër përmenden akuza të forta: përdorim i policisë për largimin e investitorit kryesor nga kantieri, bllokim i pajisjeve kritike për certifikimin e aeroportit, mosveprim institucional dhe shkelje të marrëveshjes së koncesionit, si dhe të Traktatit Dypalësh të Investimeve mes Shqipërisë dhe Zvicrës.

MABCO kërkon rikthimin e aksesit në kantier, zhbllokimin e pajisjeve dhe ndërhyrje urgjente të shtetit shqiptar. Në të kundërt, kompania paralajmëron nisjen e arbitrazhit ndërkombëtar dhe ndjekjen e të gjitha mjeteve juridike kundër Republikës së Shqipërisë.

Për një vend që ende vazhdon të paguajë faturat e humbura në arbitrazhe, paralajmërimi i Pacollit tingëllon më shumë si rikthimi i një makthi të njohur sesa si një konflikt i zakonshëm biznesi.

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme