
Partia Demokratike ka vendosur të ndryshojë statutin, duke e paraqitur këtë proces si një hap drejt demokratizimit të brendshëm dhe forcimit të rolit të anëtarësisë. Por mes formulimeve për pushtetin e anëtarëve, primaret dhe standardet europiane, risia më domethënëse është një paradoks politik: një parti e djathtë, që historikisht duhet të mbështetet te konkurrenca, meritokracia dhe vota e lirë, po vendos kuota të dedikuara për përfaqësimin politik.
Sipas propozimeve, diaspora do të ketë deri në 15% përfaqësim në të gjitha organet drejtuese të partisë, përfshirë Kuvendin Kombëtar, Këshillin Kombëtar, Kryesinë dhe listat e kandidatëve për deputetë. Argumenti zyrtar lidhet me votën e emigrantëve dhe raportin e ri institucional që krijohet pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Në letër, kjo duket si hapje ndaj diasporës; në praktikë, ngre pyetjen nëse përfaqësimi politik duhet të vijë nga gara dhe pesha reale në parti, apo nga një përqindje e paracaktuar në statut.
E njëjta logjikë ndiqet edhe për gratë dhe vajzat. PD propozon rritjen e kuotës së përfaqësimit nga minimumi ligjor 30% në 40% në organet drejtuese dhe në listat për deputetë. Edhe këtu, synimi shpallet si fuqizim politik. Por për një parti që pretendon se pushteti i përket anëtarit dhe jo strukturave, dilema mbetet e fortë: nëse anëtari është sovran, pse duhet që përfaqësimi të përcaktohet paraprakisht me formulë përqindjeje?
Ndryshimet nuk ndalen këtu. Kandidatët që do t’i nënshtrohen votimit në primare do të kalojnë më parë në një komision seleksionimi, i përbërë nga figura të partisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe botës akademike. Pra, ndërsa flitet për votën e anëtarësisë si themel të demokracisë së brendshme, vendoset edhe një filtër paraprak mbi atë se kush mund të shkojë realisht te vota e anëtarëve.
Në paketën statutore parashikohet edhe forcimi i organizimit bazë, përfshirja e këshilltarëve bashkiakë në kryesitë e degëve, barazimi i statusit të Grupimit Dhjetori ’90 me organizatat e tjera partnere, përmirësimi i mbrojtjes së të dhënave personale dhe rregulla më të qarta për shkarkimin e kryetarëve të degëve. Të gjitha këto paraqiten si rregullime organizative, por thelbi politik i ndryshimeve mbetet te dy shtylla: kuotat dhe filtri.
Kështu, Partia Demokratike kërkon të shfaqet njëkohësisht si parti e anëtarit, parti e primareve, parti e hapjes dhe parti e standardeve europiane. Por me këto ndryshime ajo pranon se vota e lirë e anëtarësisë nuk mjafton pa kuota të përcaktuara nga lart dhe pa komisione që vendosin paraprakisht se kush meriton të hyjë në garë.
Për një parti të djathtë, kjo është më shumë se një ndryshim teknik statuti. Është një kthesë politike. Sepse kur përfaqësimi nuk lind vetëm nga konkurrenca, por edhe nga përqindjet e garantuara, atëherë e djathta nis të flasë me gjuhën e inxhinierisë sociale që zakonisht ia ka faturuar së majtës.






















