Politika 5 June 2026, 11:08 Nga VNA

PD mes mbështetjes dhe hezitimit: protesta për Nartën nxjerr në pah ndarjet brenda opozitës

Ndaje në Whatsapp
PD mes mbështetjes dhe hezitimit: protesta për Nartën nxjerr

Protestat kundër projektit të Nartës dhe Zvërnecit nuk kanë vënë në provë vetëm qeverinë. Ato po testojnë edhe opozitën, e cila duket e ndarë mes mbështetjes së hapur për lëvizjen qytetare dhe rezervave që kanë lindur pas toneve të forta anti-politikë të dëgjuara në shesh.

Disa deputetë të Partisë Demokratike kanë zgjedhur ta mbështesin publikisht protestën. Ina Zhupa, Belind Këlliçi, Arjan Ndoja, Greta Bardeli dhe Kliti Hoti kanë bërë postime në rrjetet sociale në mbështetje të protestuesve dhe kauzës së tyre kundër projektit. Edhe në rastet kur nuk kanë qenë fizikisht të pranishëm, ata kanë përcjellë mesazhe solidariteti me qytetarët që kundërshtojnë planet e qeverisë për zonën e mbrojtur të Nartës.

Në anën tjetër, qëndrimi i një pjese tjetër të demokratëve ka qenë dukshëm më i ftohtë. Deputetja Jorida Tabaku publikoi vetëm një video me flamingot e Nartës, pa e shoqëruar me ndonjë koment politik apo qëndrim të qartë mbi protestën. Një postim që për shumëkënd ngjante më shumë me një kronikë natyre në stilin e National Geographic sesa me një reagim politik ndaj debatit që po dominon jetën publike.

Ndërkohë, Flamur Noka doli hapur në mbështetje të protestës, duke e konsideruar atë një reagim qytetar ndaj mënyrës se si po qeveriset vendi. Por pavarësisht këtyre qëndrimeve individuale, Partia Demokratike nuk ka arritur ende të krijojë një qasje të unifikuar ndaj lëvizjes që po mbledh çdo ditë qindra e mijëra qytetarë.

Një nga arsyet e kësaj hezitimi duket se lidhet me vetë karakterin e protestës. Në shesh janë dëgjuar vazhdimisht thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, një slogan që ka vendosur në të njëjtën vijë kritike si qeverinë ashtu edhe opozitën tradicionale. Kjo ka krijuar një lloj parehatie tek një pjesë e demokratëve, të cilët prej 13 vitesh kanë protestuar kundër qeverisë socialiste, por tani përballen me një protestë që nuk kursen as figurën historike të kampit të tyre politik.

Pikërisht këtu qëndron edhe veçantia e kësaj lëvizjeje. Ajo nuk po kërkon thjesht rotacion politik. Të paktën një pjesë e protestuesve po artikulojnë refuzimin ndaj gjithë klasës politike që ka dominuar tranzicionin shqiptar. Dhe kjo e bën më të vështirë për partitë tradicionale që ta përqafojnë plotësisht protestën pa u bërë vetë objekt i kritikës së saj.

Nëse protesta do të vazhdojë të rritet, Partia Demokratike do të duhet të vendosë nëse do të qëndrojë plotësisht në krah të saj, apo do të mbetet në një pozicion të ndërmjetëm, mes mbështetjes për kauzën dhe shqetësimit për mesazhet që vijnë nga sheshi. Deri tani, sinjalet tregojnë se opozita nuk flet me një zë të vetëm. Dhe kjo ndarje po bëhet gjithnjë e më e dukshme.

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme