Politika 4 June 2026, 13:56 Nga VNA

Protesta — Evolucion apo Revolucion?

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-06-04 at 1.54.16 PM (1).jpeg

Përshtypja nga brenda

Ka momente në historinë e një vendi kur rrethanat politike, ekonomike dhe sociale konvergojnë në një pikë të vetme tensioni — dhe ajo pikë shpërthen. Jo gjithmonë me zhurmë. Ndonjëherë me dinjitet. E tillë duket se ështe kjo çka po ndodh në Shqipëri.

Kush ka qenë fizikisht brenda kësaj proteste, di të dallojë diçka që sondazhet nuk e kapin dhe mediat e komprometuara nuk e transmetojnë dot me besnikëri: energjia. Jo energjia e tërbimit kolektiv, jo ajo e masës anonime të manipuluar — por energjia e ndërgjegjjes individuale të zgjuar, e njerëzve që kanë vendosur, njëri pas tjetrit, të dalin nga heshtja e dëshpëruar e rutinës.

Rinia është atje — jo si dekor o kotësisë, por si substancë. Shtresa qytetare e Tiranës, e njohur historikisht për rezervën e vet politike, ka zbritur fizikisht në rrugë. Familjet — prindër me fëmijë, çifte, gjyshër — kanë sjellë me vete jo vetëm trupin por edhe legjitimitetin e jetës së përditshme të rënduar. Protesta është paqësore, dinjitare dhe, mbi të gjitha, gjithëpërfshirëse — cilësi të cilat, në kontekstin shqiptar, nuk janë të zakonshme dhe duhen marrë seriozisht si fenomen i veçantë.

Zgjimi po ndodh. Jo i programuar, jo i dirigjuar, jo partiak. Transversal dhe i brendshëm. Një vetëdijësim cilësor, individual dhe kolektiv, i imponuar prej ndrydhjes se shtrirë në kohë dhe horizontalisht në publik. Dhe pikërisht kjo e bën të rrezikshëm kundër atyre dhe asaj, ndaj të cilëve është drejtuar.

Rryma që bashkëjetojnë

Çdo analist i cili kërkon unitetin ideologjik të kësaj proteste do të zhgënjehet metodologjikisht. Ajo nuk është dhe nuk pretendon të jetë ideologjikisht koherente. Brenda saj bashkëjetojnë, me tension të qetë dhe surprizë reciproke, rryma që në çdo kontekst tjetër do të ndesheshin me ashpërsi.

Anarkistë të majtë dhe konservatorë klasikë. Aktivistë LGBT dhe grupime me pikëpamje tradicionale të familjes. Ambientalistë të bindur dhe grupet e interesit të gjuetarëve të frustruar. Politikanë të vegjël — nga Qori te Shehaj — të cilët po zbulojnë se prania e tyre atje jo vetëm nuk i zmadhon, por i zvogëlon, duke u shfaqur fillimisht si bashkëkërkuesit e fundit të relevancës por tashmë të nënshtruar se nuk janë drejtues të ndryshimit edhe pse të pranuar, ndryshe nga të urryerit Rama dhe Berisha.

Dhe pastaj janë ata që protesta nuk i ka thirrur me emër, por që kanë ardhur vetë: biznesi i vogël, artistët me shpirt të lirë, ambientalistët, profesionistet e lirë, mesoburra dhe të rinj studentë, e madje dhe për habi shoqet dhe shokët e gjimnazit të njëzet apo tridhjetë viteve më parë — njerëz të shkapërderdhur nëpër botë nga kaotizimi i lirisë që pasoi vitin 1990, të cilët u kthyen ose mbetën dhe sot gjejnë njëri-tjetrin papritur, në të njëjtën shesh, me të njëjtin shprehje në fytyrë. Njohje, keqardhje dhe vendosmëri, njëherësh.

Mungojnë dy emra: Berisha dhe Rama. Por paradoksalisht, pikërisht mungesa e tyre nominale është arsyeja e vetme e pranisë së të gjithëve. Ata janë shkaku. Janë katalizatori. Janë, çuditërisht, elementi i vetëm bashkues i një turmë që nuk pajtohet për asgjë tjetër.

Motivet që i shtyjnë

Do të ishte gabim analizash të reduktohej kjo protestë në një kauzë të vetme. Motivet janë dinamike, të stratifikuara në heshtje gjatë kohës dhe, me kalimin e ditëve, të shpejtuara në zhvillim e artikulim. Tekstet pikante të pankartave, të shkruara thjesht me shkrim dore, nga talenti i pazbuluar i një shoqërie të ndrydhur e dëshmon këtë.

Por baza e vërtetë, është ekonomike (e ska si të jetë ndryshe) dhe nuk ia vlen ta fshehim pas retorikës politike. Është protestë që vjen nga stomaku — dhe askush të mos ketë iluzion për diçka tjetër. Kur një dyqan ushqimor është transformuar nga vend i furnizimit të përditshëm në ekspozitë luksi të paarritshëm, ku “Conad” është më i paarritshëm se “Boutique Prada” në Paris, kur çmimet e ndërtimit janë ndër më të lartat në Europë ndërkohë që pagat mbeten ndër më të ulëtat, kur brezi i të rinjëve nuk krijon dot identitet, përveçse të ëndërrojë luksin imagjinar të shfaqur dhunshëm në TikTok, kur kontrasti midis makinave luksoze në bllok dhe mungesës së mundësive të brezit të ri është aq brutal dhe depersonalizues me sy të lirë — frustrimi nuk kërkon artikulim ideologjik. Ai artikulohet vetë, me trup, me prezencë duke dalë në shesh. Një terapi grupi kundër depresionit ekonomik masiv.

Mbi bazën ekonomike është ndërtuar shtresa politike. Një kastë tridhjetepesëvjeçare, e shtirur në konflikt politik artificial, e cila ka shndërruar synimet e post-1990 në instrument pasurimi dhe ndërtimi të elitave të ngushta banale të pasurimit të lehtë, dhe zhdukjes së mundësive masive për shoqërinë. Në njërën dorë, ata menaxhojnë institucionet; në tjetrën, kapitalin. Hendeku mes tyre dhe brezit të ri — plot talent dhe dije, por i pafuqishëm prej mungesës strukturale të mundësive — nuk është thjesht pabarazi ekonomike. Është padrejtësi e diskriminim i dizajnuar dhe e mbajtur gjallë me vetëdije.

Ka gjithnjë një moment konkret katalizues: Zvërneci, telat me gjemba, gjestet e shtetit ndaj qytetarëve të vet, flamingot e dlira. Një shtet që ngre tela me gjemba ndaj qytetarëve, tregon natyrën e vet me një qartësi që asnjë analizë politike nuk mund ta zëvendësojë. Ai imazh ka folur më shumë se mijëra fjalë editoriali.

Demaskimi i bashkëpunimit Rama-Berisha — i dukshëm për vite me radhë për analistët, por i shndërruar tani në diçka që as bazat e tyre elektorale nuk mund ta injorojnë — ka hequr perden e fundit të teatrit dypartiak shqiptar. Kur dy kundërshtarë nominalë, të cilët kanë ndërtuar karrierën duke u pozicionuar njëri kundër tjetrit, dalin të dy bashkë në mbrojtje të interesave të përbashkëta, mesazhi është i qartë: konflikti ka qenë i stisur, ndërsa bashkëpunimi dhe bashkëpërfitimi ka qenë realiteti. Aq më shumë kur bëhet fjalë për 4 miliardë dollarë, buzë mjerimit.

Pasqyra më e saktë: sjellja e “të akuzuarve”

Përshtypja më e saktë e natyrës dhe rëndësisë së kësaj proteste nuk gjendet në analizën e turmës, por në refleksionin e saj tek ata ndaj të cilëve është drejtuar.

Berisha paraqitet sot si figurë e ngulur historikisht — jo me kuptimin e madhështisë, por të fossilizimit. Njeriu që vetasgjësoi edhe atë që e quan PD, i mbyllur ngushtë pa asnjë hapësirë lëvizjeje, i ngrirë në mbrojtjen e interesave financiare të rrethit të tij të ngushtë. Mbrojtësi "i paepur" i investimeve të huaja për Shqipërinë e narkotrafikut, i cili ka humbur çdo shqisë orientimi ndoshta prej demencës politike të akumuluar ndër vite.

I pafuqishëm, aq sa nuk mund t'u dalë në mbrojtje as idhujtarëve të tij, teksa agresohet para selisë së partisë, që me zjarr e hekur e mori disa kohë më parë. I dobët dhe pa argument. I mpakur dhe pa reagim. I lodhur, duke u kacavjerrë turpshëm pas karriges që nuk i hyn në punë askujt. Gjithnjë e më i braktisur, tashmë edhe pa sheshin e “protestave” të tij të përjetshme — të cilat, mesa duket, nuk do t'i bëjë më, sepse do e qeshte bota.

I sfiduar në "opozitarizmin ekskluziv", sulmon protestën prej xhelozisë. Njeriu që do e merrte në varrin e tij politik PD-në e dikurshme — dhe ja ku ndodhi. Ajo PD tani është kuti bosh që as nuk blen dot askush, në tregun e sendeve të vjetra. I demaskuar në instinktin primar që e ka mbajtur brenda vetes si komandë origjinale: merru me politikë për të bërë plaçkë për familjen!

Tani është non grata edhe në bulevardin e protestës — armën e fundit që përdorte në lojën dyshe me Ramën. Viktimat më të pafajshme dhe më të tradhtuar prej tij janë votuesit e asaj partie, të cilët, kokëulur dhe pa bujë, po bashkohen me protestën spontanisht. Ky është ndoshta dënimi i tij historik më i dhimbshëm — jo gjykata, por braktisja nga ata që i besuan.

Rama, nga ana tjetër, ka humbur diçka më të çmuar se mbështetja publike: ka humbur maskën. Fetishi i figurës që sfidonte protestat me modernitetin e artistit ekcentrik — ai që i kontrollonte konfliktet me spektakle televizive “one man show”, që i parandalonte me "hajt flasim" dhe i neutralizonte me zhdërvjelltësinë e komunikatorit — nuk funksionon më.

"Po deshët ju, unë iki" nuk pi ujë! Por ama, "sa të jem unë kryeministër, ai investim do bëhet" demaskon fytyrën e vërtetë, e cila ka nxjerrë krye nga skutat më të thella të shpirtit: atë të një njeriu që pushtetin e abuzon vrugshëm dhe banalisht, nën shpërthime emocionale histerike. Tani nuk është më artisti me shpirt të butë, dashnori i shijes fine, personazhi modern i shoqërisë së palatuar, njeriu që bën "trend" me veshjet dhe atlete te bardha, në sallone të rënda politike serioze. Nuk është më hokatari që të bën të qeshësh, aristokrati mediatik i qilimave të kuq.

Nën presionin e maskave të shumëfishta që i ndërronte disa herë brenda ditës, ka nxjerrë fytyrën e vërtetë. Zhgënjimi ndaj tij vjen nga të gjitha anët, i grumbulluar prej vitesh dhe i shprehur tani me forcën e akumulimit. Ka zhgënjyer izraelitët — të cilët nuk kanë punë fare me këtë protestë. Ka zhgënjyer grekët, duke i përfshirë si "armiqtë e përjetshëm" për të ndezur shpirtin nacionalist dhe shfokusuar protestën — ndërkohë që pesë ditë më parë puthej me Dendias. Ka zhgënjyer turqit, vëllanë e madh, me kontratat e ushtrisë, të premtuara por të pambajtura. Ka zhgënjyer europianët — motrën Meloni dhe miqtë francezë — me mbështetjen pragmatiste të Bordit të Paqjes, kur ata u ndodhën në siklet për çështjen e Gazës. Ka zhgënjyer Ivanka Trump dhe dhëndrin, të cilëve, me gjasë, u ka premtuar se asnjë skandal nuk do ndodhte për Zvërnecin dhe Sazanin — ndërkohë që New York Times ka bërë lajme dhe CNN po ashtu. Ka zhgënjyer Sorosin dhe të majtat në SHBA, për llogari të të cilëve dilte të shante Donald Trump pikërisht në CNN.

Mjafton të shohësh gjestikulacionin e tij gjatë intervistës për CNN: siklet, arrogancë dhe mungesë argumenti — triptiku i çdo lideri autokrat të mbërthyer nga realiteti. Figurën e kuruar në rang global, të cilën e kishte ndërtuar me metikolozitet vite me radhë, ka filluar të urrehet e shpërbëhet publikisht.

I varfër në argument dhe me mendje të mbyllur — njësoj si drejtuesit e fundit të diktaturës para vitit 1990 dhe ata bashkëkohorë të Azisë autokratike. Ka zhgënjyer socialistët e ndershëm, teksa gogolin Berisha e ka ortak në politikë dhe biznes. Ka zhgënjyer të rinjtë e TikTok-ut dhe Snapchat-it. Të vetmit që deri tani nuk janë zhgënjyer duket se janë investitorët okultë të katër miliardëshit dhe pronarët e dyshimtë të tokave.

E ka shitur veten si akrobat i talentuar në cirkun e madh të politikës globale dhe shqiptare — dhe mesa duket e kanë parë si palaçon e radhës. Kërcimi i akrobatit të cirkut, nga njëri hu në tjetrin ka rregullat e tij fizike. Dhe ato rregulla aplikohen njëlloj, pavarësisht nga lartësia e pretendimeve.

Me çfarë ngjan e sotmja, në të shkuarën

Ta pranojmë: kjo protestë ka zënë në befasi cilindo. Jo sepse protesta sporadike nuk janë bërë edhe më parë. Por sepse numri, cilësia qytetare dhe fragmentarizmi i brendshëm janë eklipsuar — paradoksalisht — nga masiviteti dhe dinjiteti i bashkëprezencës.

Çfarë po ndodh me shpejtësi është, në thelb, një ushtrim socio-politik që ky vend nuk e ka parë shpesh. Madje, i vetmi i krahasueshëm historikisht mbetet viti 1990 — duke përjashtuar vitin 1997, i cili ishte diçka tjetër: jo zgjim qytetar, por shpërbërje sociale.

Qëndrueshmëria e qytetarisë tiranase, pa dallim feje politike apo përkatësie ideologjike — dhe klithmat e shfrenimit që vijnë nga frustrimi i mbingopur — e dëshmojnë këtë. Ekzaltimi i tyre, teksa shohin protestën si hapësirën e vetme ku mund të shprehin lirisht atë që e mbajnë të mbyllur prej vitesh, nuk ka të dytë. Solidariteti me të cilin e shohin njëri-tjetrin — dhe qetësia e pashqetësuar e njerëzve që nuk kanë një kërkesë të artikuluar taktike, por kanë një bindje ekzistenciale — është ndoshta sinjali me peshë më të madhe analitike.

Rreziqet e së ardhmes

Habia emocionale që ka krijuar ky demonstrim qytetar, dhe nevojës madhe për ndryshim, i vjen bashkë rreziku i pritshmërisë. Tashmë po pervijëohet — qetë, por qartë — ankthi nëse do të bëhet viktimë e suksesit të vet.

Të ndryshosh gjendjen do të thotë të ndryshosh, para të gjithash, mënyrën e qeverisjes — dhe, më tej, mënyrën e të bërit politikë në këtë vend. Të gjithë e dimë se kjo mund të ndodhë vetëm nëse krijohet një proces, dhe jo vetëm një protestë. Dhe që ky proces të ndodhë, vetëdijësimi duhet të konsolidohet dhe testohet ndaj çdo sfide — të cilat do të jenë, natyrshëm, të shumta, nga çdo krah dhe rrymë, dhe nga ato më perfide.

Kohëzgjatja është testi i parë. Qëndrueshmëria. Rezistenca ndaj manipulimit të objektivave. Rreziku i eskalimit — nga protestë gjithëpërfshirëse që mban forcën nëpërmjet gjerësisë, drejt ekzaltimit të emocionalitetit ekstremist — është real dhe i afërt. Shenjat e para janë dhënë tashmë. Rrymat dhe grupazhet që duan ta vjedhin protestën janë brenda saj. Secila rrit përpjekjen e vet — por ajo është aq e madhe sot, sa nuk mund të dominohet nga asnjëra.

Eskalimet post-protestë, si tek selia e PS-së ashtu edhe ajo e PD-së, nuk janë shenjë e mirë. Tregimi me gisht i Ramës dhe Berishës nuk duhet të shndërrohet në tregimin me gisht ndaj socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë. Këta të fundit janë atje në protestë — pikërisht prandaj ajo është aq e madhe.

Të bësh pelegrinazh agresiviteti në lokalet përreth Bllokut, për të nxjerrë njerëzit të lënë kafen e të dalin në protestë, është arrogancë — gjeniale ndoshta, por e dëmshme. Kafja lihet pa u pirë kur një interes më i madh se mbytja e dëshpërimit në lëngun e saj po ndodh. Dhe protesta madhështore e qytetare është e tillë pikërisht derisa ngelet e tillë.

Testi i parë — por edhe synimi kryesor — është rritja graduale dhe e qëndrueshme e pjesëmarrjes. Kjo arrihet duke e shndërruar protestën në ngjarjen më të këndshme të rutinës ditore të njerëzve: vendin ku të gjithë janë të mirëpritur si qytetarë. Përveç Ramës dhe Berishës.

Madhësia e saj dhe qëndrueshmëria janë forca, fjala, kërkesa dhe garancia fillestare — pa iu merakosur fare se kush janë drejtues e organizatorë, se sa të artikuluara janë kërkesat dhe nëse synon ndryshim politik, ekologjik, ekonomik apo social. Nëse ndodh ky proces, natyrshëm, arsyeja kryesore e nënkuptuar nga gjithëkush — dorëheqja, largimi, anulimi i projekteve grabitqare, mbrojtja e mjedisit dhe e flamingove e pelikаnëve kaçurrelë — do të vetartikulohet nga ata ndaj të cilëve është drejtuar. Jo si dhuratë, por si pasojë.

Sjellja e matur e tubimit ndaj eksesit dhe provokimit, e shprehur deri tani, është e lavdërueshme. Por ethet e protagonizmit, xhelozitë politike dhe dinakëria për ta përçarë e delegjitimuar — nëse u jepet hapësirë — janë atje. Demonstrimi qytetar, siç është tani, po e kryen misionin e vet në heshtje. Zgjimi po ndodh. Statusquo-ja politiko-sociale është në rrezik tashmë.

Persistenca dhe zmadhimi janë detyrë e demonstrimit. Efektet e tjera vijnë natyrshëm.

Një Evolucion — dhe jo një Revolucion

Historia nuk kujton gjithmonë revolucionet si momentet e saj më produktive. Shpesh, transformimet më të qëndrueshme kanë ardhur nga evolucioni — nga akumulimi gradual i presionit qytetar, nga gërryerja e vazhdueshme e legjitimitetit të sistemeve të kalbura, nga zgjimi i ngadaltë por i pakthyeshëm i ndërgjegjjes kolektive.

Kjo protestë — nëse mban karakterin dhe energjinë e vet — nuk ka nevojë të jetë revolucion. Ka nevojë të jetë e paprekshme. Ka nevojë të rritet. Ka nevojë të qëndrojë.

Revolucioni e ndryshon strukturën me forcë dhe shpejtësi — dhe shpesh lë pas një strukturë tjetër po aq problematike. Evolucioni e gërryën sistemin nga brenda, gradualisht dhe me qëndrueshmëri, deri sa ai nuk mban dot peshën e vet dhe shndërrimi i mentalitetit, aq shumë të kërkuar, vjen.

Shqipëria ka nevojë për evolucion — të qëndrueshëm, të dinjitetshëm dhe të pakthyeshëm. Dhe shenjat që ai ka filluar janë, për herë të parë prej kohësh, reale. Nuk duhet humbur ky moment, si shumë të tjerë më parë.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme