Politika 23 July 2025, 18:43 Nga VNA

‘Partia-shtet’: Si e përdor Rama pushtetin politik mbi administratën vendore

Ndaje në Whatsapp
‘Partia-shtet’: Si e përdor Rama pushtetin politik mbi

Nisma më e fundit e kryeministrit Edi Rama për të “reformuar” administratën vendore të bashkive, përveçse ngjall shqetësime për shkelje të autonomisë së pushtetit vendor të garantuar me Kushtetutë, shihet nga analistë të politikës edhe si personalizim i të gjitha pushteteve në një dorë dhe rikthim i reminishencave të modelit të partisë-shtet.

Mëngjesin e 3 korrikut, kryeministri Rama bëri një vizitë të paparalajmëruar në godinën e Bashkisë Vlorë, nga ku nisi një “aksion” për të reformuar administratën vendore në të gjithë vendin.

Gjatë takimit me kryebashkiakun Ermal Dredha, ai kërkoi shkarkimin e të gjithë drejtorëve të bashkisë, me arsyetimin se duhej përmirësuar ofrimi i shërbimeve publike. Ky urdhër verbal u pasua me dorëheqje masive të drejtuesve vendorë një ditë më pas.

Për emërimin e drejtorëve të rinj u krijuan dy grupe pune, të përbëra kryesisht nga figura politike të Partisë Socialiste, drejtues politikë për qarqet, deputetë apo kandidatë për deputetë.

Pavarësisht dispozitave kushtetuese dhe ligjore që sanksionojnë autonominë e pushtetit vendor, një fushatë “dorëzimi” të bashkive në duart e PS-së vijoi gjatë gjithë korrikut, me dorëheqje të drejtuesve vendorë pas deklaratave dhe kërkesave publike të Ramës.

Ndërkohë, i gjithë procesi i “shkarkimeve” dhe emërimeve të reja po monitorohet në terren nga të deleguar të PS-së.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, deklaroi nga Bashkia e Dibrës se “të gjithë administratorët publikë janë dorëhequr”.

“Ndihet nevoja për afrimin e elementëve të rinj në drejtimin e institucionit dhe aplikimi është i hapur për të gjithë,” shtoi ai.

Paralelisht me aksionin për reformën në administratën vendore, Rama ndërmori edhe një aksion për lirimin e hapësirave publike nga tendat dhe ndërtimet pa leje – një veprim që ekspertët e cilësuan si ndërhyrje antiligjore në kompetencat e pushtetit vendor.

Personalizim i pushtetit dhe propagandë

Argumentet e Ramës mbështeten në paaftësinë e drejtuesve vendorë për të menaxhuar shërbime publike si furnizimi me ujë apo menaxhimi i mbetjeve, si dhe në mungesën e kapaciteteve për thithjen e fondeve të BE-së.

Megjithatë, mënyra se si po realizohet kjo “reformë” ka ngritur shumë pikëpyetje mbi pavarësinë politike të administratës dhe ndarjen e pushteteve.

Ekspertë të politikës e shohin këtë sjellje si një spektakël propagandistik për të mbuluar dështimet e pushtetit vendor dhe si një përpjekje për personalizimin e pushtetit në çdo hallkë të jetës publike.

Shkrimtari Fatos Lubonja i konsideron këto veprime si mesazhe antidemokratike.

“Pyetja që lind është: si mund të ndëshkohen të gjithë lojtarët e një skuadre që ka arritur një rezultat ‘të shkëlqyer’ zgjedhor? Është e qartë se nuk është puna që i ka sjellë këtë rezultat, përkundrazi, vendi po përjeton një degradim të rëndë politik, ekonomik e kulturor,” tha Lubonja për BIRN.

Sipas tij, Rama përpiqet ta maskojë këtë realitet me një fushatë ku mesazhi është: “Tani po e marr vetë situatën në dorë” – një mesazh që ai e cilëson si antidemokratik dhe të rremë.

Pedagogu i Shkencave Politike, Ermal Hasimja, e konsideron shqetësues përvetësimin e pushtetit vendor nga kryeministri dhe mungesën e argumentimit ligjor për shkarkimet.

“Rama po përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë e dështimeve te të tjerët dhe të paraqitet vetë si autoriteti i vetëm moral dhe politik në vend,” thotë Hasimja, duke shtuar se kjo ndodh edhe në funksion të personalizimit gjithnjë e më të theksuar të fushatave zgjedhore.

Ai shton se “aksionet për zbatimin e ligjit, nga ndërtimet pa leje te qumështi pa faturë, bien në kontrast të thellë me pandëshkueshmërinë e klientëve të qeverisë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga vetë Rama.”

Rigels Xhemollari, drejtor i organizatës “Qëndresa Qytetare”, e cilëson këtë sjellje si një tjetër spektakël për të fshehur dështimet në qeverisje.

“Rama po bën mikro-menaxhim të shtetit duke u marrë me shishet e qumështit, por ka humbur kontrollin makro mbi vendin,” thotë ai, duke i quajtur aksionet “direktiva politike për të shtrënguar rripat e të pafuqishmëve.”

Sipas tij, Rama po përpiqet të “rishpikë veten” në mungesë të një rivali të vërtetë politik.

“Fatkeqësisht, po rikthehet tek fillimet e karrierës, duke rrëzuar tenda njësoj si në fillim, pa e çuar vendin drejt një vizioni perëndimor siç e premtoi.”

Reminishenca e partisë-shtet

Lubonja, një ish-i burgosur politik gjatë diktaturës komuniste, sheh te sjellja e Ramës reminishenca të asaj kohe, ku partia kontrollonte çdo aspekt të jetës.

“Sot kemi një provë të re të mbetjes së Shqipërisë në kulturën politike të partisë-shtet dhe të modelit të liderit që aspiron gjithpushtetshmërinë e Enver Hoxhës përmes instrumentalizimit të strukturave të partisë,” thotë ai.

Edhe Xhemollari e sheh përqendrimin e pushtetit si kërcënim për institucionet.

“Kemi një parti të vetme që, me kalimin e kohës, ka nënshtruar institucionet në funksion të udhëheqjes së saj. Rama po përdor partinë si një fuqi mbi ligjin për të lëvizur gurët në çdo bashki,” shprehet ai.

Sipas tij, kjo praktikë është jo vetëm e gabuar dhe e kundërligjshme, por edhe e rrezikshme për autonominë vendore./BIRN/

 

Video

Pamje të pazakonta janë regjistruar në qytetin Norfolk, në shtetin amerikan të Virxhinias, ku një burrë u filmua duke lëvizur me jet ski nëpër rrugët e përmbytura pas reshjeve të dendura që goditën zonën të martën. Videoja është bërë virale në rrjetet sociale, duke treguar se niveli i ujit ishte aq i lartë sa rrugët u shndërruan në “kanale”, duke i dhënë drejtuesit të jet ski-t mundësinë të zëvendësonte makinën me mjetin ujor.

Një djalë 12-vjeçar nga Maroku, i pashoqëruar nga familjarë, u shpëtua nga riatdhesimi në qytetin spanjoll të Ceutës, pasi banorët vendas ndërhynë duke theksuar se ai ishte i mitur. Sipas Associated Press (AP), fëmija po qante dhe iu lut ushtarëve spanjollë që të mos e kthenin në Marok. Vetëm pak metra larg kufirit, një nënkolonel i ushtrisë urdhëroi ndalimin e procedurës, ndërsa më pas 12-vjeçari iu dorëzua Gardës Civile Spanjolle. Sipas AP, të miturit përbëjnë një pjesë të madhe të 3.000–5.000 emigrantëve që kanë shmangur dëbimin nga Ceuta, nga rreth 60.000 persona që kanë mbërritur në qytet gjatë valës së migracionit nga Maroku.

Një aksident i rëndë që përfshinte dy tramvaje ndodhi më herët në qytetin perëndimor gjerman të Gelsenkirchen, duke shkaktuar një mobilizim të madh të shërbimeve të emergjencës. Sipas policisë, të paktën 25 persona u plagosën, ndërsa për tre prej tyre nuk mund të përjashtohet rreziku për jetën. Sipas informacioneve fillestare, dy tramvajet po lëviznin njëra pas tjetrës pranë stadiumit Schalke, kur ai përpara u ndal papritur. Ishte një tren stërvitor, i cili ndiqej nga një tramvaj që po kryente një itinerar të rregullt pasagjerësh. Tramvaji i dytë nuk pati kohë të ndalonte dhe u përplas me forcë në pjesën e pasme të trenit të trajnimit, duke rezultuar në dëme të mëdha të të dy automjeteve.

Një aksident i rëndë që përfshinte dy tramvaje ndodhi më herët në qytetin perëndimor gjerman të Gelsenkirchen, duke shkaktuar një mobilizim të madh të shërbimeve të emergjencës. Sipas policisë, të paktën 25 persona u plagosën, ndërsa për tre prej tyre nuk mund të përjashtohet rreziku për jetën. Sipas informacioneve fillestare, dy tramvajet po lëviznin njëra pas tjetrës pranë stadiumit Schalke, kur ai përpara u ndal papritur. Ishte një tren stërvitor, i cili ndiqej nga një tramvaj që po kryente një itinerar të rregullt pasagjerësh. Tramvaji i dytë nuk pati kohë të ndalonte dhe u përplas me forcë në pjesën e pasme të trenit të trajnimit, duke rezultuar në dëme të mëdha të të dy automjeteve.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme