
Pak orë përpara protestës kombëtare kundër qeverisë, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka zgjedhur t'u kujtojë qytetarëve se teknologjia e Policisë së Shtetit arrin t'i identifikojë edhe kur mbajnë maska. Një deklaratë që, përtej paralajmërimit për personat e përfshirë në akte dhune, mund të lexohet edhe si një përpjekje për të frikësuar protestuesit në prag të tubimit.
Në një dalje për mediat me kryeministrin, Demo bëri të ditur se policia po analizon qindra orë pamje filmike, të siguruara nga kamerat e institucioneve publike dhe private, televizionet dhe rrjetet sociale, për të identifikuar personat që kanë ushtruar dhunë gjatë protestave të fundit.
“Ne kemi, në fakt, dita-ditës raste të cilat janë të identifikueshme, edhe kur protestuesit kanë fshehur pamjen e tyre nëpërmjet maskave. Ne përsëri kemi arritur që të identifikojmë këta protestues, të cilët kanë kryer akte dhune”, deklaroi Demo.
Ministri paralajmëroi gjithashtu se Policia e Shtetit do të vijojë punën për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të nxjerrë përpara drejtësisë personat që kanë dëmtuar pronën publike dhe bizneset private.
Me sa duket, në prag të protestës, ministri ka menduar se qytetarëve u duhej edhe një prezantim i teknologjisë së policisë, me mesazhin se askush nuk mund të fshihet pas maskës.
Mbetet vetëm që e njëjta teknologji dhe vendosmëri të tregojë rezultate edhe në luftën kundër kriminelëve që vrasin dhe zhduken, jo vetëm në identifikimin e protestuesve.






















