
Situata e tensionuar në Shqipëri dhe akuzat për dhunë policore ndaj protestuesve kanë tërhequr vëmendjen e mediave greke. Gazeta Protothema i ka kushtuar një artikull zhvillimeve në vend, duke vënë në fokus kërkesën për hetimin e veprimeve të Policisë së Shtetit dhe të rolit të kryeministrit Edi Rama.
Dhjetëra përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, avokatë, studentë dhe qytetarë kanë depozituar më 23 tetor një kallëzim penal në SPAK kundër drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe drejtuesve të tjerë të policisë.
Kallëzuesit kërkojnë gjithashtu hetimin e rolit të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, lidhur me udhëzimet e dhëna, komunikimet me drejtuesit e policisë dhe përgjegjësinë e mundshme për ndërhyrjet ndaj protestuesve.
Sipas kallëzimit, janë dokumentuar mbi 180 episode të dyshuara të shkeljeve ligjore gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera. Organizatat pretendojnë se në operacionet policore janë përfshirë efektivë të maskuar, pa numra identifikimi, si dhe persona civilë të paidentifikuar që dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve.
Një tjetër shqetësim lidhet me përdorimin e gazit lotsjellës, substancave të tjera dhe plumbave të gomës, të cilat, sipas kallëzuesve, janë përdorur në mënyrë joproporcionale.
Përmes kallëzimit, SPAK-ut i kërkohet të hetojë të gjithë zinxhirin komandues për të përcaktuar nëse dhuna e pretenduar ka qenë pasojë e veprimeve individuale të efektivëve apo pjesë e një praktike të organizuar për frikësimin e qytetarëve dhe shtypjen e protestave.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur Shqipëria po përballet me protesta dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, ndërsa organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë kërkuar hetime të pavarura dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të autorëve të çdo shkeljeje të mundshme.






















