
Ish-drejtues dhe drejtues të institucioneve që kanë qenë në varësi të Belinda Ballukut u paraqitën sot në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa hetimet ndaj ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës vijojnë.
Këtë të premte, në ambientet e SPAK u paraqit drejtori i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Ballukut. Gjatë hyrjes në institucion, Verdho konfirmoi se kishte dhënë dorëheqjen nga detyra, në kuadër të kërkesës së kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve qendrore.
Po ashtu, në SPAK u paraqitën sërish Gentian Gjyli, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe Erald Elezi, ish-drejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Të dy ish-zyrtarët janë marrë më parë në pyetje në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e Evis Berberit, ish-kreut të ARRSH-së. Ende nuk dihet nëse paraqitja e tyre e fundit lidhet me marrjen e deklarimeve të reja apo me veprime të tjera hetimore.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur SPAK ka zgjatur me tre muaj të tjerë, deri në janar të vitit 2027, hetimet ndaj Belinda Ballukut. Ish-zv.kryeministrja u paraqit të martën në Prokurorinë e Posaçme, ku u njoh me vendimin për zgjatjen e afateve, ndërsa pritet të thirret sërish për të dhënë shpjegime.
Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe po hetohet gjithashtu për dyshime për korrupsion dhe pastrim parash. Në kuadër të hetimeve, SPAK ka sekuestruar dy vila që dyshohet se përbëjnë pasuri të fshehura të ish-zv.kryeministres.
Paraqitjet e njëpasnjëshme të ish-vartësve të Ballukut në SPAK vijnë ndërsa Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për çështje që lidhen me institucionet që ajo ka drejtuar.






















