
Franca përgatitet sot për një tjetër valë protestash masive, ku pritet të marrin pjesë deri në 500 mijë qytetarë. Autoritetet kanë mobilizuar rreth 70 mijë efektivë policie në të gjithë vendin, për të parandaluar përsëritjen e dhunës që përfshiu disa qytete fundjavën e kaluar.
Protestat, të cilat nisën nga nxënësit e shkollave të mesme për kushtet e arsimit, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër rritjes së kostos së jetesës dhe vështirësive ekonomike. Demonstratave u janë bashkuar studentë, punonjës, sindikata dhe qytetarë të pakënaqur me politikat e qeverisë së presidentit Emmanuel Macron.
Një javë më parë, mbi gjysmë milioni njerëz dolën në rrugët e Francës, ndërsa protestat u shoqëruan me përleshje të dhunshme, djegie automjetesh, plaçkitje dyqanesh dhe dëmtime të ndërtesave publike. Mijëra persona u arrestuan, ndërsa qindra biznese pësuan dëme të konsiderueshme.
Për shkak të rrezikut të incidenteve të reja, autoritetet kanë kufizuar ose ndaluar tubimet në disa qytete. Në Paris janë ndryshuar itineraret e marshimeve, ndërsa në qytete të tjera janë vendosur masa të rrepta sigurie.
Situata mbetet e tensionuar edhe në Orléans, ku pritet një protestë me 20 deri në 30 mijë pjesëmarrës kundër ekstremit të djathtë, në kohën kur zhvillohet kongresi i partisë Tubimi Kombëtar.
Presidenti Emmanuel Macron ka mbështetur forcimin e masave të sigurisë, por kufizimet ndaj protestave kanë shkaktuar reagime nga opozita dhe sindikatat, të cilat i konsiderojnë ato cenim të së drejtës së qytetarëve për t'u tubuar.






















