Bota 24 October 2026, 08:17 Nga VNA

Italia blindon qytetet me 5.800 policë, protestuesit sfidojnë qeverinë: “Sheshet do t’i zgjedhim ne, në befasi”

Ndaje në Whatsapp

Italia blindon qytetet me 5.800 policë, protestuesit sfidojnë

Lëvizja 17 Tetori anulon marshimet e paralajmëruara dhe ndryshon strategjinë e protestave. Qeveria italiane aktivizon ndalimet parandaluese, përfshirë të miturit, ndërsa policia kryen kontrolle në 18 qytete.

Italia është vënë në gatishmëri të lartë për protestat e së shtunës, 24 tetor. Nga Milano në Napoli, dyqane, restorante dhe qendra tregtare kanë vendosur të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa disa biznese kanë mbuluar vitrinat me panele druri nga frika e përsëritjes së dhunës së fundjavës së kaluar.

Gazeta italiane La Repubblica, në një raportim të gazetares Alessandra Ziniti, shkruan se Lëvizja 17 Tetori ka vendosur të anulojë marshimet e paralajmëruara, duke njoftuar një strategji të re për të shmangur rrethimin nga policia.

“Sheshet e paralajmëruara për të shtunën anulohen. Në orën 14:30, në çdo qytet, do të njoftojmë tri pika grumbullimi, të cilat do të bëhen publike vetëm gjysmë ore përpara. Në orën 15:30 do të njoftojmë sheshin përfundimtar”, thuhet në komunikatën e lëvizjes.

Përballë kësaj strategjie, Ministria e Brendshme italiane ka aktivizuar një plan të gjerë sigurie. Nga qendra e krizave në ministri do të monitorohen lëvizjet e protestuesve, ndërsa forcat e rendit kanë marrë udhëzime të përdorin të gjitha instrumentet e parashikuara nga dekreti i ri i sigurisë, përfshirë ndalimin parandalues të personave që konsiderohen rrezik për rendin publik, edhe kur janë të mitur.

Dekreti, i miratuar të martën dhe tashmë në fuqi, do të zbatohet për herë të parë gjatë protestave të kësaj fundjave. Në qytetet më të rrezikuara është përforcuar edhe prania e prokurorëve dhe gjyqtarëve për shqyrtimin e ndalimeve të mundshme.

“Dhuna nuk ka lidhje me demokracinë. Jemi përgatitur me një dekretligj që do të jetë plotësisht funksional gjatë këtyre manifestimeve”, deklaroi nënsekretari i Kryeministrisë, Alfredo Mantovano.

Ndërkohë, policia italiane ka zhvilluar një operacion të njëkohshëm në 18 qytete, duke kontrolluar banesat e rreth 100 të rinjve, gjysma e të cilëve të mitur, të identifikuar pas trazirave të fundjavës së kaluar.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar thika, shkopinj metalikë, doreza metalike për goditje, një hark mekanik, bidonë me benzinë, maska dhe armë për lojëra soft air. Në disa banesa janë gjetur edhe veshje të plaçkitura nga dyqanet e Milanos, si dhe telefona e pajisje elektronike që dyshohet se janë përdorur për organizimin e protestave.

Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi deklaroi se hetimet kanë nisur të zbulojnë mënyrën e organizimit të grupeve të përfshira në trazira.

“Po fillojmë të heqim vellon mbi këtë fenomen. Sigurisht që ka një koordinim mes protagonistëve të këtyre veprimeve”, tha ai.

Sipas La Repubblica, në gatishmëri janë vendosur 15 reparte të lëvizshme të policisë, me gjithsej 5.800 efektivë, të cilët do të përforcojnë strukturat vendore të sigurisë. Vetëm në Milano janë dislokuar edhe 500 parashutistë të operacionit “Strade Sicure”.

Masat përfshijnë përdorimin e dronëve, kontrolle në stacione hekurudhore dhe metro, si dhe monitorimin e rrjeteve sociale nga specialistë të sigurisë kibernetike.

Qytetet ku priten tensionet më të mëdha janë Milano, Roma, Torino dhe Bolonja, por masa të përforcuara janë marrë edhe në Napoli, Firence, Xhenova, Bari, Padova, Verona dhe Como.

Autoritetet kanë një tjetër shqetësim: mundësinë që grupe ultrasish të futbollit të dalin në rrugë kundër protestuesve, me pretendimin se do të mbrojnë qytetet nga dhuna.

Kështu, Italia hyn në një tjetër ditë protestash me një përballje të pazakontë: demonstrues që nuk zbulojnë paraprakisht vendndodhjet e tyre dhe një aparat sigurie që po përgatitet t’i ndalojë përpara se të mbërrijnë në sheshe.

Burimi: La Repubblica, Alessandra Ziniti, 24 tetor 2026.

Lexo gjithashtu

Video

Lamine Yamal ndez atmosferën te Barcelona para El Clasicos! Talenti spanjoll dhuroi spektakël në stërvitjen e fundit, duke kaluar me lehtësi disa bashkëlojtarë me driblimet e tij dhe duke e përmbyllur aksionin me një gol fantastik. Paraqitja e tij u prit me duartrokitje dhe ovacione nga lojtarët e Barcelonës, të cilët shpresojnë që Yamal të bëjë diferencën edhe në përballjen e madhe ndaj rivalit të përjetshëm. Barcelona-Real Madrid luhet nesër, të dielën, në orën 21:00, në “Spotify Camp Nou”, në një sfidë ku pritet spektakël dhe emocione të mëdha.

Dash Sula, zbulon se Edi Rama është kundër punësimeve nepotike. Si provë, na sjell një mesazh nga vetë Rama, pasi një zyrtar i lartë i PS-së i kishte kërkuar të bënte drejtor të birin. Nga sa kuptohet, Sula po priste të merrte vesh ç’mendonte kryeministri. Se po të ishte për meritokracinë, përse duhej pyetur Rama? © Top Channel

Shqipëri, 2026. Fëmijë që dalin nga burgu. Credits: myzyrajisa

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme