Organizatorët e çmimit prestigjioz “Topi i Artë” kanë reaguar mes debateve të fundit për fituesin e ardhshëm, duke theksuar se triumfi në Kupën e Botës nuk mjafton për të siguruar automatikisht trofeun më të rëndësishëm individual në futboll.
Në sqarimin e publikuar, theksohet se fitimi i Botërorit përbën një avantazh të rëndësishëm për kandidatët, por nuk është kriter vendimtar për të fituar Topin e Artë. Sipas organizatorëve, vlerësimi bazohet në paraqitjet e futbollistit gjatë gjithë sezonit dhe jo vetëm në performancën në një kompeticion të vetëm.
Statistikat e publikuara tregojnë se që nga viti 1995, vetëm katër nga shtatë futbollistët që kanë fituar Kupën e Botës kanë arritur të fitojnë edhe Topin e Artë, çka përkthehet në një përqindje prej 57%.
“Po, fitimi i Kupës së Botës ndihmon, por nuk garanton fitimin e Topit të Artë. Për ta fituar këtë çmim, duhet të kesh qenë lojtari më i mirë i sezonit, jo vetëm i Kupës së Botës”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Topi i Artë organizohet nga revista franceze France Football, e cila e ndan këtë çmim që prej vitit 1956. Prej vitit 2024, ceremonia organizohet në partneritet me UEFA, ndërsa fituesi zgjidhet nga një panel gazetarësh sportivë nga vende të ndryshme të botës, të cilët votojnë bazuar në paraqitjet individuale, sukseset me klubin dhe kombëtaren, si edhe sjelljen sportive gjatë sezonit.






















