Një punonjës policie dhe dy shtetas të tjerë janë arrestuar në flagrancë në kuadër të operacionit “Basti i Fundit”, të zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Në pranga ka rënë Lutfi Dervishi, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet me zonë mbulimi Fushë-Krujën, i dyshuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Organizim ose ushtrim të veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan 119 fishekë model 9 mm.
Po ashtu u arrestuan edhe Sabah Stafuka dhe Fatmir Stafuka, të dyshuar për organizim të lojërave të fatit dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve, AMP sekuestroi katër pajisje elektronike të dyshuara për lojëra fati, dy serverë kompjuterikë, një DVR, doza të lëndës së dyshuar narkotike dhe tre telefona celularë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të kundërligjshëm.






















