Përmes avokatit të tij, Plaurent Ndreca, kryebashkiaku Erion Veliaj i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesë për përshpejtimin e gjykimit të çështjes pas kthimit të saj nga Gjykata Kushtetuese.
“Kërkesa për përshpejtim nuk mbështetet në një interes abstrakt për shqyrtim të shpejtë, por në pasoja konkrete dhe të përditshme mbi lirinë personale, mbi ushtrimin e mandatit të fituar me votë dhe mbi funksionimin e qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës. Z. Erion Veliaj e ka marrë zyrtarisht mandatin e tretë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës në qershor 2023. Ky mandat përfundon në qershor 2027. Në momentin e paraqitjes së kësaj kërkese, ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit dhe mbetet më pak se një vit deri në përfundimin e tij. Çdo vonesë në rigjykim nuk është, për rrjedhojë, thjesht vonesë procedurale; ajo konsumon vetë kohën e mandatit dhe e bën gjithnjë e më të pakthyeshme pasojën që masa e sigurimit ka prodhuar mbi ushtrimin e funksionit publik, si dhe të pazbatueshëm efektivisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Ndreca në kërkesë.
Ai thekson më tej se: “Çdo muaj vonesë në rishqyrtim nuk mund të kompensohet më vonë, sepse nuk mund t’i kthehet as z. Veliaj dhe as zgjedhësve të Bashkisë së Tiranës koha e humbur e ushtrimit efektiv të mandatit. Për këtë arsye, urgjenca nuk buron nga statusi personal i rekursuesit, por nga vetë natyra e mandatit të zgjedhur dhe nga detyrimi i gjykatës për të garantuar një mjet juridik efektiv, jo vetëm një vendim të vonuar. Nëse çështja nuk shqyrtohet me përparësi, rigjykimi rrezikon të humbasë efektivitetin e tij praktik”.
Gjykata Kushtetuese e prishi vendimin e Gjykatës së Lartë dhe ktheu çështjen për rigjykim, duke i lënë detyrë kësaj të fundit të arsyetojë vendimin se përse masat alternative janë të papërshtatshme për Erion Veliajn.
Kryebashkiaku është i pandehur nga SPAK dhe po gjykohet për 13 akuza penale, 9 prej të cilave episode korrupsioni. Ai ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025 dhe çdo përpjekje e tij për të lënë qelinë ka rezultuar pa sukses.






















