Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka arrestuar Emiljan Burbën, i dyshuar si një nga drejtuesit e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas SPAK, procedimi penal është regjistruar në janar të vitit 2024 për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe ato europiane, përfshirë Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Departamentin e Policisë Kriminale, Eurojust dhe Europol. Sipas dosjes hetimore, grupi dyshohet se organizonte trafikimin e drogës nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian. Një pjesë e provave janë siguruar nga komunikimet në platformën e enkriptuar Sky ECC.
Hetimet kanë dokumentuar tre episode të trafikut ndërkombëtar të drogës: sekuestrimin e 1,722 kilogramëve marijuanë në Mal të Zi në nëntor 2020, 236 kilogramëve marijuanë në Turqi në janar 2021 dhe 475 kilogramëve kokainë në portin e Vlissingen në Holandë, në nëntor 2020.
Më herët, në kuadër të këtij procedimi penal, ishin identifikuar 14 persona të tjerë nën hetim, ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie.
Sipas SPAK, hetimet e mëtejshme çuan në identifikimin e Emiljan Burbës si një prej drejtuesve të grupit kriminal, veçanërisht për episodin që lidhet me trafikimin e lëndës narkotike drejt Turqisë. Me vendim të Gjykatës së Posaçme të datës 3 korrik 2026, ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest në burg”, e cila u ekzekutua më 6 korrik nga Policia e Shtetit.
Burba dyshohet për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe dokumentimin e përfshirjes së personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.






















