
Pas publikimit të videos tronditëse ku një 17-vjeçare dhunohet barbarisht nga një 19-vjeçare dhe dy të mitura, prokuroria e Fierit deklaron se është duke hetuar edhe për akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë.
“Më datë 10.06.2026, Komisariati i Policisë Fier ka referuar materialet procedurale lidhur me një ngjarje të ndodhur më datë 08.06.2026, ku një shtetase e mitur ka kallëzuar se është dërguar në një banesë në qytetin e Fierit dhe më pas është dhunuar fizikisht nga disa shtetase të tjera. Mbi bazën e materialeve të referuara, Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim”, njoftoi prokuroria.
Pas hetimeve, më datë 1 korrik, gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për një 15-vjeçare, e cila kishte dhunuar edhe nënën e saj duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Prokuroria u bën thirrje qytetarëve, administratorëve të faqeve në rrjetet sociale dhe subjekteve mediatike të shmangin publikimin, shpërndarjen dhe ripublikimin e pamjeve filmike apo të dhënave që mund të identifikojnë të miturit e përfshirë në këtë ngjarje, duke respektuar detyrimet ligjore për mbrojtjen e privatësisë, dinjitetit dhe të drejtave të tyre.
Ngjarja ndodhi më datë 8 qershor 2026, kur e mitura ka kallëzuar se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e shtetases L. L., 19 vjeçe, nga kjo e fundit dhe dy shtetase të tjera 15-vjeçare.
Pas marrjes në pyetje të vajzave, të cilat pranuan se kishin ushtruar dhunë ndaj shoqes së tyre, shtetases së mitur 17 vjeçe, për motive të dobëta, policia i referoi për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
“Më datë 28.06.2026, nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në koordinim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, është arrestuar njëra nga 15-vjeçaret e përfshira në dhunimin e 17-vjeçares. Arrestimi u bë pas kallëzimit të nënës së 15-vjeçares, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga vajza e saj, duke i shkaktuar dëmtime fizike. Pas procedurave përkatëse dhe bazuar në vlerësimin e autoriteteve kompetente, 15-vjeçarja e arrestuar është dërguar për trajtim në një institucion shëndetësor të specializuar për shëndetin mendor, në Tiranë”, njoftoi policia.






















