Në vitin 1978, Vanessa Redgrave u ngjit në skenën e Oscar-it për të marrë çmimin si aktorja më e mirë në rol dytësor për filmin Julia. Por më shumë se statuja e artë, historia mbajti mend fjalinë që ajo tha atë natë: “Zionist hoodlums”, një shprehje që mund të përkthehet si “huliganë sionistë” ose “banditë sionistë”.
Ishte një fjali që në atë kohë shkaktoi furtunë politike, artistike dhe mediatike. Redgrave ishte kritikuar ashpër për mbështetjen e saj ndaj kauzës palestineze dhe për dokumentarin The Palestinian. Në sallën e Oscar-it, ajo nuk zgjodhi heshtjen diplomatike të mirënjohjeve standarde, por e ktheu fjalimin në një deklaratë politike. Për shumëkënd ishte guxim. Për të tjerë, provokim. Për Hollywood-in, ishte një nga ato momente kur skena e artit u bë papritur arenë politike.
Gati pesë dekada më vonë, videoja e atij fjalimi po qarkullon sërish në rrjetet sociale, jo thjesht si kujtesë historike, por si krahasim me klimën e sotme. Sepse debati që ndezi Redgrave në vitet ’70 nuk është zhdukur. Përkundrazi, është rikthyer edhe më i ashpër pas luftës në Gaza, ku qëndrimet publike të artistëve janë kthyer në vijë ndarëse mes lirisë së shprehjes, akuzave për antisemitizëm, solidaritetit me palestinezët dhe frikës nga pasojat profesionale.
Sot, një pjesë e madhe e aktorëve dhe punonjësve të industrisë së filmit po mbajnë qëndrime shumë më të hapura se dikur. Mbi 1,800 aktorë, regjisorë, producentë dhe figura të industrisë kanë nënshkruar një zotim për të mos bashkëpunuar me institucione filmike izraelite që i konsiderojnë të përfshira ose bashkëfajtore në shkelje ndaj palestinezëve. Mes emrave të raportuar janë Olivia Colman, Mark Ruffalo, Tilda Swinton, Riz Ahmed, Javier Bardem dhe Cynthia Nixon.
Në një tjetër zhvillim domethënës, aktori Matthew Lillard ka shprehur së fundmi keqardhje publike që u rikthye në franchisen Scream pas largimit të Melissa Barrera-s, e cila u pushua nga filmi për postimet e saj pro-palestineze. Lillard tha se ndihej “i turpëruar” dhe se Barrera ishte “në anën e duhur të historisë”.
Kjo e bën rastin Redgrave edhe më aktual: ajo që dikur dukej si një akt i vetmuar politik në skenën e Oscar-it, sot është kthyer në një debat kolektiv brenda industrisë. Aktorët nuk po pyeten më vetëm për rolet, filmat apo çmimet, por edhe për heshtjen. Dhe në një Hollywood ku çdo fjali matet me pasoja, heshtja shpesh po lexohet si qëndrim më vete.
Në këtë klimë është futur edhe muzika. Pas largimit të Macklemore nga turneu i Ed Sheeran për qëndrimet e tij pro-palestineze, disa artistë të tjerë u tërhoqën në shenjë solidariteti. Sheeran vetë, në një koncert të fundit, e quajti situatën në Gaza “katastrofike dhe të pajustifikueshme”, ndërsa u përpoq të shpjegonte presionet politike dhe institucionale mbi artistët.
Prandaj fjalimi i Vanessa Redgrave nuk është vetëm një relike e viteve ’70. Është një paralajmërim i hershëm për një konflikt që arti nuk e shmangu dot kurrë. Atëherë ajo u akuzua se po prishte ceremoninë. Sot, shumë aktorë duket se po thonë se ceremonia është prishur prej kohësh, nëse kërkon nga artistët të falënderojnë bukur, të buzëqeshin gjatë dhe të mos flasin për luftën jashtë skenës.






















