Ka pamje që e çojnë një protestë përtej sheshit ku zhvillohet. Kur dhuna përqendrohet mbi një njeri dhe padrejtësisht, zemërimi mund të përfshijë edhe ata që deri atëherë kanë zgjedhur të qëndrojnë larg.
Kështu ndodhi në Zvërnec, më 30 maj, kur goditja dhe tërheqja zvarrë e një protestuesi u kthyen në simbolin e asaj që do të quhej “revolucioni flamingo”. Për 135 ditë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi përpara Kryeministrisë u bënë vendtakimi i mijëra protestuesve. Një revoltë që tërhoqi vëmendje përtej Shqipërisë dhe që, për shumë të rinj, mbetet ende e papërfunduar.
Më shumë se katër muaj më pas, këtë herë në Tiranë, një tjetër skenë dhune rrezikon t’i japë zemërimit një arsye të re për të mbushur sheshet.
Në mes të përplasjeve mes studentëve dhe policisë, disa efektivë tërheqin zvarrë një të ri. Në pamjet që qarkulluan, ai shihet me këmbën e thyer, ndërsa policët vazhdojnë ta tërheqin për disa metra. Ai u përgjërohet ta lëshojnë, duke thënë se nuk ka lidhje me protestën.
Pikërisht kjo skenë duket se e çoi revoltën përtej atyre që ishin në rrugë. Pamjet u shpërndanë në rrjet, nxitën reagime dhe u pasuan nga thirrje për një pjesëmarrje edhe më të madhe në protestën e radhës. Për shumë njerëz që po e ndiqnin ngjarjen nga ekranet, ai i ri u bë fytyra e asaj nate.
Por a mund të bëhet një këmbë e thyer pikënisja e një “revolucioni” të ri?
Krahasimi me flamingot lind natyrshëm, por mbetet për t’u parë nëse revolta do të ndjekë të njëjtën rrugë. Përplasjet e forta kanë hapur një tjetër pikëpyetje: a po merr protesta një formë më të ashpër dhe a do ta bëjë kjo më të fuqishme, apo do ta largojë nga pjesëmarrja e gjerë që i duhet?
Zemërimi mund ta mbushë sheshin për një ditë. Për ta mbajtur të mbushur duhen kërkesa të qarta, besim dhe një arsye për t’u rikthyer.
Protesta e radhës do të japë shenjën e parë nëse pamjet e kësaj nate do të mbeten një tjetër episod që trondit rrjetin, apo do të nxjerrin në rrugë edhe ata që deri tani vetëm kanë parë.






















