Politika 21 Shtator 2024, 20:32 Nga VNA

Ministrja Kumbaro në intervistë, vartësit në prokurori – çfarë po ndodh me hetimet për eksportin e mbetjeve të rrezikshme?

Ndaje në Whatsapp
Ministrja Kumbaro në intervistë, vartësit në prokurori

Disa javë pasi skandali i mbetjeve u denoncua fillimisht nga media dhe më pas u shndërrua në debat politik, ministrja Mirela Kumbaro ka justifikuar pozicionin e institucionit që ajo drejton. Në një intervistë për "News 24", ministrja rendit, sipas stilit të kryeministrit, arsyet pse ajo nuk mban asnjë përgjegjësi për këtë transport.

Më poshtë janë renditur 5 përgjigjet pa përgjigje të ministres Kumbaro:

1. “Këto mbetje menaxhohen nga subjekti brenda rregullave të caktuara dhe pajisen me një dokument në momentin që hapin biznesin e tyre. Në lejen mjedisore janë të përcaktuara kushtet dhe modeli është europian.”

Ministrja ose nuk di, ose bën sikur nuk di që institucioni që ajo drejton, përkatësisht Agjencia e Mjedisit, duhet të ketë një bazë të dhënash ku janë të regjistruara lloji dhe sasia e mbetjeve që kompanitë e kësaj industrie prodhojnë në çdo kohë. Në asnjë dokument, përfshirë edhe prokurorinë, nuk ekziston një regjistër i tillë. Kjo çon në mendimin se mbetjet e prodhuara janë mall pa zot, që transportohen dhe eksportohen pa kontroll nga Agjencia e Mjedisit.

2. “Të rrezikshme nuk do të thotë automatikisht toksike. Mbetjet e rrezikshme mund të jenë si p.sh. ato të çelikut; magazinohen, grumbullohen, rikuperohen, përpunohen, asgjësohen dhe mund të eksportohen. E rëndësishme është të bëhen sipas lejes mjedisore,” tha Kumbaro.

Në fakt, kur një institucion shtetëror jep leje, automatikisht kontrollon për standardet që ndjek subjekti i licencuar. As ministrja dhe as institucioni që ajo drejton nuk kanë mundur të thonë kur është kryer për herë të fundit një kontroll mbi mbetjet e prodhuara nga Kurum dhe cilat janë rezultatet e analizave të kryera. Ndërkohë, është kompetencë e ministrisë të ketë inventarin dhe të kontrollojë sasitë që janë deklaruar për çdo dërgesë me sasitë reale të dala. Është ministria përgjegjëse për sa, si, dhe ku menaxhohen mbetjet kur i jep licencën.

3. “Fakti që merrni një licencë nuk ju bën automatikisht të ligjshëm, sepse duhet pajisur me një kod unik për t’u bërë i gjurmueshëm. Subjekti në fjalë nuk e ka bërë dhe kjo nuk mjafton për të eksportuar mbetje. Eksporti është aktivitet i ligjshëm, por duhet kodi unik dhe një dosje komplekse me të dhëna përfshirë dhe analizën e mallit,” tha ajo.

Në fakt, askush nuk ka gjurmuar sasinë e qindra kontejnerëve të eksportuar drejt Kinës dhe Tajlandës. Alarmi i dhënë nga institucionet ndërkombëtare ka kaluar pa vëmendje nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Mjedisit, të cilat për dy javët e para heshtën dhe reaguan vetëm me një paragraf, ku fajësuan kompaninë Kurum për përgjegjësinë. Sot ministrja e anashkaloi kompaninë turke. Por ndërkohë, procedurën e lejes që jep vetë, me sa duket, ministrja nuk e di. Jo më kot procedura quhet “vlerësim i ndikimit në mjedis.” Para se të japë licencë, subjekti hyn në procedurë të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ku përcaktohet zona, kapaciteti përpunues, lloji i teknologjisë, etj. Më pas, i nënshtrohet kërkesave për pajisjen me Leje Mjedisore të tipit A dhe B.

4. “Kompania Sokolaj e ka marrë licencën në 2022 sipas ligjit. Fakti që merrni një licencë nuk ju bën automatikisht të ligjshëm, sepse duhet pajisur me një kod unik për t’u bërë i gjurmueshëm. Subjekti në fjalë nuk e ka bërë dhe kjo nuk mjafton për të eksportuar mbetje.”

Por mbetet e paqartë mbi ç’kritere ministria ka dhënë licencën për eksport. VNA ka raportuar që në ditët e para se kompania Sokolaj Sh.p.k. nuk ka pasur asnjë përvojë pune. Vetëm me një vëzhgim të thjeshtë në faqen zyrtare të kësaj kompanie në internet, mund të konstatosh lehtësisht se Sokolaj Sh.p.k. nuk ka përvojë apo staf për të kryer këtë eksport. Për më tepër, ndryshe nga sa parashikon ligji, në strukturën e kompanisë mungon eksperti i licencuar i mjedisit.

5. “Që në momentin e parë që kemi pasur indicie, kemi ngritur një grup pune dhe jemi në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit duke i vënë në dispozicion të gjitha informacionet. Në fund të procesit, organi i drejtësisë do të vendosë. Flitet për mbetje, por nuk e dimë se çfarë kanë kontejnerët.”

Kjo është pika e vetme ku ministrja Kumbaro nuk flet me kompetencën e zakonshme, pasi zhvillimi i hetimeve ka sjellë fakte të reja dhe përgjegjësi që qeveria është munduar t’i shmangë. Burime nga VNA bëjnë me dije se në Prokurorinë e Durrësit është thirrur disa ditë më parë edhe drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani, si dhe zyrtarë të Ministrisë. Në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime të reja nga hetimet e prokurorisë dhe ndoshta në këto kushte, ministres Mirela Kumbaro do t’i duhet të përgatitet për përgjigje më të sakta për prokurorët.

Video

Ju flet Evis Sala për dhunën ndaj grave në hapësirën digjitale… e sigurt që nuk e ka parë konferencën e djeshme të shefit te madh

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bagdad është goditur nga një dron ose raketë, sipas një zyrtari të sigurisë irakiane. Sulmi ndodhi pak pasi dy militantë të mbështetur nga Irani u vranë në një bastisje në kryeqytetin irakian. Është hera e dytë që ambasada amerikane sulmohet që nga fillimi i luftës Izrael-SHBA kundër Iranit. Sulmet janë marrë përsipër nga grupe të armatosura pro-iraniane në Irak, të cilat prej ditësh po godasin me dronë dhe raketa bazat amerikane në rajon.

Dhjetëra qytetarë të Lezhës janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit për të përkujtuar 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj nga Shëngjini. Pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografisë së saj, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të resë dhe solidaritetin me familjen në këtë moment të vështirë. E reja dyshohet se i dha fund jetës pas një periudhe të vështirë personale dhe dhunës nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkuan më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për rastet e dhunës në familje.

Një grup prej rreth 20 grabitësish të maskuar realizuan një grabitje në dyqanin e bizhuterive “Kumar” në Kaliforni, duke marrë mallra me vlerë mbi 1.4 milion dollarë brenda rreth 70 sekondash. Sipas autoriteteve, grabitësit thyen vitrinat me çekiçë dhe morën rreth 75–80% të bizhuterive të ekspozuara, para se të largoheshin me automjete që i prisnin jashtë. Policia arrestoi katër të rinj të moshës 19–20 vjeç pasi ndaloi një prej automjeteve të përdorura për arratisje, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme