Lionel Messi ka zgjeruar edhe një tjetër rekord historik në Kupën e Botës, duke u bërë futbollisti që ka shënuar ndaj numrit më të madh të kombëtareve të ndryshme në historinë e turneut. Sulmuesi argjentinas gjeti rrugën e rrjetës ndaj Algjerisë dhe Jordanisë në ndeshjet e Argjentinës në Grupin J, duke e çuar totalin e tij në 13 shtete të ndryshme të ndëshkuara me gol.
Kapiteni i Argjentinës, i cili prej vitesh dominon statistikat e turneut më të madh të futbollit botëror, ka ndërtuar një listë të gjatë “viktimash” gjatë gjashtë edicioneve të Kupës së Botës. Mes tyre përfshihen përfaqësuese nga Evropa, Afrika, Azia dhe Amerika e Veriut.
Në kontinentin evropian, Messi ka shënuar ndaj kombëtareve si Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Holanda, Kroacia dhe Franca. Në Afrikë ka gjetur rrugën e rrjetës ndaj Nigerisë dhe Algjerisë, ndërsa në Azi ndaj Iranit, Arabisë Saudite dhe Jordanisë. Po ashtu, ai ka shënuar edhe ndaj Australisë si dhe ndaj Meksikës nga Amerika e Veriut.
Me këtë arritje, Messi lë pas emra të mëdhenj të futbollit botëror si Jurgen Klinsmann, Ronaldo Nazario dhe Miroslav Klose, të cilët kanë shënuar secili ndaj 10 kombëtareve të ndryshme në historinë e Botërorit.
Ky rekord i shtohet një karriere tashmë legjendare në Kupën e Botës, ku Messi mban edhe titullin e golashënuesit më të mirë në histori të turneut me 19 gola të shënuar.






















