
Nga Lizandër Saraçi
E vetmja gjë që liderët partitë e vjetra kanë ditur ta bejnë më së miri dhe me vizion të qartë për të (mos)ardhmen, ka qenë vrasja e besimit të shqipëtarve te politika e parimeve dhe të drejtës. Sot, as militantët më të verbër të këtyre partive, nuk guxojnë të artikulojnë në privat se kanë besim se lideri i tyre ka qofte edhe një parim apo ideal që e udhëheq në vendimarrjen e tij. Maksimumi i avokatisë që mund të dëgjosh, nga patronazhistët, është sulmi ndaj kundërshtarëve si për të thënë se janë e keqja më e vogël ose, kur edhe kjo nuk pi ujë, fjalia më dëshpëruese për këdo që i dhemb sadopak ky vend “e po kështu funksionojnë gjërat në Shqipëri”. Ndoshta ata as vetë nuk e kuptojnë që me këtë fjali i bëjnë gropën (morale) liderit. Sidomos mbështetësit e liderit suprem, që na qeveris prej aq shumë kohësh sa po na duket se edhe fëmijët tanë kanë lindur në monizëm si ne. Sepse, teorikisht, ata që qeverisin kanë detyrën të bëjnë që gjërat të funksionojnë siç duhet e jo të fitojnë garën se kush përfiton më tepër nga funksionimi i gabuar.
Kjo paaftësi për të kuptuar broçkullat që nxjerrin nga goja, vjen edhe si rezultat i faktit që partitë prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008-s janë kthyer në oborre mini-mbretërish, totalisht të paafta për të bërë oponencë ndaj qeverisë dhe për të ruajtur një farë identiteti politik e moral. Prandaj është totalisht e kotë që sot ne të shpresojmë se gjërat mund të ndryshojnë duke pritur që të reformohen partitë e vjetra. Aty nuk është më lideri problemi i vetëm. Aty ka zënë rrënjë e keqja dhe parimeve ua kanë zënë vendin servilizmi dhe nënshtrimi si të vetmet mënyra për të bërë “hajër”.
Në këto kushte, e vetmja gjë pozitive që kemi është pakënaqësia në rritje e pjesës më të madhe të shoqërisë që kërkon një alternativë. Vërtetë shumica e atyre që nuk bashkëjetonin dot me të keqen, apo nuk mbijetonin dot mes saj, kanë emigruar, por ka ende shumë që nuk janë dorëzuar dhe duan të besojnë se Shqipërinë do ta bëjmë. Qëllimisht kalova në vetën e parë shumës, sepse mendoj se kushdo beson e shpreson, nuk duhet të presë as që Shqipëria të bëhet, as që ta bëjnë, por duhet të kontribuojë që ta bëjmë.
Mbi këtë parim, dua të besoj se formohet çdo formacion i ri politik, që nuk lind nga sherre për ndarje tepsie apo vule në partitë e vjetra. Prandaj, prej vitesh, kam zgjedhur t’i mbështes ose duke u angazhuar kur kam besuar se ndajmë të njejtat vlera, ose thjeshte duke i votuar. Angazhimi në lëvizjet e reja ku jam përfshirë më ka treguar se sa e vështirë është për to rruga drejt suksesit. Sulmet dhe presionet politike nga mazhoranca e momentit, janë shumë herë më të forta ndaj partive të reja se atyre u tremben shumë më tepër se opozitës zyrtare, e shkuara e së cilës u shërben për ta tundur si gogol para elektoratit. Regjimi, që çdo ditë bëhet edhe më autokrat, nuk ia kursen, çdokujt ndërmerr inisiativën të krijojë një formacion të ri politik, kërcënimet për heqje nga puna të të afërmve apo bashkëpunërorve, pengimin e daljeve mediatike me urdhër në media e blera me reklama qeveritare, “fake news-et” e përhapura me qëllim diskreditimin publik, etj. Opozita zyrtare i bëhet bashkëpunëtore në krim me heshtjen e saj, sepse të dy palët kanë frikë nga ringjallja e shpresës që do sillte neveri e përbuzje për këdo ka mbjellë e fuqizuar të keqen në këtë vend.
Më duket i tepërt gjyqi publik dhe skanimi deri në detaj që i bëhet çdo individi apo formacioni të ri politik, nga ata që ose thonë “kot e ke o ‘lla se ky vend nuk behet/bohet/bahet” ose që rrinë e presin ta bëjnë të tjerët. Minimalisht, atyre çunave dhe gocave (të çfarëdo moshe qofshin janë të rinj në mentalitet politik), që kanë vendosur të përballen në një formë apo një tjetër me regjimin, duhet tu njohim meritën që nuk e kanë lejuar regjimin t’i blejë apo t’u mbyllë gojën siç ka bërë me shumë zëra opozitarë në të shkuarën. Nuk bëjnë sens as frikërat e tipit “filani rrezik bëhet njësoj si ky që kemi”. Kur dikush nuk është përfshirë në abuzim me pushtetin apo korrupsion, nuk ka treguar asnjë inkoherencë në qendrimet e tij, përse duhet të paragjykohet?
Nga ana tjetër, eksperiencat në të shkuarën kanë krijuar bindjen se fragmentizimi i opozitës ka avantazhuar mazhorancën pasi votat e marra nga partitë e reja nuk janë përkthyer në mandate deputetësh. Kjo, në vetëvete, ha shumë debat pasi vërtetë partitë e reja marrin vota opozitare, por askush nuk mund të thotë se këto vota do shkonin për partitë e vjetra opozitare. Po, nuk dua fare t’i hyj këtij debati, pasi mendoj se ekziston një rrugë për të maksimizuar rezultatin elektoral të partive të reja, që jo vetëm nuk e favorizon mazhorancën aktuale por që e rrit ndjeshëm votën opozitare. Kjo është rruga e bashkëpunimit që krijon një sinergji nga e cila do lindë shpresa dhe besimi se vota nuk shkon dëm.
Më konkretisht dhe duke ju referuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, mendoj se një bashkëpunim elektoral midis të paktën katër forcave të reja politike, Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje, do të krijonte një front të ri opozitar që mbulon tërë spektrin politik, nga e majta radikale deri te e djathta tradicionale konservatore. Shumëkujt ky grupim mund t’i duket non-sens, pasi programet e tyre elektorale janë krejt të ndryshme dhe mund të gjejmë dhjetëra gjëra që i mendojnë krejt ndryshe nga njëri-tjetri. Personalisht, jo vetëm nuk e shoh si pengesë këtë diversitet politik por përkundrazi ky është një avantazh, pasi roli i këtij grupimi në këto zgjedhje nuk është të na përfshijë në një debat ideologjik, por t’i tregojë shqipëtarve se politika mund të bëhet edhe ndryshe. Pjesa e shëndoshë moralisht, që i ka mbetur këtij vendi, nuk po kërkon të gjejë alternativën perfekte por të ketë një alternativë që inspiron dhe aspiron të ndërtojë një shtet larg krimit e korrupsionit. Diversiteti ideologjik është një avantazh i shtuar sepse i jep mundësinë gjithkujt të shprehi preferencën e tij ideologjike brenda kësaj alternative, përmes votimit të kandidatëve. Kur ne t’i kemi çuar, mundësisht të katërta, këto formacione politike në Parlament dhe të kemi filluar opozitarizmin parlamentar inspirues, mund të fillojmë të mendojmë se cila duhet të jetë qasja sociale që duam t’i japim shtetit të së drejtës. Kur të na kthehet mundësia për të patur një debat ideologjik (në kushtet ku jemi duket luks i tepruar), patjetër që këto formacione do jenë në garë më njëra-tjetrën.
Deri tani është vërejtur një hezitim për një bashkëpunim të tillë, sidomos nga Lëvizja Bashkë, që për të qenë të sinqertë kanë qenë gjithmonë tepër të mbyllur. Argumenti i direfencës së madhe (në dukje) ideologjike apo më keq akoma i “tradhtisë së kauzës” nuk qëndron pasi bashkëpunim elektoral nuk do të thotë unifikim programesh apo qëndrimesh. Secili do i kërkojë votën shqipëtarve me programin e tij dhe do bashkëpunojë me të tjerët për të “luftuar” sistemin deformues elektoral të ngritur për të penguar ata që duan të sjellin ndryshimin. Do bashkohen forcat për ta mbrojtur votën dhe do bashkohen votat për t’i përkthyer në mandate edhe në qarqe ku askush i vetëm nuk do merrte dot asnjë mandat.
Nga ana praktike një sistem i mundshëm i ndarjes së drejtë të mandateve midis forcave të ndryshme, mund të ishte në mënyrë proporcionale bazuar mbi votat e kanditatëve të secilës forcë. Pra nëse janë marrë X vota si grupim në nivel kombëtar dhe janë përkthyer në Y mandate, këto mandate do të ndaheshin sipas votave që kanë marrë kandidatët po në nivel kombëtar. Praktikisht do “minohej” barriera artificiale e ndarjes sipas qarqeve, dhe do i afroheshim një proporcionali kombëtar që është shumë herë më i drejtë.
Biles, nëse duam që pengesat artificiale t’i kthejmë në avantazh, sinergjia e një bashkëpunimi të tillë mund të përdoret për ta maksimizuar votën opozitare duke përfshirë në listat e kandidatëve edhe njerëz me reputacion në qarqe të caktuara, që janë gati të kontribuojnë me emrin dhe zërin e tyre për të fuqizuar opozitën, por që nuk ndihen të gatshëm të angazhohen në një formacion politik apo për të lënë angazhimet e tyre profesionale për t’u bërë deputetë.
Ne si shoqëri duhet të zhbëjmë sa më shpejt kompleksin ndaj të fortit që na lë peng të servilizmit e na “prodhon” frustrim që e shfryjmë si persekutim ndaj të pafuqishmit. Gjithashtu, duhet të kuptojmë se kur shkojmë në kutitë e votimit, nuk jemi para një ndeshje futbolli duke bërë tifozllik apo më keq akoma duke vënë një bast ku rëndësi ka të gjejmë fituesin. Ne duhet të gjejmë ata që na përfaqësojnë dhe na japin shpresë për të kthyer një politikë të bazuar mbi vlera e parime. Ata që do mundësojë themelet e një shteti të drejtë.