Me elektroda të vendosura në këmbë dhe duke ecur mbi një tapis roulant, Mattia buzëqesh ndërsa hedh hapat e tij të parë. Për shumë fëmijë me paralizë cerebrale infantile, kjo skenë dikur dukej e pamundur.
Por një studim i realizuar nga Fondazione Santa Lucia IRCCS në Rome ka treguar se ndërhyrja shumë e hershme mund të ndryshojë zhvillimin motorik të fëmijëve me çrregullime neurologjike.
Studiuesit ndoqën 34 fëmijë me paralizë cerebrale infantile dhe zbuluan se momenti kur fëmija fillon të ecë vetë riorganizon sinjalet nervore dhe muskulore të lidhura me ecjen. Sipas tyre, dy vitet e para të jetës janë vendimtare për zhvillimin e qarqeve nervore që kontrollojnë lëvizjen, ekuilibrin dhe koordinimin.
Ekipi përdori elektroda dhe teknika të avancuara të “imazherisë motorike spinale” për të analizuar aktivitetin e muskujve dhe të sistemit nervor gjatë hapave të parë të fëmijëve.
Sipas studiueses Germana Cappellini, ndërhyrja duhet të nisë sa më herët, idealisht para moshës dyvjeçare, sepse ekziston një “dritare kohore” ku truri dhe sistemi nervor janë shumë më të aftë të përshtaten dhe të zhvillohen.
Rezultatet treguan se para ecjes autonome, fëmijët me paralizë cerebrale kontrollonin lëvizjet me modele shumë të thjeshta, të ngjashme me ato të foshnjave. Por pas hapave të parë të pavarur, aktiviteti nervor dhe muskulor bëhej dukshëm më kompleks dhe më i organizuar.
Sipas ekspertëve, studimi hap rrugën për metoda të reja të neuroriabilitimit dhe diagnostikimit të hershëm të çrregullimeve motorike, madje që në muajt e parë të jetës.






















