Politika 23 January 2025, 18:36 Nga VNA

Marrëveshja e emigrantëve Itali-Shqipëri teston respektin për sundimin e ligjit

Ndaje në Whatsapp
Marrëveshja e emigrantëve Itali-Shqipëri teston respektin

Hapja e dy kampeve të emigrantëve të drejtuar nga italianët në Shqipërinë veriperëndimore ishte një ndihmë jetëshkurtër për fshatarët vendas. Fati i kampeve tani nuk dihet ende, si një test i përkushtimit të Evropës ndaj sundimit të ligjit, thonë aktivistët e të drejtave.

Për disa muaj, jeta në Gjadër ishte ndryshe. Në fshatin veriperëndimor të Shqipërisë, pranë detit Adriatik, u ndërtua një kamp për të strehuar emigrantët dhe stafi italian i dërguar për të punuar aty mori me qira shtëpi nga fshatarët, disa prej të cilëve gjetën edhe punë.

Fakti që kampi në fjalë dhe një tjetër si ai në Shëngjinin e afërt janë në qendër të një mosmarrëveshjeje gjyqësore evropiane për të drejtat e njeriut, nuk pati asnjë pasojë për kryeplakun Aleksandër Preka, 65 vjeç.

Plani i Italisë për të përpunuar kërkesat për azil të emigrantëve ndërsa ata mbaheshin në kampin e fshatit të tij, shumë pak larg Italisë qoftë me avion apo edhe me anije, përfaqësonte një mundësi për Gjadrin, vendin e një baze ajrore që për dekada ishte braktisur derisa u restaurua së fundmi.

Pastaj gjithçka mori fund. Gjykatat italiane ndërhynë dhe emigrantët e parë që mbërritën më 16 tetor u kthyen pas. Kur një grup i dytë u kthye pas në nëntor, anëtarët italianë të stafit u larguan gjithashtu.

“Fillimisht, italianët jetonin në shtëpi me qira këtu në fshat, gjë që solli një ndryshim të madh në jetën e fshatit”, tha Preka. “Rreth 15 shtëpi u dhanë me qira nga vendasit dhe tani asnjë nuk është më me qira asnjëra, përveç njërës që është paguar deri në shkurt.”

“Kampi nuk është i mbyllur”, tha ai, por 70 për qind e fuqisë punëtore të tij është shkurtuar. “Shumica e punëtorëve italianë, oficerë policie, janë larguar”, tha Preka për BIRN. Askush nuk e di nëse do të kthehen.

Megjithatë, ndikimi do të ndihet shumë edhe përtej Gjadrit, ndërsa politikanët në Evropë vlerësojnë se sa larg mund ta shtrijnë sundimin e ligjit kur bëhet fjalë për të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve.

“Ka shumë zhurmë politike, politikanët thonë ‘Oh, kjo është e ardhmja, kjo është rruga përpara'”, tha Catherine Woollard, presidente e Këshillit Evropian për Refugjatët dhe Mërgimtarët.

“Por mësimet e vërteta që ata po marrin janë se, në fakt, është shumë e vështirë t’ia dalësh mbanë dhe se nëse përpiqen, do të duhet të përballen me sistemin gjyqësor.”

Sa para, pas

Sipas një marrëveshjeje të nëntorit 2023 të arritur midis kryeministrave të Shqipërisë dhe Italisë, Edi Rama dhe Giorgia Meloni, dy kampet u ndërtuan vitin e kaluar për të strehuar dhe përpunuar azilkërkuesit e kapur nga marina italiane në Mesdhe.

Grupet e të drejtave të njeriut ishin të indinjuar, por disa nga homologët e Italisë në BE e vunë re, duke e parë planin si një pengesë potencialisht të fuqishme për ata që përpiqeshin të arrinin bllokun.

Sipas raportimeve, kampet do t’i kushtonin Italisë një miliardë euro gjatë pesë viteve, por deri më tani skema ka qenë një katastrofë.

Pak ditë pasi mbërritën në tetor, 16 emigrantët e parë u kthyen në Itali pas një vendimi të Gjykatës së Romës.

Një anije e dytë u dërgua në Shqipëri në nëntor, por sërish gjykatat italiane urdhëruan kthimin e emigrantëve në Itali.

Në thelb të të dy vendimeve është çështja se çfarë do të thotë një vend origjine “i sigurt”, që lind nga një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, GJED, e cila vendosi më 4 tetor se një vend origjine nuk mund të konsiderohet “i sigurt” nëse edhe pjesë të tij nuk janë të sigurta.

Që kërkesa e një personi për azil ose mbrojtje ndërkombëtare në Itali të përpunohet në Shqipëri, vendi i origjinës së tij duhet të konsiderohet “i sigurt”. Sipas rregullave të BE-së, një ndalim i tillë nuk mund të zbatohet për “aplikuesit e cenueshëm”, që përfshin ata nga vendet “të pasigurta”.

Si përgjigje, qeveria e krahut të djathtë e Melonit miratoi një dekret më 23 tetor duke përditësuar listën e vendeve që Italia i konsideron “të sigurta”.

Kjo u pasua nga një sfidë tjetër në GJED në lidhje me rastin e një qytetari nga Bangladeshi, që shtronte pyetjen nëse një vend mund të konsiderohet “i sigurt” “edhe nëse nuk është i sigurt për të gjithë qytetarët e tij (p.sh. persona LGBTQ+, disidentë politikë etj…)”. Vendimi pritet të merret në mars.

“Për momentin, gjithçka këtu është ndalur”, tha një fshatar i Gjadrit, i cili kërkoi të mos i përmendej emri.

“Nuk ka asnjë informacion se çfarë do të ndodhë. Disa gra që punonin atje nuk shkojnë më në punë. Vetëm disa prej tyre ende punojnë atje.”

Disa vendas thanë se u ishte thënë të prisnin që italianët të kthehen në fillim të pranverës. Ndërkohë, 76-vjeçari Simon Gjini tha se nuk ai nuk e kishte problem qëndrimin e azilkërkuesve.

“Kam tetë nipa dhe mbesa në Verona”, tha ai, duke aluduar për valët e emigrimit që kanë boshatisur shumë pjesë të Shqipërisë rurale. “Këtu është shumë qetësi. Asgjë e keqe nuk do të ndodhë nëse i mbajmë emigrantët.”

A do të respektohet vendimi i gjykatës evropiane?

Qeveria e Melonit nuk është dorëzuar.

Në Itali, çështja tani ka kaluar nga seksioni i specializuar i imigracionit i Gjykatës së Romës në gjykatën e apelit, ku gjyqtarët nuk janë të specializuar në çështjet e migracionit dhe qeveria shpreson se mund të marrë një vendim më të favorshëm.

“Gjykatat e apelit në Itali nuk kanë punuar për çështje migracioni që nga viti 2017, kështu që mendoj se qeveria shpreson – dhe mund të kenë të drejtë – që duke qenë se nuk janë të trajnuar, mund të përputhen lehtësisht me indikacionet e dhëna nga ministria e drejtësisë ose ministria e brendshme”, tha eksperti i migracionit Luca Cricenti.

Woollard tha se vendimi i ardhshëm i GJED-së në Luksemburg ka shumë të ngjarë të përsërisë atë që ajo tha më 4 tetor.

“Pikëpamjet e tyre për këto çështje janë mjaft të qarta”, tha WoolLard për BIRN. “Çështja do të jetë nëse do të respektohet Gjykata e Drejtësisë.”

“Unë mendoj se kjo është pyetja afatgjatë: a shkon gërryerja e sundimit të ligjit deri në pikën e një mungese në rritje të respektit për vendimet e gjykatës së Luksemburgut?/BIRN/

 

Video

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme