Kryesore 15 Prill 2026, 18:41 Nga VNA

Fasadat e show-t ranë. Tani na mbetet të luftojmë zjarret

Ndaje në Whatsapp
Fasadat e show-t ranë. Tani na mbetet të luftojmë zjarret

Nga Doriana Musai

Fasadat po digjen dhe bashkë me to, edhe iluzioni i zhvillimit “modern”.

Fasada nuk është thjesht një sipërfaqe ndërtimi. Juridikisht është pronë private, por në praktikë është objekt vendimmarrjeje publike. Ajo blihet nga qytetarët si pjesë e pronës së tyre, por rregullohet dhe kontrollohet nga Bashkia. Mjafton të shohësh ndërhyrjet në fasadat e pallateve – lyerjen e tyre nga Bashkia e Tiranës apo vendosjen e reklamave dhe banderolave, si edhe lejen që aplikohet për një ndërhyrje minimale si një hijezues në ballkon – për të kuptuar se fasada është një instrument publik dhe, si e tillë, objekt i vendimmarrjes publike. Dhe pikërisht ky element, i trajtuar si imazhi i qytetit, sot po del pika më e dobët e tij.

Kemi “modernizuar” fasadën e qytetit, por jo sistemin që duhet ta mbrojë atë.

Zjarret që po shohim në ndërtesat e reja nuk janë aksident, por rezultat i një modeli zhvillimi ku teknologjia e ndërtimit ka ecur përpara, ndërsa rregullimi, kontrolli dhe infrastruktura publike kanë mbetur pas. Prej disa vitesh, me ligjin për eficiencën e energjisë, fasada është kthyer në projekt më vete dhe pjesë e pandashme e dosjes për leje ndërtimi. “Zarfi i ndërtesës” nuk është më vetëm dekor dhe estetikë, por një sistem që duhet të performojë energjetikisht. Por ky ligj nuk përcakton kushte teknike për sjelljen e materialeve në zjarr, ndërsa kuadri teknik për mbrojtjen nga zjarri fokusohet te pjesa e brendshme e ndërtesës, evakuimi dhe ndërhyrja, pa trajtuar drejtpërdrejt fasadën si element përhapjeje.

Na është krijuar një paradoks: termoizolimi është detyrim, ndërsa siguria mbetet opsionale.

Fasadat që po digjen lidhen me përdorimin e materialeve jozjarrduruese, si polistireni (EPS), poliuretani apo materiale të tjera kompozite mbushëse dhe veshëse të sistemit. Shumë prej fasadave kanë përdorur këto materiale si zgjidhjen më ekonomike dhe efikase, por shpesh pa marrë parasysh që janë të djegshme. Megjithatë, problemi nuk është vetëm materiali, por mënyra e përdorimit dhe mungesa e standardeve të detyrueshme. Në Shqipëri, këto sisteme fasadash aplikohen pa protokoll teknik dhe pa kontroll të integruar. Edhe kur materialet janë të certifikuara individualisht, nuk testohet performanca e gjithë fasadës në kushte zjarri.

Dhe këtu qëndron thelbi: një boshllëk rregullator.

Dikur ndërtesat ishin më të ulëta dhe ndërtoheshin me materiale më të qëndrueshme ndaj zjarrit, si tulla dhe suva. Sot kemi fasada me shtresa dhe materiale të kombinuara, ndërkohë që mungojnë elemente bazë sigurie si klasifikimi sipas reaksionit ndaj zjarrit, barrierat izoluese dhe kufizimet për materialet e djegshme në ndërtesa të larta. Përgjegjësia është zinxhir – nga projektuesi dhe ndërtuesi, te mbikëqyrësi, kolaudatori dhe institucionet që japin leje dhe certifikim. Por të gjithë operojnë në një kuadër që nuk i detyron të zbatojnë standarde të qarta për fasadat. Kjo situatë vakumi na ka krijuar një iluzion sigurie: ndërtesat janë të certifikuara, por të paverifikuara plotësisht në performancën ndaj zjarrit, dhe për pasojë në praktikë dominojnë zgjidhjet më ekonomike: materiali më i lirë, jo ai më i sigurt.

Në vend që të adresohet ky boshllëk, kreu i qeverisë tenton ta zhvendosë fokusin drejt sigurimit privat të banesës në rast fatkeqësish natyrore, duke u distancuar nga përgjegjësia si pjesë e zinxhirit vendimmarrës për këto ndërtime, përmes KKTU-së. Por “fatkeqësitë natyrore” nuk janë realisht “fatkeqësi”; ato janë fenomene të njohura të qytetit. Që nga antikiteti, zjarret kanë qenë pjesë e jetës urbane. Shteti modern e ka adresuar parandalimin e zjarrit – pasojat e të cilit me të drejtë i quajmë fatkeqësi – përmes shërbimeve publike: zjarrfikësve, policisë, ambulancave dhe ndërhyrjes së shpejtë. Qeveritë ndërtojnë kuadrin normativ, institucionet e varësisë atë rregullator, ndërsa bashkitë garantojnë zbatimin. Kjo hallkë sot është e dobët dhe, nga qëndrimet publike, nuk duket se ka kush vullnet për ta forcuar.

Dhe vijmë te rreziku i këtij vullneti të munguar.

Rreziku bëhet edhe më kritik në modelin e shumëpromovuar të zhvillimit vertikal. Në ndërtesat mbi 10 kate, përhapja e zjarrit në fasadë është më e shpejtë dhe më e vështirë për t’u kontrolluar. Ndërkohë, shkallët zjarrfikëse janë më të ulëta sesa ndërtesat e tipit kullë që po ndërtohen (kujto: kemi mbi 140 leje të tilla vetëm në Tiranë, miratuar nga KKTU-ja). Pra kemi një qytet që ndërton më lart, por nuk ndërton më sigurt. Përkundrazi, siguria po transferohet nga detyrim i autoritetit ndaj publikut te individi përmes sigurimit privat. Pra shteti nuk mban përgjegjësi se çfarë fatkeqësish mund të shkaktojnë masat e munguara të sigurisë.

Megjithatë, debati publik kërkon një fajtor të thjeshtë – një material apo një ndërtues – si alibi për të shmangur analizën reale (kujto Populitin e Teatrit Kombëtar, të cilit iu mvesh shumëçka). Sepse problemi nuk është një fasadë apo një zjarr i izoluar, por një sistem i tërë infrastrukturor dhe institucional që nuk i përgjigjet qytetit që po ndërtohet. Për këtë përgjegjësia është e shpërndarë në zinxhir, duke mos përjashtuar autoritetet që japin leje: Bashkinë e Tiranës dhe Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).

Në fund, çështja që shmanget është kjo: kemi një qytet që po zhvillohet përtej kapaciteteve të veta për t’u mbrojtur.

Video

E ke tepruar pak me këto vetëpërjashtime doktor…

Me ardhjen e PD-se ne pushtet ky pret leket e ish të persekutuarve

Rikthimi i diktorit e vetmja gjë që na mban gjallë

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme