Politika 27 June 2025, 15:22 Nga VNA

Kryebashkiaku i Tiranës ‘lufton’ akuzat për korrupsion me fushatë PR-i në TikTok

Ndaje në Whatsapp
Kryebashkiaku i Tiranës ‘lufton’ akuzat për korrupsion me

Kur Erion Veliaj u arrestua për korrupsion, ai fillimisht e sulmoi drejtësinë. Tani po zhvillon një fushatë joshjeje në rrjetet sociale për të fituar simpatinë e publikut. A do të funksionojë?

Erion Veliaj nuk ka qëndruar i heshtur që prej arrestimit të tij në shkurt të këtij viti nën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Por këtë javë, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe aleati i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, ka bërë më shumë zhurmë se kurrë për të mbrojtur veten.

Të martën u publikua një raport nga dy studio ligjore të profilit të lartë – Kasowitz me seli në New York dhe Mishcon de Reya me seli në Londër, që e dënojnë paraburgimin e tij të vazhdueshëm si “të padrejtë”, duke e përshkruar si një “shkelje të mundshme të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të parimeve të procesit të rregullt ligjor sipas kushtetutës dhe ligjeve të Shteteve të Bashkuara”.

Raporti pretendon se Veliaj është arrestuar nga Gjykata kundër Korrupsionit në Shqipëri “pa asnjë vlerësim domethënës nëse paraburgimi i tij është i nevojshëm, proporcional apo i arsyeshëm, dhe pa marrë në konsideratë alternativa të tjera ndaj paraburgimit”.

Nuk është e qartë sa ka kushtuar kjo përpjekje për Veliajn; tarifat në studion Kasowitz – që ka pasur si klientë Donald Trump dhe Robert De Niro – variojnë nga 500 deri në 1,950 dollarë për orë, me një pagesë paraprake fillestare prej 300,000 dollarësh. Mishcon de Reya ndërkohë përfaqësoi Princeshën Diana gjatë divorcit të saj nga Princi Charles. Media shqiptare ka spekuluar se fatura mund të mbulohet nga vëllai i Veliajt, Arber, i cili zotëron disa kompani dhe nuk përballet me akuza.

Ndërkohë, Veliaj ka mbushur Facebook-un dhe TikTok-un me postime që lavdërojnë arritjet e tij si kryebashkiak i Tiranës, duke listuar projektet e përmirësimit të parqeve, pishinave dhe këndeve të lojërave të qytetit.

Këtë javë ai i ftoi ndjekësit e tij të “rifreskojnë kujtesën pak për sa shumë është ndryshuar Tirana”.

“Të gjitha këto i kemi bërë së bashku!”, shpall ai.

Një kryebashkiak dhe ‘babi’ i përulur

Veliaj ishte një nga figurat në ngjitje të Partisë Socialiste përpara se të arrestohej më 10 shkurt me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Prokurorët pretendojnë se ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 1.1 milionë euro në lidhje me nëntë kontrata publike apo leje ndërtimi të firmosura prej tij. Gjykata vendosi ta mbante në paraburgim gjatë hetimeve dhe një gjykatë apeli rrëzoi kërkesën për lirim me kusht.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ka masë sogurie për akuza të ngjashme për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Të dy i kanë mohuar akuzat.

Që në fillim të hetimeve, Veliaj ka përdorur rrjetet sociale për të kundërshtuar akuzat, duke sulmuar prokurorin dhe gjyqtarin e çështjes. Ai e ka quajtur çështjen kundër tij “një inskenim të shëmtuar dhe farsë të rrezikshme” dhe e ka përshkruar prokurorin si “vrasës me pagesë”.

Ai është akuzuar gjithashtu se ka orkestruar një fushatë propagandistike përmes miqve të tij në media për të sulmuar kundërshtarët në sistemin e drejtësisë.

Por kohët e fundit Veliaj e ka ndryshuar tonin, nga agresiv në humoristik, duke synuar të promovojë një imazh simpatik dhe profesional.

Megjithëse TikTok është i ndaluar prej një viti në Shqipëri nga qeveria e mentorit të tij Rama, Veliaj e ka përdorur këtë platformë për të publikuar video ku thekson humorin e tij, përfshirë një postim që e përshkruan arrestimin e tij si “një film legjendar”.

“Njerëzit pyesin nëse burgu më ka ndryshuar, por unë gjithmonë kam qenë një kryetar babi i përulur, dhe shërbimi për të tjerët ka qenë gjithmonë gjuha ime e dashurisë,” shkruan ai në një tjetër video në TikTok.

Por ekspertët politikë në Tiranë janë skeptikë ndaj kësaj fushate joshjeje.

“Meqë strategjia me tone të forta dhe shantazh politik, e artikuluar brutalisht pas arrestimit, nuk funksionoi, Veliaj po mendon që të mos fokusohet më te aktorët politikë apo te prokuroria si shënjestër, por te publiku,” tha për BIRN analisti politik Ergys Mertiri.

Sipas Mertirit, strategjia e Veliajt – përmirësimi i imazhit për të ushtruar presion publik ndaj gjykatës që të mos e dënojë rëndë, tregon se ai e ka pranuar fatin e tij.

“Kjo tregon se Veliaj ka kapitulluar. Ai nuk kërkon më të shpëtojë, por të minimizojë dënimin,” u shpreh ai.

Rigels Xhemollari, ekspert politik dhe drejtues i organizatës Qëndresa Qytetare, mendon se fushata e PR-it nuk do të ketë sukses “sepse organet hetimore kanë treguar prej kohësh që nuk ndihen të kërcënuara nga media, e aq më pak nga postimet në TikTok”.

Pavarësisht mendimeve të ekspertëve, kryebashkiaku i burgosur nuk po kursehet për të siguruar lirinë.

Një media me qendër në Tiranë, Shteg.org, raportoi këtë javë se Veliaj ka kontraktuar gjithashtu një agjenci britanike PR të quajtur Kendal Global Advisory që të punojë për të.

BIRN i dërgoi një kërkesë për koment kompanisë për të verifikuar nëse Veliaj ose vëllai i tij janë klientë, por deri në kohën e publikimit nuk ka marrë përgjigje. Pretendimi nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur./BIRN/

 

Video

San Marino ka befasuar Shqipërinë në Tiranë, duke gjetur golin e barazimit në minutën e 66-të të sfidës së vlefshme për Nations League. Kuqezinjtë kryesonin 1-0 që prej minutës së 11-të, falë një goditjeje të fuqishme nga distanca të Kristjan Asllanit, por miqtë shfrytëzuan një moment pakujdesie të mbrojtjes shqiptare për të vendosur baraspeshën. Pas një krosimi në zonën e Shqipërisë, Lazzari u gjend i lirë dhe goditi me të djathtën, duke mposhtur portierin Dajsinani dhe duke shënuar për 1-1. Goli i San Marinos erdhi në një moment kur Shqipëria po kërkonte të shtonte avantazhin. Trajneri kishte ndërhyrë edhe nga stoli, duke aktivizuar Mehmetin në vend të Muçit dhe Uzunin në vend të Hoxhës.

Shqipëria fiton me dramë ndaj San Marinos, Asllani vendos ndeshjen në minutën e 93-të Shqipëria ka triumfuar 2-1 ndaj San Marinos në Tiranë, duke siguruar fitoren vetëm në minutat shtesë. Kristjan Asllani kaloi kuqezinjtë në avantazh në minutën e 11-të me një goditje të fuqishme nga distanca, ndërsa Lazzari barazoi për San Marinon në minutën e 66-të. Kur sfida po shkonte drejt barazimit, pas ndërhyrjes së VAR-it Shqipëria fitoi një penallti. Asllani u tregua i saktë në minutën e 93-të, duke vulosur rezultatin 2-1. Një fitore e vuajtur për kuqezinjtë, të cilët marrin tri pikët dhe vendin e parë në Grupin C1.

Shqipëria ka kaluar në avantazh 1-0 ndaj San Marinos, në sfidën e vlefshme për Nations League. Goli i kuqezinjve u realizua në minutën e 11-të nga Kristjan Asllani, i cili lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke e dërguar topin në rrjetë. Kombëtarja shqiptare e nisi në sulm takimin dhe krijoi disa raste të tjera për shënim. Në minutën e 22-të, Rey Manaj iu afrua golit të dytë, por goditja e tij brenda zonës u ndal nga shtylla. Kuqezinjtë kërkojnë fitoren dhe një rezultat bindës ndaj San Marinos, skuadër të cilën e kanë mposhtur në të pesta përballjet e mëparshme.

Ndeshja miqësore mes Serbisë U21 dhe Rusisë U21, e fituar 2-1 nga serbët, u shoqërua me tensione të forta në pjesën e dytë. Në minutën e 68-të, një përplasje mes Mikhail Umnjikovit dhe Matija Mitrovic u përshkallëzua në shtyrje dhe goditje, duke përfshirë edhe lojtarë të tjerë të dy skuadrave. Pas qetësimit të situatës, arbitri ndëshkoi Umnjikovin me karton të kuq, ndërsa Mitrovic mori kartonin e dytë të verdhë dhe u largua gjithashtu nga fusha.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme