Sociale 20 Prill 2025, 15:50 Nga VNA

Kriza kulturore në Shqipëri, lufta për të mbushur sallat me të rinj

Ndaje në Whatsapp
Kriza kulturore në Shqipëri, lufta për të mbushur sallat me

Të rinjtë shqiptarë janë të gatshëm të shpenzojnë kohë e para çdo ditë në kafene, por kur bëhet fjalë për koncerte apo shfaqje kulturore, entuziazmi i tyre zbehet. Edhe pse vitet e fundit kanë ardhur artistë ndërkombëtarë dhe janë organizuar evente cilësore, pjesëmarrja mbetet e ulët, kryesisht për shkak të fuqisë së kufizuar blerëse dhe mungesës së një kulture të konsoliduar të konsumit artistik.

Edhe çmimet e arsyeshme të biletave perceptohen si barrë, ndërsa një natë në lokal shihet si shpenzim i zakonshëm. Ky paradoks, sipas ekspertëve të fushës, tregon nevojën për ndryshime të thella në qasjen ndaj kulturës dhe artit, duke krijuar stimuj që i bëjnë shfaqjet artistike po aq tërheqëse dhe të natyrshme sa një kafe e përditshme.

Ndërsa drita në qendrën e Tiranës filloi të zbehej dhe rrugët u mbushën me njerëz që kërkonin argëtim në kafenetë dhe klubet e qytetit, Klodi, një student 22-vjeçar, zgjodhi një rrugë të ndryshme. Ai shkoi në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku po vihej në skenë opera “Aida” e Xhuzepe Verdit.

Kur hyri në teatër, Klodi u ndie i vetmuar midis një pjesë të madhe të audiencës që përbëhej kryesisht nga më të rritur. Megjithatë, kur u përpoq të ftojë miqtë për ta shoqëruar, përgjigjet që mori ishin të njëjta: “Opera? Jo faleminderit, nuk është për mua”.

Ndërsa dritat u fikën dhe orkestra filloi të luante notat e para të “Aida”, Klodi e ndjeu veten të zhytur në një botë tjetër. Por pyetja mbeti ende: Pse ka kaq pak të rinj të interesuar për shfaqet kulturore në vend? Dhe çfarë mund të bëhet për të ndryshuar këtë realitet?

Në vitet e fundit, operatorët dhe institucionet kulturore po vërejnë një rënie të qëndrueshme të pjesëmarrjes së të rinjve në shfaqjet kulturore, veçanërisht në ato të mëdha si koncertet, shfaqjet teatrale dhe festivalet. Sipas Klodian Makashit, CEO i Morph Group- një grup kompanish të specializuara në organizimin e eventeve kulturore dhe menaxhimin e shitjes së biletave – “një nga arsyet kryesore është kostoja e lartë e biletave, e cila është pasojë e shpenzimeve të mëdha të organizimit”.

Si rezultat, eventet kulturore po humbasin një pjesë të rëndësishme të audiencës, ndërsa të rinjtë po zgjedhin alternativa më të lira, si platformat dixhitale dhe aktivitetet në internet. Sipas të dhënave të Vivere Ticketing, platformës më të madhe të shitjes së biletave në Shqipëri, grupmosha 25-40 vjeç është më aktive në ndjekjen e eventeve kulturore dhe koncerteve, duke përbërë 43.64% të audiencës totale.

Megjithatë, të rinjtë 18-25 vjeç përbëjnë 31.36%, një përqindje e rëndësishme, por me potencial të madh për rritje. Në anën tjetër, grupmosha mbi 40 vjeç përfaqëson 24.99%, duke treguar një pjesëmarrje më të ulët por ende domethënëse.

Pse të rinjtë 18-25 vjeç janë më pak të përfaqësuar?

Një arsye që step të rinjtë lidhet me kostot e biletave: Shumica e të rinjve në këtë moshë janë studentë ose të rinj me të ardhura të kufizuara dhe çmimet e biletave mund të jenë pengesë e madhe. Por sipas vëzhgimeve në treg, çmimet e biletave në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në Europë. Çmimi për një biletë fillon nga 10-15 euro (early bird) deri në 20 euro për zonën e parë dhe mund të arrijë deri në 200 euro për zonat VIP.

Kjo larmishmëri në çmime ndikohet edhe nga vendndodhja në arenën e koncertit. Çmimi mesatar i biletave për eventet më të mëdha jashtë Shqipërisë varion nga 150-200 euro, në varësi gjithnjë të artistit dhe eventit. Sigurisht, ka raste kur biletat kushtojnë edhe 20-50 euro, por në shumicën e koncerteve kryesore, çmimet janë rritur ndjeshëm pas pandemisë.

“Kjo rritje nuk është organike, por kryesisht e diktuar nga një garë mes artistëve për të rritur fitimet nga turnetë e tyre”- thotë Makashi.

Por nëse çmimet janë më të lira se në Europë, pse pjesëmarrja në koncerte është kaq e ulët në Shqipëri? Sipas Klodian Makashit, CEO i Morph Group, tregu shqiptar ende nuk ka arritur të krijojë një bazë të qëndrueshme pjesëmarrësish që mund të mbështesin financiarisht organizimin e koncerteve të mëdha.

“Në tregjet e konsoliduara, ku stadiumet mbushen me 50,000 spektatorë dhe çmimi mesatar i një bilete është 50 euro, të ardhurat totale nga biletat, konsumi dhe sponsorët mund të arrijnë mbi 3 milionë euro, duke e bërë të përballueshme sjelljen e artistëve të njohur. Në Shqipëri, edhe me një stadium plot, çmimi maksimal i përballueshëm për një biletë është 15-20 euro, çka e kufizon buxhetin në 300-500 mijë euro.

Kjo krijon një rreth vicioz: të rinjtë kërkojnë artistë të mëdhenj, por nuk kanë mundësi të paguajnë çmimet e nevojshme për t’i sjellë, ndërsa alternativat më të lira nuk i tërheqin. Megjithatë, me rritjen graduale të tregut, synojmë të krijojmë një bazë prej 20,000-30,000 njerëzish të gatshëm të paguajnë 50-100 euro për një koncert, duke e bërë tregun më të qëndrueshëm”, thotë Makashi.

Pse nuk vijnë artistë të mëdhenj

“Në tregjet e konsoliduara, ku stadiumet mbushen me 50,000 spektatorë dhe çmimi mesatar i një bilete është 50 euro, të ardhurat totale nga biletat, konsumi dhe sponsorët mund të arrijnë mbi 3 milionë euro, duke e bërë të përballueshme sjelljen e artistëve të njohur. Në Shqipëri, edhe me një stadium plot, çmimi maksimal i përballueshëm për një biletë është 15-20 euro, çka e kufizon buxhetin në 300-500 mijë euro. Kjo krijon një rreth vicioz: të rinjtë kërkojnë artistë të mëdhenj, por nuk kanë mundësi të paguajnë çmimet e nevojshme për t’i sjellë, ndërsa alternativat më të lira nuk i tërheqin. Megjithatë, me rritjen graduale të tregut, synojmë të krijojmë një bazë prej 20,000-30,000 njerëzish të gatshëm të paguajnë 50-100 euro për një koncert, duke e bërë tregun më të qëndrueshëm”.

Kur brenda neglizhohet, jashtë vlerësohet

Në Shqipëri, ekziston një paradoks i pazakontë: ndërsa pjesëmarrja në aktivitete kulturore brenda vendit mbetet e ulët dhe shumë njerëz hezitojnë të shpenzojnë për koncerte apo teatro, interesi për të ndjekur artistë ndërkombëtarë jashtë vendit është në rritje. Shqiptarët priren gjithnjë e më shumë të investojnë në paketa turistike që përfshijnë bileta për evente të mëdha muzikore dhe kulturore nëpër Europë.

Sipas Marsel Kalemit, administratorit të “Kalemi Travel”, kërkesat për ndjekjen e koncerteve jashtë vendit po rriten ndjeshëm nga viti në vit. Shqiptarët po udhëtojnë drejt qyteteve si Parisi, Roma, Praga dhe Stambolli për të ndjekur live emra të njohur si Ed Sheeran, Dua Lipa, Katy Perry dhe Andrea Bocelli.

Grupmosha më e interesuar për paketa udhëtimi që përfshijnë koncerte është ajo nën 45 vjeç, duke treguar një prirje të fortë të të rinjve për të ndjekur artistët e tyre të preferuar jashtë vendit.

Megjithatë, ka edhe përjashtim, – shprehet Kalemi.

“Në rastin e koncertit të Andrea Bocelli në Budapest, në kërkesa mbizotëronte mosha mbi 45 vjeç, duke reflektuar një interes të ndryshëm në varësi të artistit dhe llojit të muzikës.

Një rritje në pjesëmarrjen e të rinjve nuk do të thotë vetëm më shumë të ardhura për sektorin kulturor, por edhe një ndryshim në perceptimin e artit dhe kulturës në shoqëri. Vendasit do të fillojnë ta shohin kulturën si një pjesë të rëndësishme të jetës së tyre, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe zhvillimin e një identiteti kulturor më të fortë.

Bryan Adams e shet shtrenjtë Pallatin e Kongreseve

Pavarësisht se shumë artistë nuk pëlqehen nga të rinjtë, ka ende disa emra që arrijnë të tërheqin vëmendjen e kësaj audience, si Bryan Adams, që sipas një vëzhgimi pothuajse i ka shitur të gjitha biletat për koncertin e 2 majit në Pallatin e Kongreseve, megjithëse çmimet varionin nga 7,900-19,000 lekë. Sipas Arnold Kajollit, CEO i “SweetSpot Events”, suksesi i menjëhershëm i shitjes së biletave për koncertin e Bryan Adams nuk lidhet vetëm me popullaritetin e tij, por edhe me një lidhje të veçantë që artisti ka krijuar me publikun shqiptar ndër vite.

“Muzika e tij u bë pjesë e jetës së shqiptarëve në një moment kyç të ndryshimeve shoqërore, duke u kthyer jo vetëm në një element artistik, por edhe në një simbol të një epoke të re.

Kjo lidhje ka sjellë që audienca e tij sot të përbëhet nga dy grupe kryesore: ata që e kanë ndjekur që në kulmin e karrierës dhe sot kanë mundësi ekonomike për të përjetuar emocionet e dikurshme, si dhe një brez më i ri, për të cilin pjesëmarrja në evente të tilla është kthyer në një trend kulturor.

Në këtë kontekst, çmimi i biletës bëhet i parëndësishëm kur përvoja emocionale dhe sociale perceptohet si më e vlefshme se kostoja financiare”- shprehet Kajolli.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në aktivitetet kulturore

Ndërsa shoqëria shqiptare evoluon, kultura dhe arti mbeten një sektor kyç për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit. Sipas raportit të fundit për statistikat kulturore të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), i publikuar në vitin 2024 dhe që pasqyron të dhënat për vitin 2023, pjesëmarrja e shqiptarëve në aktivitetet kulturore me pagesë është ende në nivele të moderuara.

Sipas të dhënave të INSTAT, 29.8% e individëve mbi 16 vjeç raportuan se kanë marrë pjesë të paktën në një aktivitet kulturor me pagesë në vitin 2023. Një dallim i qartë vërehet në bazë gjinore. Burrat tregojnë një prirje më të lartë për të ndjekur aktivitete kulturore në krahasim me gratë. Përkatësisht, 31.3% e burrave kanë marrë pjesë në një aktivitet kulturor, krahasuar me 28.4% të grave. Këto të dhëna sugjerojnë një hendek gjinor të lehtë në ndjekjen e aktiviteteve artistike dhe kulturore.

Përdorimi i internetit për aktivitete kulturore sipas grupmoshës

Sipas raportit të INSTAT, të rinjtë e grupmoshës 16 deri në 24 vjeç e përdorën më shumë internetin për të gjitha aktivitetet kulturore. Grupmosha 25-54 vjeç dhe 55-74 vjeç e përdorën më shumë internetin për aktivitetin “Komunikimi me mesazhe të shkruara (Skype, Messenger apo WhatsApp)”, përkatësisht 95,7% dhe 77,6%. Rreth 75,6% e grupmoshës 25-54 vjeç përdorën më pak internetin për aktivitetin “Leximi i lajmeve në gazeta, revista në internet”, ndërsa 51,9% e grupmoshës 55-74 vjeç e përdorën më pak internetin për aktivitetin “Pjesëmarrja në rrjetet sociale”.

Hapat e nevojshëm për ndryshim

“Për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në aktivitetet kulturore, organizatorët dhe shteti duhet të ofrojnë më shumë mbështetje financiare dhe të lehtësojnë barrën fiskale”, pohon Makashi.

“Shteti mund të ndihmojë duke subvencionuar organizatorët me grante, duke investuar në hapësira të reja kulturore dhe duke forcuar edukimin artistik të brezave të rinj. Krijimi i sallave të mëdha për evente dhe zhvillimi i qendrave kulturore do të ndihmonte në rritjen e një audiencë të qëndrueshme”.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ka ndarë 124,396,300 lekë për projekte që synojnë të rinjtë në vitin 2024. Nga 201 projekte të financuara, 63 projekte (31.3%) janë përqendruar në angazhimin e rinisë, duke përfshirë mbështetje për 119 shoqata dhe 82 individë. Kjo tregon një përpjekje për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në aktivitete kulturore dhe artistike.

Në vitin 2024, MEKI ka investuar në më shumë se 20 projekte të mëdha për infrastrukturën kulturore, duke përfshirë rikonstruksionin e Teatrit Kombëtar, ndërtimin e ARTURBINA, restaurimin e Mozaikut të Tiranës dhe Muzeut Kombëtar të Përgjimeve, si dhe projekte të tjera në Tiranë dhe në të gjithë vendin. Këto investime synojnë ruajtjen e trashëgimisë dhe krijimin e hapësirave moderne për artin dhe kulturën.

Një tjetër faktor pengues janë taksat e larta mbi industrinë, si 15% Tatimi në Burim për artistët dhe 20% TVSH mbi biletat. Këto e bëjnë pjesëmarrjen më të shtrenjtë dhe ulin numrin e spektatorëve, duke dëmtuar edhe organizatorët. Sipas përfaqësuesve nga “Vivere ticketing”, “zgjidhja mund të vijë përmes heqjes së këtyre taksave dhe krijimit të një skeme subvencionimi për të rinjtë, si një kartë vjetore me një bonus kulturor prej 100 eurosh për pjesëmarrjen në evente.

Këto masa do të ndihmonin në zhvillimin e tregut kulturor dhe në përfshirjen më të gjerë të të rinjve në aktivitetet artistike”. Dhe në Shqipëri, një kartë e ngjashme me këtë është ajo e studentit që lehtëson sado pak kostot e të rinjve për aktivitetet kulturore

Karta e Studentit, e drejtë e paaksesueshme

Në Shqipëri, studentët që posedojnë Kartën Ndërkombëtare të Studentit (ISIC) përfitojnë zbritje të konsiderueshme për hyrjen në institucionet kulturore dhe artistike. Konkretisht, ata mund të hyjnë në muze publike me një zbritje prej 70%, ndërsa për teatrot, operën, cirkun dhe institucionet e tjera të kulturës, tarifa e reduktuar arrin 50%. Këto përfitime vlejnë për: Megjithatë, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, ku studentët shpesh përfitojnë hyrje falas në muze dhe site arkeologjike (si në Greqi) ose zbritje më të larta për aktivitetet kulturore, Shqipëria mbetet ende prapa në këtë aspekt.

Për shembull, në Greqi dhe disa vende të BE-së, hyrja në institucionet kulturore për studentët është e lirë ose me një tarifë simbolike, ndërsa në vende si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kroacia, zbritjet variojnë nga 25% deri në 50% për muze dhe teatro. Ky krahasim tregon se, ndonëse Shqipëria ka bërë hapa për të lehtësuar aksesin e studentëve në kulturë, ka ende hapësirë për përmirësim, duke ndjekur modelet e vendeve fqinje që ofrojnë përfitime edhe më të mëdha./ Monitor

Video

?Kryeministri i Spanjës shpall embargo të plotë armësh ndaj Izraelit dhe e cilëson sulmet ndaj palestinezëve si ‘gjenocid’ "Ajo që po bën Izraeli nuk është vetëmbrojtje," por "shfarosje e një populli të pambrojtur dhe shkelje e ligjeve të së drejtës humanitare." Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka njoftuar sanksione të reja për të frenuar “gjenocidin” që po ndodh në Gaza. Ky hap i ri (jo një ndryshim drejtimi, duke marrë parasysh rolin që luan Spanja në dënimin e veprimeve të Izraelit) është si në aspektin narrativ — tani edhe qeveria spanjolle flet hapur për “gjenocid” — ashtu edhe në aspektin praktik, me kreun e qeverisë që ka njoftuar miratimin e afërt të një dekreti që formalizon atë që në praktikë ishte në zbatim prej kohësh: embargo të plotë për blerjen dhe shitjen e armëve me Izraelin. Përveç kësaj, lideri socialist ka shpallur edhe tetë masa të tjera. Ndërhyrja e Sánchez filloi duke kujtuar “vuajtjen” e popullit hebre, Holokaustin dhe “persekutimet” ndaj tij gjatë historisë, duke ritheksuar gjithashtu dënimin ndaj Hamasit. Por “me të njëjtën bindje, qeveria e Spanjës beson se një gjë është të mbrosh vendin tënd dhe një tjetër, krejt ndryshe, është të bombardosh spitale dhe të vrasësh nga uria fëmijë të pafajshëm. Kjo” — shtoi ai gjatë një konference për shtyp në Moncloa, parlamentin e Madridit — “është një sulm i pajustifikueshëm kundër popullsisë civile, të cilin raportuesi i Kombeve të Bashkuara e përkufizon si gjenocid. 60 mijë të vdekur, dy milionë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, gjysma prej të cilëve fëmijë.” Më pas ai kritikoi hezitimin e disa vendeve evropiane, si Italia, të cilat ende nuk kanë vendosur embargo për armët apo nuk janë shprehur në favor të njohjes së shtetit të Palestinës, një propozim që Madridi e ka përqafuar i pari në Evropë: “Fuqi të mëdha përfundojnë të bllokuara mes indiferencës dhe bashkëfajësisë.”

Një masiv pyjor në zonën e Bushtricës, Kukës, u përfshi nga flakët mesditën e sotme. Për shuarjen e zjarrit u angazhuan rreth 60 punonjës nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë Kukës, administrata e pyjeve, shërbimet publike dhe policia bashkiake, të mbështetur edhe nga grupe vullnetarësh. Burime bëjnë të ditur se terreni i vështirë nuk ka lejuar ndërhyrjen me automjete zjarrfikëse, megjithatë punonjësit në terren po vijojnë punën intensive për izolimin e vatrës.

Momenti i arrestimit të Rakip Gilës nga policia. Pasi kreu masakrën me dy të vrarë dhe dy të plagosur, ai u largua në këmbë për afro 300 metra në drejtim të Urës së Trenit. Atje ka grabitur një automjet duke i vënë armën në kokë drejtuesit të makinës. Në tentativë për të ikur ka bërë një aksident në zonën e Sarreqit. Ai u prangos poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir. Në ngjarje mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa Erogen Vaso (Brajoviq) dhe Meri Kaceri u plagosën.

Tronditet Shkodra. Qëllohet me breshëri kallashnikovi në brendësi të një lokali ngjitur me Bashkinë. Mbetet i vrarë Armando Pali ndërsa plagoset Erogen Vaso alias Brajoviq. Vaso është vëllai i Denis Brajoviq i klanit Bajri. Policia arreston autorin e dyshuar. Detajet në përditësim.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme