Politika 12 Qershor 2025, 10:41 Nga VNA

Ilir Rusmali dhe beteja e PD në KAS. Pse e sulmon opozita ish ministrin e saj?

Ndaje në Whatsapp

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, PD nisi ankesat për vjedhjen e votave nga mazhoranca. Por u deshën të kalonin disa javë që partia më e madhe në opozitë të niste betejën ligjore në KAS. Dhe këtu ajo ka dy përfaqësuesit e saj Ledio Braho dhe Elvis Cefa, ndërsa dy të tjerë janë zyrtarisht dhe politikisht të PS. Megjithatë, problemi më i madh i përfaqësuesve të PD, përfshirë dhe kryetarin e saj, ishte dhe vazhdon të jetë anëtari i pestë i KAS, Ilir Rusmali.

Ndërsa me përfaqësuesit e PS duket herë pas here ata të PD e gjejnë gjuhën e përbashkët, me Rusmalin e kanë “luftën” të hapur. Pas akuzave të Sali Berishës, kërkesës së Gaz Bardhit për largim, së fundmi Oerd Bylykbashi e ka akuzuar Ilir Rusmalin si anëtarin e tretë të PS në KAS.

Por si qëndron e vërteta? Për këtë le të bëjmë pak retrospektivë, kur u zgjodhën anëtarët e KAS nga parlamenti.

Menjëherë pas reformës zgjedhore të vitit 2020, parlamenti duhet të përzgjidhte kandidaturat që do të emëroheshin në funksionin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, si anëtarë të Komisionit të Sanksioneve dhe Komisionit Rregullator. Kodi Zgjedhor nuk parashikon përfaqësim apo kuota përfaqësimi nga subjektet zgjedhore. Të gjithë që besonin se plotësonin kriteret mund të konkurronin për 11 postet e reja të krijuara nga Kodi Zgjedhor. Ilir Rusmali, në atë kohë ekspert i Komisionit të Reformës Zgjedhore, kandidoi si shumë të tjerë për funksionin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Në seanca dëgjimore publike u dëgjuan të gjitha kandidaturat. Për ata që e kujtojnë në kohën kur ndodhte përzgjedhja, opozita e Sali Berishës dhe e Bashës kish djegur mandatet. Ndaj votat në sallë nuk i kontrollonte Berisha. Grupi parlamentar i PD kishte përfaqësuesin e vet më të zëshëm, Myslym Murrizin, që mbante edhe postin e Nënkryetarit të Kuvendit. Në Kuvend u krijua Komisioni i Posaçëm për përzgjedhjen e kandidaturave për postet e reja të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rama pranoi rolin e opozitës jashtë parlamentare dhe i njohu asaj opozite të drejtën të përfaqësohej në Komisionin e Posaçëm me një të dërguar të posaçëm. Si i posaçëm në Komisionin e Posaçëm u dërgua Oerd Bylykbashi.

Kodi nuk parashikonte propozime të kandidaturave nga subjektet politike, por i dha të drejtën opozitës së posaçme të Sali Berishës që nga 3 kandidaturat e përzgjedhura nga Komisioni i Posaçëm për postin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, të skualifikonte vetëm një. Në atë Komision, Myslym Murrizi votoi kundër kandidaturës së Celibashit. Pro kandidaturës së Rusmalit votoi Myslym Murrizi dhe gjithë anëtarët e tjerë të Komisionit të Posaçëm.

Dispozita që i jepte të drejtë Berishës që të skualifikonte një nga 3 kandidaturat që do përzgjidhte Komisioni i Posaçëm, u përfshi në Kod nga Oerd Bylykbashi dhe Damjan Gjiknuri, pasi u duk qartë vullneti i Ilir Rusmalit për të kandiduar për postin e Komisionerit.

Pasi u duk qartë edhe vullneti i gjithë anëtarëve të Komisionit për të votuar pro kandidaturës së Rusmalit, Berishës i duhej të merrte masat e veta. Si politikan, Ilir Rusmali u përjashtua de facto nga mundësia për t’u rizgjedhur deputet kur Berisha në 2013 e vendosi atë në vendin e 18 në listën e Tiranës.

Ilir Rusmali nuk foli kurrë publikisht për arsyet e ndarjes së tij me Berishën, dhe kjo mbase edhe për shkak të një kodi personal që nuk i parashikonte atij qarjen në publik. Për fat, koha nxorri në shesh qëndrime dhe dokumenta për pozicione dhe qëndrime që folën më shumë sesa do kish dashur Rusmali të flitej për të.

Në 7 vitet që pasuan pas vitit 2013, Rusmali ndoqi rrugën e vet jashtë politikës dhe shumë rrallë pati pak dalje publike deri në vitin 2015, deri në ditën që vendosi të kandidojë për postin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Një garë nga e cila e skualifikoi Sali Berisha nëpërmjet të posaçmit të vet në Komisionin e Posaçëm.

Në atë kohë, Lulzim Basha mbante ende postin e Kryetarit të Partisë, por porosia dhe motivet e skualifikimit të Rusmalit ju përcollën Lulzim Bashës nga Oerd Bylykbashi. Në një takim prej më pak se 15 minutash të zhvilluar në Zyrën e Bashës, Bylykbashi përcolli motivet që bënin të domosdoshëm skualifikimin e Rusmalit. Dhe motivi ishte sa absurd, aq domethënës!

Berisha e dinte që, në rast të humbjes së zgjedhjeve, Rusmali do të ishte dorë e fortë ligjore dhe zë i fortë publik për të treguar të vërtetën dhe jo për t’u përdorur si megafon. Sali Berisha e kishte të qartë se PD-së do t’i rrëzohej “kauza” e denoncimit të zgjedhjeve nëse Kuvendi emëronte Komisioner Rusmalin.

Madje, asokohe ishte Oerd Bylykbashi që insistonte të sqaronte se nëse ata nuk e skualifikonin, Rama do emëronte Rusmalin si Kryekomisioner. Logjika e Gazmend Bardhit “për ne nuk ka rëndësi se kë emëron Rama, ka rëndësi kë skualifikojmë ne”, nuk lëkundte dot vendimin e Berishës.

Tentativa e fundit mbeti presioni ndaj Rusmalit që ai të tërhiqej nga gara. Këtij presioni i shërbeu publikimi i një fotoje në kafe e Rusmalit me bashkëkryetarin e Reformës zgjedhore, Damjan Gjiknuri. Një nga metodat e zakonshme të përdorura për sulme ndaj integritetit personal dhe profesional. Gjë që, në fakt, nuk e pengoi Ilir Rusmalin të kandidonte dhe, me mbështetjen e opozitës që kishte votat në Kuvend, u emërua anëtar i KAS.

Në vitin 2024, ndryshimet që ju bënë Kodit Zgjedhor, zgjatën mandatin e anëtarëve ekzistues të KAS deri në vitin 2029. Berisha, me sa duket, kish ndërruar strategji! Pasi për 5 vite fabrikoi armikun e brendshëm në KAS, njeriun për shkak të të cilit PD merrte pak e më pak vota në elektorat, kish vendosur që armiku do i duhej po aty të paktën edhe për 4 vite të tjera. Si duket, projeksionet e bëjnë të domosdoshëm edhe për 4 vitet që vijnë armikun e brendshëm në KAS.

Dhe të mos harrojmë, bëhet fjalë për Ilir Rusmalin, ish-këshilltar i Sali Berishës, ish-Zëvendëskryeministër i PD, ish-ministër i PD, ish-Kryetar i Komisionit të Ligjeve si deputet i PD. Një nga politikanët e rrallë që, me aktin e dorëheqjes si ministër, i dha një leksion të fortë politikës shqiptare. Leksion, që me gjasë, nuk u mësua sa duhet.

 

Video

Vrasje me armë zjarri në Shkodër. Viktima është identifikuar si Kristian Kola. Sipas policisë vrasja u krye nga dy persona, të veshur me te zeza që lëviznin me motomjet. Policia ka rrethuar zonën. https://www.vna.al/kronika/qellohet-me-arme-zjarri-nje-person-ne-shkoder-i14085

Conor McGregor ka bërë publike ambicien e tij për të kandiduar për President të Irlandës dhe u ka kërkuar ndjekësve të tij në rrjetet sociale të kontaktojnë këshilltarët lokalë për ta ndihmuar të sigurojë nominimin. Ai pretendon se tashmë ka mbështetje nga disa këshilltarë, senatorë dhe madje edhe nga një parti e rëndësishme politike. Në një video të postuar jashtë ndërtesave qeveritare në Dublin, McGregor kritikoi qeverinë për krizën e strehimit dhe për menaxhimin e migracionit, duke u shprehur se "fëmijët irlandezë janë braktisur". Ai e paraqiti veten si një "njeri i orientuar drejt zgjidhjeve" dhe u bëri thirrje këshilltarëve që ndihen të injoruar të qëndrojnë me të. Për t’u futur në fletën e votimit, McGregor ka nevojë për mbështetjen e katër këshillave lokalë ose 20 anëtarëve të Oireachtas. Megjithatë, emri i tij ende nuk është shfaqur në listat zyrtare të kandidatëve që kanë kontaktuar këshillat për nominim. Lajmi vjen në një kohë kur McGregor ka pasur sfida ligjore, përfshirë një vendim gjyqësor që e detyron të paguajë 250,000 euro dëmshpërblim për një rast sulmi ndaj një gruaje në një hotel në Dublin. https://www.vna.al/bota/mcgregor-lobon-per-nominim-ne-zgjedhjet-presidenciale-kerkon-ndihme-nga-ndj-i14079

Gjibraltar-Shqipëri 0-1 Shqipëria ka kaluar në avantazh në minutën e ‘69. Jasir Asani ekzekutoi me saktësi penalltinë që iu akordua Shqipërisë pas një prekje me dorë të Pozos.

Gjermani – Automjet përplas grup fëmijësh në Berlin, 19 të plagosur Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të enjte në Berlin, ku një automjet tip BMW ka përplasur një grup fëmijësh të moshës 7 deri në 8 vjeç, duke lënë të plagosur të paktën 19 persona. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:10, në kryqëzimin e rrugëve Dohnagestell dhe Seestraße, kur mjeti dyshohet se ka humbur kontrollin gjatë një kthese dhe është futur në grupin e fëmijëve që po ecnin së bashku me mësuesit e tyre. Dy nga fëmijët u dërguan me urgjencë në spitalin Virchow, ndërsa një kujdestar raportohet të jetë plagosur rëndë. Autoritetet gjermane konfirmuan se drejtuesi i mjetit, i cili u arrestua në vendngjarje, nuk ka pësuar lëndime. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë shoferin duke u marrë në pyetje nga policia pranë automjetit të tij, i cili kishte pësuar dëmtime në pjesën e përparme.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme