Bota 2 July 2025, 22:59 Nga VNA

Hamas shprehet i hapur për armëpushim, por Netanyahu thotë se ky grup s’ka vend në Gazën e pasluftës

Ndaje në Whatsapp
Hamas shprehet i hapur për armëpushim, por Netanyahu thotë se ky

Hamasi dhe Izraeli shprehën qëndrimet e tyre të mërkurën në prag të bisedimeve mbi thirrjen e Uashingtonit për armëpushim në Rripin e Gazës.

Derisa grupi militant - i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe fuqitë e tjera - la të kuptohej se është i hapur për një marrëveshje, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se “nuk do të ketë Hamas” në Gazën e pasluftës.

Asnjëra palë nuk tha troç se e pranon propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Hamas këmbënguli në qëndrimin e vet të kahershëm se çdo marrëveshje duhet të sjellë përfundimin e luftës në Gazë.

Trump tha të martën se Izraeli ishte pajtuar për një armëpushim 60-ditor në Gazë dhe i bëri thirrje Hamasit ta pranojë marrëveshjen para se të përkeqësohen edhe më shumë kushtet për të.

Presidenti amerikan është duke e rritur trysninë mbi Qeverinë izraelite dhe Hamasin që të arrijnë pajtueshmëri për armëpushim, marrëveshje për pengjet dhe për t’i dhënë fund luftës.

Trump tha se koha prej 60-ditësh do të përdorej për të punuar drejt përfundimit të luftës. Por, Izraeli thotë se nuk do ta pranojë përfundimin e luftës derisa Hamasi të jetë mposhtur.

Trump theksoi se marrëveshja mund të arrihet qysh javën e ardhshme.

Por, reagimi i Hamasit, që theksoi kërkesën e vet për përfundimin e luftës, ngriti pikëpyetje nëse oferta e fundit nga ai mund t’i ndërpresë vërtet luftimet.

Zyrtari i Hamasit, Taher al-Nunu, tha se grupi militant është “i gatshëm dhe serioz për të arritur një marrëveshje”.

Ai theksoi se Hamasi është “i gatshëm ta pranojë çdo nismë që qartazi çon në përfundimin e plotë të luftës”.

Një delegacion i Hamasit pritet të takohet të mërkurën në Kajro me ndërmjetës nga Egjipti dhe Katari për të diskutuar propozimin, sipas një zyrtari egjiptian që foli në kushte anonimiteti.

Mosmarrëveshje mbi mënyrën se si duhet të përfundojë lufta

Gjatë pothuajse 21 muajve të luftës, bisedimet për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar vazhdimisht për shkak të mospajtimeve nëse lufta duhet të përfundojë si pjesë e çdo marrëveshjeje.

Hamasi ka thënë se është i gatshëm t’i lirojë 50 pengjet e mbetura, më pak se gjysma e të cilëve besohet se janë gjallë, në këmbim të tërheqjes së plotë të Izraelit nga Gaza dhe përfundimit të luftës.

Izraeli thotë se do të pajtohet ta përfundojë luftën vetëm nëse Hamasi dorëzohet, çarmatoset dhe largohet në mërgim — diçka që Hamasi s’e pranon.

“Po ju njoftoj – nuk do të ketë Hamas”, deklaroi Netanyahu gjatë një fjalimi të mërkurën.

Një zyrtar izraelit tha se propozimi i fundit parashikon një marrëveshje 60-ditore që do të përfshijë një tërheqje të pjesshme të Izraelit nga Gaza dhe një rritje të ndihmave humanitare në territor.

Ndërmjetësit dhe SHBA-ja do të japin garanci për bisedime për përfundimin e luftës, por Izraeli nuk zotohet për këtë si pjesë e propozimit të fundit, tha zyrtari. Zyrtari nuk ishte i autorizuar të diskutonte detajet e marrëveshjes me median dhe foli në kushte anonimiteti.

Lufta në Gazë nisi kur militantët e udhëhequr nga Hamas sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë thotë se lufta izraelite pas 7 tetorit i ka vrarë mbi 57.000 palestinezë.

Lufta ka shkaktuar gjithashtu krizë urie, ka zhvendosur tërë popullsinë e Gazës dhe ka nxitur akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Izraeli i mohon këto akuza./REL/

 

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme