Politika 5 Qershor 2025, 20:26 Nga VNA

Lubonja kundër projektit të restaurimit: Godinat e rrënuara të Spaçit flasin më tepër se muret e lyera me suva

Ndaje në Whatsapp
Lubonja kundër projektit të restaurimit: Godinat e rrënuara

Shkrimtari Fatos Lubonja është kundër projektit të konservimit dhe restaurimit të ish-Burgut të Spaçit, që nisi zbatim pak ditë më parë nën mbikqyrjen e Institutit të Trashëgimisë Kulturore.

Si ish i përndjekur politik, që vuajti dënimin në kampin burg të Spaçit, Lubonja shprehet se restaurimi monumentit të kulturës duhet të bëhet sipas një qasjeje arkeologjike, duke ruajtur strukturë aktuale të godinave. Në një intervistë për gazetaren e Top Channel, Sara Hila, shkrimtari kujtoi “Planin e Menaxhimit të Burgut të Spaçit”, të miratuar në vitin 2024, ku theksohet se rrënojat dhe strukturat ekzistuese duhet të qëndrojnë në gjendjen që ndodhen.

“Unë jam marrë gjatë me çështjen e Spaçit, me atë se si mund të ruhet Spaçi. Dhe ideja që kam hasur nga specialistë, jo vetëm imja, është ideja që ka dhënë Fondacioni Santagata në Projektin e Menaxhimit, i sjellë nga MEKI, ku përcaktojnë qartë vizionin se si duhet të ruhet. Ata përjashtojnë idenë e kthimit në 1991, është qasje arkeologjike. Pra, rrënojat duhet të ruhen, por duhet të bëhet e aksesueshme, të forcohet që të mos rrënohet më tej. Ndërkohë, muze nuk do të bëhet i gjithë Spaçi. Do të jetë një ndërtesë e re, ku do të jetë e gjithë historia e Spaçit. Se Spaçi nuk ka qenë ai që është tani, as ai në ’91, as ai në ‘73. Ka qenë me baraka fillimisht. Dhe gjithë kjo histori duhet evidentuar me dëshmi të burgosurish, me foto etj. Kjo është pjesa muzeale. Ministra e ka aprovuar vetë këtë vizion të fondacionit Santagata, e ka të aprovuar si plan menaxhimi dhe tani nëpërmjet Institutit të Trashëgimisë Kulturore bën një projekt që i kundërvihet këtij vizioni dhe thotë duhet ta kthejmë siç ka qenë. Aty mund të kthehet siç ka qenë vetëm një qeli, një dhomë, por jo e gjitha. Ndërkohë që ato rrënoja mbajnë historinë, kjo është qasja që thonë dhe italianët: arkeologjike. Kjo është punë specialistësh të kualifikuar, nuk është puna siç e bëjnë këta. Ato ndërtesa, edhe ashtu si janë, flasin më tepër se sa të lyera me suva. Ato kanë histori. Madje, edhe këto 30 vite janë pjesë e historisë, edhe ajo paaftësi e shqiptarëve për t’u ballafaquar me të kaluarën. Se po të kishim një ndjeshmëri më të madhe, do e ruanim si në ‘91. Aty janë bërë masakra. Gjithë kjo masakër është pjesë e historisë, prandaj ruajtja e saj ka shumë vlerë, sikurse e thashë flet më mirë një tullë e asaj kohe ashtu e rrëzuar, se sa një tullë e mbuluar me llaçin e vitit 2025”.

Shkrimtari komentoi dhe planin e regjisorit Namik Ajazi dhe shkrimtarit Visar Zhiti që synojnë të xhirojnë një film pas realizimit të fazës së parë të projektit të restaurimit nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore.

“Siti që është aty flet më shumë se sa ideja që kanë këta, që në fund të fundit është ideja për të bërë një film, për ta përdorur. Duan të bëjnë tarracën siç ka qenë në 73 kur është bërë revolta, por nuk mund të bëhet kjo për një film. Është njësoj si të bësh një film për kohën e Perandorisë Romake dhe ta bësh Koloseun siç ka qenë. Duhet ta ruash, jo ta shkatërrosh. Unë nuk jam kundër filmit, por filmi mund të bëhet me rekuizita, mund të bëhet në një vend tjetër fare dhe të dalë në Spaç. Tarracën mund ta ndërtosh edhe me dërrasa, edhe me efekte, nuk mund të shkatërrosh atje. Imagjino që një vend ku strehoheshin familjet, ata në vend të ruajnë materialin, i kanë futur një suvatim, i kanë bërë një kuadrat nga jashtë. Duhet të ruash materialin mbi të gjitha. Italianët ruajnë edhe gurët e shtëpive kur shemben. Në këtë aspekt, ajo ka autenticitetin ashtu si është. Ato rrënoja mbajnë historinë. Madje, edhe kur kam parë ato skicat për ato karakollët, nuk janë ashtu si kanë qenë. Por, aty duhen edhe tela me gjemba. Karakollin e kanë bërë si të ketë dalë nga një film Hollywood-i. Mund ta bësh identik si ka qenë, por ke fshirë gjithë historinë. Është një temë e hapur, por qasja që mendoj se duhet sipas meje, është ajo arkeologjike”.

Për artistin Fatos Lubonja, është e pamundur të zbehen kujtimet nga burgu, ku të dënuarit politikë detyroheshin të kryenin punë të rëndë dhe liheshin në kushte të këqija, përfshirë mungesën e ushqimit apo dhunën fizike e psikologjike.

“Është çdo ditë me mua në kujtesë dhe në përpunimin që unë i bëj asaj. Çdo ditë që e shkruaj, e rikujtoj. Të shkruarit është rijetim i jetës, por në një formë tjetër, që ti ia transmeton edhe të tjerëve. Unë më të gjallë kam në mendje Spaçin që kam jetuar, e shikoj me tela me gjemba, me karakoll, me të burgosurit… ashtu e përfytyroj. Do ishte mirë të ruhej siç thashë, por edhe shkatërrimi është pjesë e historisë”.

Spaçi ishte një nga burgjet më famëkeqe të diktaturës në Shqipëri, i vendosur në një zonë të thellë malore në veri të vendit, ku të burgosurit detyroheshin të punonin në miniera bakri dhe piriti në kushte ekstreme.

Video

Teksa Orikumi është përfshirë nga flakët, në Pyllin e Sodës janë rrëzuar pishat, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin drejt fshatit të Zvërnecit.

Një vatër zjarri ka shpërthyer në orët e mbrëmjes në Orikum. Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Vlorës, ndërsa për ndihmë kanë shkuar edhe mjete dhe efektivë nga Himara. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit.

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë stuhinë më të fuqishme të dëborës në dhjetë vitet e fundit, e cila ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në furnizimin me energji elektrike dhe në transportin ajror, si dhe ka detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjence në një numër të madh shtetesh. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 130 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa mbi 12 mijë fluturime janë anuluar për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Gjendja e emergjencës është shpallur në 21 shtete, ku autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.

Alpinisti amerikan Alex Honnold ka realizuar një ngjitje historike të dielën, duke u bërë personi i parë që ka shkallëzuar ndërtesën më të lartë të Tajvanit, Taipei 101, pa përdorur litar, parzmore apo rrjet sigurie. Ngjitja u zhvillua në kushte të kontrolluara dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare, për shkak të nivelit ekstrem të rrezikut dhe vështirësisë që paraqet një strukturë prej 508 metrash lartësi. Taipei 101 konsiderohet një nga ndërtesat më ikonike në botë dhe një sfidë e jashtëzakonshme për çdo alpinist. Alex Honnold është i njohur globalisht për ngjitjet e tij pa mjete sigurie (free solo), duke shtyrë kufijtë e alpinizmit modern. Autoritetet lokale nuk kanë raportuar incidente gjatë ngjarjes, ndërsa ngjitja është cilësuar si një arritje e rrallë sportive dhe teknike.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme