Forcat izraelite kanë interceptuar dhe ndaluar ekuipazhet e të paktën 22 anijeve pranë ishullit grek të Kretës, pjesë e flotiljes ndërkombëtare që synonte të thyente bllokadën detare të Gazës dhe të dërgonte ndihma humanitare. Flotilja “Global Sumud”, e përbërë nga rreth 58 mjete lundruese me aktivistë nga mbi 70 vende, ishte nisur nga Italia të dielën.
Organizatorët e flotiljes e përshkruan operacionin si një “sulm të dhunshëm në ujëra ndërkombëtare”, duke pretenduar se ushtria izraelite dëmtoi motorët dhe pajisjet e navigimit të disa anijeve dhe ndërpreu komunikimet e tyre. Sipas tyre, kjo i la qindra civilë në det të hapur, ndërsa një stuhi e madhe po afrohej.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha se ushtria mori nën kontroll mbi 20 anije me rreth 175 aktivistë në bord. Sipas autoriteteve izraelite, aktivistët u paralajmëruan të ndryshonin kurs dhe të dërgonin ndihmat përmes kanaleve zyrtare, duke iu ofruar të lundronin drejt portit izraelit të Ashdodit.
Turqia e dënoi ndërhyrjen si “akt piraterie”, ndërsa disa vende evropiane kërkuan lirimin e shtetasve të tyre. Raportuesja speciale e OKB-së për Gazën dhe Bregun Perëndimor, Francesca Albanese, vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e operacionit në ujëra ndërkombëtare.
Autoritetet izraelite thanë se aktivistët e ndaluar do të transferohen në Greqi në bashkëpunim me autoritetet greke dhe se askush nuk është lënduar gjatë operacionit.
Flotilja synonte të tërhiqte vëmendjen ndaj krizës humanitare në Gaza, e cila ndodhet nën bllokadë izraelite që prej vitit 2007 dhe ku lufta e fundit ka shkaktuar mungesa të mëdha ushqimi, uji dhe ilaçesh.






















