Politika 30 Prill 2026, 20:30 Nga VNA

Tritan Shehu nis betejën për “moralin”: Projektligj kundër propagandës gjinore, abortit dhe familjes jo tradicionale

Ndaje në Whatsapp
Tritan Shehu nis betejën për “moralin”: Projektligj

Tritan Shehu ka vendosur të hapë një front të ri politik në Kuvend: mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve dhe, siç del nga fryma e nismës, të “moralit tradicional” të familjes shqiptare.

Në Kuvend është dorëzuar projektligji “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga propaganda gjinore në Republikën e Shqipërisë”, një nismë që synon të ndalojë në shkolla, universitete, media, platforma online dhe aktivitete publike çdo përmbajtje që lidhet me identitetin gjinor, seksualitetin, ndryshimin e karakteristikave biologjike, promovimin e abortit apo strukturat familjare jashtë modelit “nënë, baba dhe fëmijë”.

Në thelb, projektligji kërkon që arsimi parauniversitar dhe universitar të jetë “ideologjikisht neutral”, por neutraliteti, sipas tekstit, përkthehet në ndalim të koncepteve që flasin për gjininë si konstrukt shoqëror, për familjet jo tradicionale, për abortin apo për çdo simbolikë që shmang ndarjen binare mashkull-femër.

Nisma shkon edhe më tej: prindërit duhet të njoftohen 30 ditë përpara për çdo material apo aktivitet që lidhet me edukimin seksual, shëndetin riprodhues apo orientimin seksual, ndërsa pjesëmarrja e nxënësve do të lejohet vetëm me pëlqim me shkrim.

Projektligji parashikon ndalime edhe në media, rrjete sociale dhe hapësira publike, ku përmbajtjet që konsiderohen të papërshtatshme për të miturit mund të sjellin gjoba për individë, institucione arsimore, media, platforma online dhe organizatorë aktivitetesh.

Në një kapitull të veçantë, nisma kërkon ndalimin e ndërhyrjeve mjekësore, psikologjike apo terapeutike që lidhen me ndryshimin e karakteristikave seksuale për personat nën 22 vjeç, përveç rasteve me indikacion të qartë mjekësor.

Me pak fjalë, Tritan Shehu kërkon që shteti të hyjë me ligj në klasë, në media, në aktivitete publike, në konsultat mjekësore dhe deri te formulari i prindit, për të vendosur se çfarë mund të dëgjojë, lexojë apo mësojë një i ri deri në moshën 22 vjeç.

Nisma paraqitet si mbrojtje e fëmijëve dhe familjes, por në fakt hap një debat shumë më të madh: ku mbaron e drejta e prindit dhe ku fillon censura; ku mbaron mbrojtja e të miturve dhe ku nis kontrolli ideologjik mbi shkollën, median dhe jetën publike.

Në një vend ku shkolla ka ende probleme me cilësinë, dhunën, braktisjen, bullizmin dhe mungesën e kushteve bazë, beteja e re politike duket se është zhvendosur tek “rreziku” nga termat, simbolet dhe diskutimet mbi gjininë.

Pra, Kuvendi ka tashmë në tavolinë një projektligj që premton të mbrojë moralin. Mbetet për t’u parë nëse do të mbrojë edhe liritë.

Video

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme