Gjermania është paraqitur këtë javë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, më shumë se dy vite pasi Nikaragua e akuzoi se ka lehtësuar gjenocidin në Gaza përmes furnizimit të Izraelit me armë.
Nikaragua pretendon se Gjermania, duke armatosur dhe duke vijuar të armatosë Izraelin, ka shkelur Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.
Ambasadori Carlos Jose Arguello Gomez deklaroi para gjykatës se Nikaragua kërkon përgjegjësinë e Gjermanisë për disa shkelje të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me “plagën e urryer të gjenocidit” dhe të drejtën humanitare ndërkombëtare.
Një nga elementët kryesorë për të provuar akuzën e gjenocidit është qëllimi për ta kryer atë. Lidhur me këtë, ambasadori u shpreh se “plaga e gjenocidit nuk është e re, por ajo që është e re në çështjen para nesh është mënyra se si po kryhet publikisht dhe drejtpërdrejt”.
Ai shtoi se nxënësit në Gjermani sot janë ndoshta më të vetëdijshëm për atë që po ndodh në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në Rripin e Gazës, sesa ishin paraardhësit e tyre për tmerret e regjimit nazist. Sipas tij, nuk mund të ketë dyshim se qeveria gjermane është plotësisht e vetëdijshme për krimet që po kryhen nga Izraeli.
Kjo çështje është e ndarë nga padia e Afrikës së Jugut kundër Izraelit në të njëjtën gjykatë, ku Izraeli akuzohet për kryerjen e gjenocidit në Gaza.
Pavarësisht luftës në Gaza dhe urdhërarrestit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, të cilin Gjermania është e detyruar ta zbatojë si palë e Statutit të Romës, furnizimet ushtarake gjermane drejt Izraelit kanë vijuar.
Madje, sipas “Der Spiegel”, ritmi i këtyre furnizimeve nuk është ulur krahasuar me vitet e mëparshme, por është rritur. Vlera e licencave të eksportit të miratuara nga Gjermania për Izraelin vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 rezulton mbi katër herë më e lartë se ajo e miratuar gjatë gjithë vitit 2025.






















