Avioni që transportonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky drejt Norvegjisë është përballur me një situatë të rrezikshme gjatë ngritjes nga Moldavia, pasi për pak është goditur nga një dron.
Ngjarja është bërë publike nga kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre, i cili deklaroi për transmetuesin publik NRK se avioni i presidentit ukrainas “pothuajse u godit nga një dron” teksa po ngrihej nga Moldavia drejt Oslos.
“Avioni i tij për pak u godit nga një dron ndërsa po ngrihej nga Moldavia. Kjo është realiteti në të cilin ai jeton”, deklaroi Støre.
Kryeministri norvegjez nuk dha detaje të tjera mbi burimin e informacionit dhe as për distancën mes dronit dhe avionit të Zelenskyt. Ndërkohë, një burim pranë presidencës ukrainase i tha AFP-së se në Moldavi ishte dhënë alarm pasi një dron rus kishte hyrë në hapësirën ajrore moldave dhe rumune, duke e cilësuar si të ekzagjeruar pretendimin se avioni i Zelenskyt ishte në rrezik të drejtpërdrejtë.
Incidenti ndodhi të martën, më 8 shtator, në një kohë kur Moldavia raportoi shkelje të hapësirës së saj ajrore nga dronë. Për shkak të situatës, aeroporti i Kishinauit pezulloi përkohësisht nisjet dhe mbërritjet, ndërsa një prej dronëve ra në një zonë fushore dhe tjetri vazhdoi drejt hapësirës ajrore të Rumanisë.
Zelensky udhëtoi drejt Oslos për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të mbretit Harald V të Norvegjisë. Gjatë qëndrimit në Norvegji, presidenti ukrainas zhvilloi takime me kryeministrin Støre dhe zyrtarë të tjerë, ku në fokus ishte mbështetja ushtarake për Ukrainën, veçanërisht mbrojtja ajrore.
Sipas raportimeve, Zelensky diskutoi gjithashtu për programin evropian FREYJA, i cili synon krijimin e një sistemi të integruar evropian kundër kërcënimeve ajrore dhe raketore.
Ndërkohë, incidenti me avionin presidencial ka rikthyer në vëmendje rrezikun që paraqesin dronët rusë edhe jashtë territorit të Ukrainës, veçanërisht pas rasteve të fundit të shkeljes së hapësirave ajrore të Moldavisë dhe Rumanisë.






















