
Një 35-vjeçar shqiptar është identifikuar si viktima e një vrasjeje të rëndë në San Giorgio delle Pertiche, në provincën e Padovës, Itali. Trupi i pajetë u gjet brenda një automjeti tip “Fiat Bravo”, i cili ishte zhytur në ujërat e lumit Tergola.
Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Ferdinant Hoti, 35 vjeç, shtetas shqiptar me banim në Mirano. Identifikimi është bërë nga karabinierët e Njësisë Hetimore të Padovës përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe elementeve të tjera të mbledhura gjatë hetimeve.
Të dhënat e para mjeko-ligjore tregojnë se shqiptari është vrarë me armë zjarri. Në momentin e vrasjes, 35-vjeçari dyshohet se i kishte duart të lidhura, ndërsa ndaj tij është qëlluar nga një distancë e afërt.
Nga ekzaminimi i trupit ka rezultuar gjithashtu se Hoti kishte ndërruar jetë përpara se trupi i tij të përfundonte në ujë. Në mushkëritë e viktimës nuk janë konstatuar gjurmë uji, çka përjashton mundësinë që ai të ketë qenë ende gjallë kur është hedhur në lumë.
Karabinierët po përpiqen tashmë të rindërtojnë lëvizjet e 35-vjeçarit dhe të zbulojnë personat me të cilët ai është takuar gjatë mbrëmjes së së hënës, 7 shtator, me qëllim identifikimin e autorit ose autorëve dhe zbardhjen e motivit të krimit.
Trupi i shqiptarit u gjet në sediljet e pasme të një “Fiat Bravo” të zezë, i futur në një thes të zi. Për ta rënduar dhe për të penguar daljen e tij në sipërfaqe, mbi trup ishin vendosur goma automjeti. Makina ishte gjetur e zhytur në një pellg të lumit Tergola dhe i ishin hequr targat.
Pavarësisht mungesës së targave, hetuesit kanë arritur të identifikojnë pronarin e automjetit përmes numrit të shasisë. Bëhet fjalë për një person me banim në provincën e Venecias, i cili nuk kishte denoncuar vjedhjen e makinës. Karabinierët po e marrin në pyetje për të sqaruar pozicionin e tij dhe për të kuptuar se si automjeti përfundoi në vendin ku u gjet viktima.
Mënyra se si është gjetur trupi ka përforcuar bindjen e hetuesve se pas vrasjes është bërë një përpjekje e qëllimshme për të zhdukur kufomën. Dyshohet se automjeti është shtyrë me dorë drejt ujit, ndërsa hetuesit po verifikojnë edhe arsyen pse është zgjedhur pikërisht ajo zonë për fshehjen e trupit.
Karabinierët po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, përfshirë ato të një punishteje pranë vendit të ngjarjes. Hetimet janë përqendruar gjithashtu në segmentin e lumit ku u gjet makina, ndërsa autoritetet kanë hapur portat për të ulur nivelin e ujit dhe për të kryer kontrolle më të hollësishme.
Një nga pistat që po shqyrtohet është se personat që kanë zgjedhur atë vend për të fshehur trupin mund ta njihnin mirë zonën dhe karakteristikat e lumit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të vrasjes dhe për të identifikuar personat përgjegjës.






















