Presidenti francez Emmanuel Macron po kërkon që fëmijëve nën 15 vjeç t’u ndalohet përdorimi i rrjeteve sociale në të gjithë Bashkimin Europian, duke i bërë thirrje Komisionit Europian të hartojë një ligj të përbashkët për 27 vendet anëtare.
Në një letër drejtuar presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Macron argumenton se mbrojtja e fëmijëve në internet është kthyer në një çështje urgjente dhe se Europa duhet të vendosë rregulla të përbashkëta, në vend që çdo shtet të veprojë më vete.
Presidenti francez kërkon konkretisht që fëmijët nën moshën 15 vjeç të mos kenë akses në platformat e rrjeteve sociale.
Nisma vjen pasi Franca tentoi ta vendoste një kufizim të tillë në nivel kombëtar. Ligji francez duhej të hynte në fuqi në shtator, por Këshilli Kushtetues e rrëzoi gjatë verës, duke vlerësuar se kufizimet duhej të përcaktoheshin dhe rregulloheshin më mirë.
Macron nuk ka hequr dorë nga projekti. Qeveria franceze synon të rikthehet me një version të rishikuar të ligjit në muajt e ardhshëm, ndërsa presidenti tani po përpiqet ta çojë betejën edhe në nivel europian.
Sipas tij, një ligj i ri i BE-së duhet të harmonizojë kufirin e moshës në të gjithë bllokun dhe të vendosë masa më të forta kundër elementeve që mund të krijojnë varësi te fëmijët dhe adoleshentët.
Në propozimet e tij përfshihen standarde sigurie të aktivizuara automatikisht për adoleshentët, kufizime të kohës së përdorimit dhe masa ndaj funksioneve të platformave që nxisin përdorimin e vazhdueshëm. Në fokus janë edhe algoritmet e rekomandimit, njoftimet, sistemet e shpërblimit dhe mënyra se si ndërtohen ndërfaqet e aplikacioneve.
Macron argumenton se fëmijët po ekspozohen ndaj një sërë rreziqesh në internet, nga mekanizmat që krijojnë varësi deri te përmbajtjet pornografike dhe problemet e sigurisë së llogarive.
Por brenda Europës nuk ka ende një qëndrim unik. Disa vende po shqyrtojnë kufizime të ngjashme, ndërsa disa shtete, veçanërisht në Skandinavi, mbështesin idenë se vendimi për përdorimin e rrjeteve sociale duhet t’u mbetet kryesisht prindërve.
Edhe Komisioni Europian po shqyrton masa për kufizimin e aksesit të fëmijëve. Ursula von der Leyen ka folur më parë për një model gradual, sipas të cilit fëmijët nën 13 vjeç do të kishin vetëm akses të kufizuar dhe të mbikëqyrur, ndërsa kufizimet do të lehtësoheshin me rritjen e moshës.
Macron kërkon një variant më të fortë: ndalim të aksesit në rrjetet sociale deri në moshën 15 vjeç.
Çështja pritet të marrë më shumë peshë në Bruksel gjatë ditëve në vijim, përpara fjalimit të Ursula von der Leyen për Gjendjen e Bashkimit më 16 shtator, ku pritet të paraqiten edhe planet e ardhshme të BE-së për mbrojtjen e fëmijëve në internet.






















