Kjo e mërkurë shënon 15 vite nga protesta e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorë e Kombit” në Tiranë, ku u vranë katër qytetarë. Në ceremoninë e homazheve të mbajtur në Kryeministri, kryeministri Edi Rama rikujtoi ngjarjen tragjike dhe theksoi se drejtësia për viktimat vazhdon të mungojë.
Rama u ndal veçanërisht te roli i Prokurorisë së Posaçme, duke e akuzuar SPAK-un se për vite me radhë ka vepruar sikur çështja e 21 Janarit nuk ekziston. Ai u shpreh se, pavarësisht reformës në drejtësi dhe vendimit të Gjykatës së Strasburgut, nuk është ngritur asnjë akuzë e vërtetë për vrasjet e ndodhura më 21 janar 2011.
“Prej 15 vitesh nuk ka drejtësi. Edhe SPAK-u, fatkeqësisht, bëri sikur kjo çështje nuk ekziston. Prokurorët i paguajmë më shumë sesa presidentin, ndërsa për 21 Janarin nuk ka asnjë përgjegjës para ligjit,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se protestuesit ishin të paarmatosur dhe se përdorimi i gazit lotsjellës nga policia e ktheu tubimin në kaos, ndërsa më pas, kur turma po shpërndahej, u qëllua me armë zjarri mbi qytetarët, duke marrë katër jetë të pafajshme.
Sipas Ramës, mosveprimi i drejtësisë ka thelluar zhgënjimin e familjarëve të viktimave dhe të qytetarëve që besuan te reforma në drejtësi. “21 Janari ishte një nga burimet e energjisë për reformën në drejtësi, por edhe pas 15 vitesh, strukturat speciale nuk kanë ngritur asnjë akuzë për këtë krim shtetëror,” deklaroi ai.
Rama kujtoi gjithashtu se çështja u çua në Gjykatën e Strasburgut nga familjarët e viktimave, duke nënvizuar se drejtësia për 21 Janarin mbetet ende një peng i hapur për shtetin shqiptar.






















