Rritja e sulmeve kibernetike ndaj infrastrukturave civile në disa vende europiane ka vënë në alarm autoritetet e sigurisë. Europol ka thirrur për javën e ardhshme një takim hetimor me përfaqësues të forcave policore të vendeve të prekura, me qëllim koordinimin e hetimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në shënjestër të sulmeve të fundit kanë qenë aeroporte, supermarkete, institucione shëndetësore dhe sisteme transporti, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe funksionimin e shërbimeve jetike për qytetarët.
Mes vendeve të prekura është edhe Italia, ku ditët e fundit janë regjistruar sulme kibernetike, si dhe mesazhe të rreme që paralajmëronin vendosjen e bombave në disa fluturime ajrore.
Autoritetet italiane po mbledhin prova dhe të dhëna për incidentet, të cilat pritet të shkëmbehen me strukturat homologe europiane gjatë takimit të organizuar nga Europol.
Takimi synon të forcojë koordinimin mes autoriteteve ligjzbatuese, të ndihmojë në identifikimin e autorëve dhe të përmirësojë masat parandaluese ndaj kërcënimeve kibernetike.






















