Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për aferën e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë Kurum, e cila ka çuar në 33 masa arresti, 26 prej tyre arrest me burg.
Lala shpjegoi kronologjikisht hetimet për atë që e konsideroi si krimin më të rëndë mjedisor të konfirmuar deri më tani, duke theksuar se mungojnë hetimet për zyrtarë të lartë shtetërorë dhe se çështja duhet të kalojë për hetim në SPAK.
"Janë 33 masa arresti, 26 janë arrest me burg. Nga këto janë ekzekutuar 20 masa sigurie. Në kërkim janë Erdal Demir, administratori i Kurum, edhe Yusuf Sezai Kurum, edhe ky administrator me prokurë. Gjovana Sokolaj, bashkëshorti i saj Doni Sokolaj, ka edhe zyrtarë të tjerë që nuk janë arrestuar”, tha Lala.
Sipas saj, masat e sigurisë janë firmosur nga Prokuroria e Durrësit, pasi u konfirmua zyrtarisht se mbetjet ishin të rrezikshme. “Prokuroria iu drejtua gjykatës me kërkesë për caktimin e masës së sigurisë. Ka konfirmuar se është kryer kontrabandim i mbetjeve të rrezikshme dhe një sërë veprash penale”, u shpreh gazetarja.
Lala rikujtoi se në vitin 2024, rrjeti i Bazelit ngriti pretendimin se mbetje të rrezikshme ishin nisur drejt Tajlandës. “U konfirmua se ishin të Kurum, e cila kishte kontratë me Sokolaj shpk. Këto kishin kontratë për të dërguar mbetjet për eksportim në sasinë 50 mijë ton. 2800 ton ishin nisur në 102 kontejnerë. Pas alarmit, ngarkesa u kthye pas një kohe të gjatë drejt Shqipërisë”, tha ajo.
Sipas Prokurorisë, Doni Sokolaj kishte dijeni për përmbajtjen e mbetjeve. “Prokuroria ka konfirmuar se Doni Sokolaj, duke e ditur se çfarë mbetjesh kishte brenda, ka shkuar deri në tone kërcënuese drejt kompanisë së transportit që mbetjet të mos ktheheshin në Shqipëri, pasi kishte gjetur blerës të rinj në Turqi”, deklaroi Lala. Mbetjet, sipas saj, u kthyen dhe mbetën në Porto Romano nën ruajtje policore.
Gazetarja theksoi se fakti që mbetjet janë konfirmuar si të rrezikshme e bën çështjen edhe më alarmante. “Autoritetet shqiptare janë në pamundësi për të bërë asgjësimin e këtyre mbetjeve. Kurum dhe Sokolaj, sipas Prokurorisë, kanë ditur që nuk kishte oksid zinku, por hirin e oxhaqeve të Kurum, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare”, u shpreh ajo.
Lala bëri të ditur se masa sigurie ka edhe për zyrtarë doganash, si dhe për Arta Dollani, ish-drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. “Ajo nuk ka monitoruar sasitë e mëdha të mbetjeve të Kurum dhe shoqërive të tjera, por i ka licencuar në mënyrë të paligjshme, çka ka sjellë pasoja”, tha gazetarja.
Duke ngritur pikëpyetje mbi shtrirjen e hetimit, Lala u shpreh: “A mundet ky skandal të mbyllet vetëm me këta persona? Nuk mendoj se mund të mbyllet këtu”.
Ajo deklaroi se një punonjës i Portit të Durrësit ka vënë në dijeni drejtorin e portit, aktualisht ministër i Mbrojtjes. “Kanë pasur dijeni ministra të tjerë. Gjendemi para një grupi të strukturuar kriminal”, theksoi Lala.
Sipas saj, kompania Sokolaj nuk është një rast i izoluar. “Dyshohet se ka kaluar edhe mbetje të tjera të rrezikshme. Janë edhe tre eksporte të tjera para kësaj. Ngrihen dyshime që edhe këto mund të kenë qenë të rrezikshme”, deklaroi gazetarja, duke shtuar se Gjovana Sokolaj, motra e saj dhe bashkëshorti janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
"Duhet hetuar Kurum dhe Sokolaj. Duhet të shkohet edhe në nivelin e titullarëve të institucioneve: drejtori doganash, tatimesh, Ministria e Mjedisit e me radhë”, u shpreh Lala.
Ajo ngriti gjithashtu pyetjen se ku kanë përfunduar mbetjet e tjera të prodhuara nga Kurum. “Pjesa e pahetuar: mbetjet e tjera të prodhuara nga Kurum, ku kanë përfunduar? Si administrohen? Askush nuk na jep përgjigje sot”, tha gazetarja.
Në përfundim, Lala e cilësoi këtë si krimin më të rëndë mjedisor të konfirmuar deri tani. “Tonelata mbetjesh të rrezikshme që shkaktojnë kancer dhe pasojat ndihen edhe pas shumë vitesh. Është lajm i mirë që u bë goditje, por Prokuroria e Durrësit duhet ta çojë çështjen në SPAK dhe institucionet e tjera shtetërore duhet të lëvizin me urgjencë”, përfundoi ajo.






















