
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar sot çështjen e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve të saj, duke vendosur skemën e qartë për përtëritjen periodike të përbërjes së saj.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesës së Presidentit të Republikës, e cila lidhej me mbarimin e mandatit të gjyqtarëve kushtetues dhe interpretimin e normave kushtetuese për kohëzgjatjen e tyre.
Sipas Gjykatës, për gjyqtarët e emëruar pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, zbatohen rregullime tranzitore që sigurojnë përtëritje të pjesshme çdo tre vjet.
Në këtë kuadër:
Dy mandate janë më të shkurtra se 9 vjet: njëri përfundon në 2025, tjetri në 2028.
Përtëritja e parë e një të tretës së gjyqtarëve do të bëhet në vitin 2025, e dyta në 2028 dhe e treta në 2031.
Gjykata vendosi gjithashtu se kompetenca për deklarimin e mbarimit të mandatit i përket vetë Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Presidenti ushtron të drejtën e emërimit vetëm pas këtij vendimi.
Ky vendim synon të garantojë funksionimin e qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të Gjykatës, duke vendosur rregulla të qarta për mbarimin dhe përtëritjen e mandateve të gjyqtarëve.