Ngjarjet e rënda rrugore që po përsëriten gjatë muajve të fundit duhet të shërbejnë si një alarm serioz për institucionet përgjegjëse. Çdo aksident me pasoja fatale nuk është thjesht një statistikë, por humbje e jetëve njerëzore dhe një tregues se sistemi i sigurisë rrugore ka nevojë për një analizë të thellë dhe për ndërhyrje të mirëfillta.
Në Shqipëri, prej vitesh është krijuar një praktikë që pothuajse çdo ministër i ri i Brendshëm e nis mandatin me nisma për heqjen e xhamave të zinj të automjeteve. Kjo është kthyer më shumë në një simbol politik sesa në një politikë të mirëstudiuar për rritjen e sigurisë rrugore. Në të njëjtën kohë, vite më parë u legalizuan xhamat e zinj kundrejt pagesës së një tarife dhe u lejuan targat e personalizuara, duke krijuar një paradoks institucional: një institucion i lejon, ndërsa një tjetër i ndalon.
Siguria rrugore nuk mund të ndërtohet mbi masa sporadike apo mbi vendime që ndryshojnë sa herë ndryshon drejtimi politik. Ajo kërkon strategji afatgjatë, standarde të qëndrueshme dhe politika të bazuara në analiza profesionale.
Një tjetër debat lidhet me orientimin e Policisë së Shtetit në fillim të drejtimit të ri institucional, te Drejtorit te Policise se Shtetit, Z.Skender Hitaj, kur u dha sinjali për reduktimin e kontrolleve dhe kufizimin e ndalimit të automjeteve. Ky orientim u prit pozitivisht nga një pjesë e opinionit publik, por pas një periudhe të shkurtër u rikthyen patrullat dhe kontrollet në terren. Ky ndryshim tregon se realiteti operacional imponon masa të ndryshme nga perceptimi fillestar publik.
Është e vështirë të matet ndikimi i drejtpërdrejtë që pati kjo periudhë në numrin e aksidenteve, por është e arsyeshme të kërkohet një analizë institucionale për të vlerësuar nëse ndryshimet në politikat e kontrollit rrugor kanë ndikuar në sigurinë e qarkullimit. Politikat publike duhet të mbështeten mbi të dhëna dhe jo mbi perceptime apo popullaritet.
Policia e Shtetit nuk është faktori i vetëm që ndikon në aksidentet rrugore, por është një nga hallkat më të rëndësishme të parandalimit. Misioni i saj është garantimi i rendit dhe sigurisë, zbatimi i ligjit dhe parandalimi i shkeljeve, jo krijimi i imazhit përmes pëlqimeve apo komenteve në rrjetet sociale. Besueshmëria e një institucioni ndërtohet mbi rezultatet konkrete dhe jo mbi komunikimin publik.
Po aq përgjegjësi mbajnë edhe faktorë të tjerë të sistemit: infrastruktura rrugore, cilësia e autoshkollave, mënyra e testimit të drejtuesve të mjeteve, standardet teknike të automjeteve, edukimi qytetar, baza ligjore dhe mjetet logjistike të Policisë. Vetëm funksionimi i të gjitha këtyre hallkave mund të sjellë uljen reale të aksidenteve.
Edhe ndryshimet në Kodin Rrugor duhet të trajtohen me një qasje profesionale. Përpara miratimit të tyre duhet të konsultohen ekspertë të sigurisë rrugore, inxhinierë transporti, akademikë, përfaqësues të Policisë Rrugore dhe grupe të interesit. Një forum i hapur konsultimi do të siguronte që ndryshimet të ishin në përputhje me praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian dhe me problematikat reale që has Shqipëria.
Aksidenti tragjik pranë TEG-ut, si edhe shumë ngjarje të tjera të rënda të muajve të fundit, duhet të shërbejnë si pikë kthese. Nuk mjafton të reagojmë vetëm pas tragjedive. Nevojitet një plan kombëtar për sigurinë rrugore, me objektiva të matshëm, analiza periodike dhe përgjegjësi të qarta institucionale.
Në të njëjtën kohë, vëmendja publike është përqendruar shpesh te zhvillimet politike dhe protestat, ndërsa aksidentet rrugore, që marrin jetë pothuajse çdo javë, kanë kaluar në plan të dytë. Kjo nuk duhet të ndodhë. Siguria në rrugë është një çështje e sigurisë publike dhe meriton të njëjtën vëmendje si çdo problem tjetër madhor.
Nëse publikohen statistika për uljen e kriminalitetit, me të njëjtën transparencë duhet të publikohen edhe të dhënat për aksidentet rrugore, numrin e viktimave, shkaqet kryesore, zonat me risk dhe efektivitetin e masave të marra. Vetëm transparenca dhe analiza objektive mund të ndihmojnë në përmirësimin e situatës.
Në fund, përgjegjësia për sigurinë rrugore është e përbashkët. Ajo nuk mund t’i atribuohet vetëm një institucioni apo një individi. Megjithatë, çdo vendim administrativ duhet të shoqërohet me analizë të ndikimit dhe me marrje përgjegjësie për pasojat që mund të sjellë. Jeta e qytetarëve nuk mund të jetë objekt eksperimentesh administrative apo politikash të diktuara nga momenti.
*Shqipëria ka nevojë për një reformë të vërtetë në sigurinë rrugore, të mbështetur në profesionalizëm, ekspertizë dhe standarde evropiane dhe jo amendime emocionale dhe populiste pas çdo aksidenti me pasojë jetë qytetarësh. Vetëm atëherë do të mund të flasim për ulje reale të aksidenteve dhe për rrugë më të sigurta për të gjithë.*






















