
Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) pritet të plotësojë gjatë këtij muaji strukturën e saj drejtuese ekzekutive. Pas emërimit të Drejtores së Përgjithshme, Mina Kusta, Këshilli Drejtues pritet të emërojë edhe Zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të institucionit. Burime bëjnë me dije se në këtë detyrë pritet të zgjidhet juristja Pamela Qirko.
Emri i Qirkos është i njohur për publikun jo vetëm për shkak të rolit të saj në procesin e vettingut, por edhe për lidhjet familjare me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, pasi ajo është motra e saj. Pamela Qirko u shfaq publikisht edhe si avokate e Ballukut, pasi kjo e fundit u mor e pandehur nga SPAK.
Pamela Qirko është juriste me profesion dhe në periudhën 2017–2023 ka mbajtur detyrën e anëtares dhe më pas kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), institucioni që drejtoi procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Më herët, karriera e saj lidhet kryesisht me sektorin privat, ku ka punuar për një periudhë të gjatë në Telekom Albania/AMC.
Megjithatë, në CV-në e saj nuk rezulton të ketë eksperiencë të mëparshme në sektorin financiar apo në administrimin e skemave të sigurimit të depozitave.
Pak javë më parë, Pamela Qirko tentoi të rikthehej në sistemin e drejtësisë duke kandiduar për një vend në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, por kërkesa e saj u rrëzua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Sipas statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm propozohet nga Drejtori i Përgjithshëm dhe emërohet nga Këshilli Drejtues. Ky këshill përbëhet nga pesë anëtarë, ku dy emërohen nga Banka e Shqipërisë, dy nga Ministria e Financave dhe një nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA).
Emërimi i pritshëm i Qirkos vjen pas emërimit të Mina Kustës në krye të ASD-së, një post që kishte mbetur vakant që prej korrikut 2025, pas përfundimit të mandatit të Genc Mamanit. Kusta ka një eksperiencë të gjatë në Albcontrol, ku ka mbajtur postet e Drejtorit Ekonomik dhe më pas të Drejtorit të Përgjithshëm.
Ndryshimet në drejtimin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave vijnë në një moment të rëndësishëm, pasi institucioni po përgatit një reformë të ligjit organik që do të rrisë ndjeshëm nivelin e sigurimit të depozitave bankare.
Aktualisht, ASD garanton depozitat bankare deri në 2.5 milionë lekë dhe depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit deri në 2 milionë lekë. Projektligji i ri parashikon që, në një fazë të parë, kufiri i mbulimit të rritet në 6 milionë lekë, ndërsa me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian synohet harmonizimi i plotë me direktivën europiane, duke e çuar shumën e garantuar në 100 mijë euro.






















