Gjykata e Tiranës i cilësoi fajtorë dhe dënoi dy ish-zyrtarët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artjol Saliasi dhe Gëzim Sala, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi punësuan në kundërshtim me ligjin Muçi Shaljanin, alias “Sheqeri”, i cili u ekzekutua në atentatin te rrethrrotullimi i Rinasit, bashkë me Gilmando Danin, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.
Të dy u dënuan me nga 9 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, u ul 1/3 e dënimit dhe përfundimisht gjykata vendosi 6 muaj heqje lirie. Asnjëri prej dy zyrtarëve nuk do të shkojë në qeli, pasi dënimi me burg është pezulluar dhe u është vendosur 1 vit shërbim prove.
Zyrtarët e AMP-së u hetuan pas dyshimeve se nuk kanë respektuar ligjin gjatë procedurës së ndjekur për punësimin në këtë agjenci të Muçi Shaljanit.
Agjenti i AMP-së mbeti i plagosur në atentatin mafioz. Ai ndërroi jetë disa ditë më pas në Spitalin e Traumës.
Në ngjarje u vra edhe Gilmando Dani, i liruar me kusht. Dani ishte dënuar për gjobëvënie dhe grup kriminal.
Muçi Shaljani dhe Dani sapo ishin kthyer nga Spanja dhe, sapo lanë aeroportin e Rinasit, u qëlluan me breshëri kallashnikovi.
Ngjarja po hetohet nga SPAK.






















