Sociale 6 Korrik 2025, 08:19 Nga VNA

Emigracioni/ Të rinjtë përgjysmohen, ikja e tyre dyfishohet

Ndaje në Whatsapp
Emigracioni/ Të rinjtë përgjysmohen, ikja e tyre dyfishohet

Shqipëria po hyn në një cikël të shpejtë boshatisjeje. Teksa popullsia e re në moshë është në rënie të shpejtë, në anën tjetër, emigracioni i të rinjve po përforcohet më tej, në vend që të ulet. Popullsia në grupmoshën 0 – 29 vjeç ishte rreth 1 milionë e 365 mijë persona në vitin 2011, por në 2024 ra në 764 mijë persona, me tkurrje 44%.

Në anën tjetër, nga viti 2015 deri në 2020, emigracioni neto (ikjet minus ardhjet) ishte rreth -16 mijë persona në vit, 80% e tyre të rinj, ndërsa nga 2020 – 2025 ky tregues është mesatarisht -34,5 mijë në vit. Emigracioni i të rinjve është rritur më shumë se dyfishi pas pandemisë, teksa asnjë politikë nuk po arrin ta ndalë zbrazjen që po gërryen nga rrënjët ekonominë dhe të ardhmen. Si po ndikon emigracioni në ekonomi, prodhime dhe çmime dhe çfarë këshillojnë ekspertët

Shqipëria po përjeton një cikël paradoksal dhe të rrezikshëm të emigracionit. Edhe pse vendi ka gjithnjë e më pak të rinj, ata po largohen me intensitet më të lartë vitet e fundit. Këto zhvillime po krijojnë një cikël vicioz me rënie të popullsisë, rritje emigrimi dhe përshpejtim të rënies së popullsisë.

Popullsia në grupmoshën 0 – 29 vjeç ishte rreth 1 milionë e 365 mijë persona në vitin 2011, por më 2024 ishin vetëm 764 mijë persona në këtë grupmoshë, me tkurrje 44%. Nga viti 2015 deri në 2020, emigracioni neto (ikjet minus ardhjet) ishte rreth -16 mijë persona në vit, sipas INSTAT.

Pjesa më e madhe e tyre janë të rinj. Emigracioni neto negativ u përkeqësua pas pandemisë. Në vitin 2021, emigracioni neto ishte negativ me -32,000, po kaq edhe në 2022. Në vitin 2023 arriti në -43,7 mijë dhe më 2024 mbi 28,8 mijë.

Të dhënat e fundit të Eurostat bënë të ditur se në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së. Një vit më parë ishin dhënë 79.2 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Këto janë nivelet më të larta që nga 2010-a, duke treguar për një përshpejtim të ritmeve të emigracionit pas pandemisë.

Në 2022-2023 janë dhënë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Duke qenë se një pjesë e madhe e të ikurve janë me kontrata pune, sidomos në shtete si Gjermania, dhënia e lejeve është më e shpejtë sesa dikur, kur shtetasit shqiptarë hynin në vendet e BE-së pa dokumente.

Grupmosha 18–34 vjeç përbënte rreth 80% të emigrantëve të rinj shqiptarë, sipas Eurostat. Të dhënat tregojnë se shkalla e emigracionit për frymë është rritur, jo vetëm në shifra absolute, por edhe në përqindje të popullsisë aktive.

Shqipëria është në një fazë ku grupi i të rinjve po tkurret me shpejtësi dhe nga ana tjetër, ata që kanë mbetur janë gjithnjë e më shumë të motivuar për të ikur. Ilir Gëdeshi, profesor i cili prej vitesh studion zhvillimet demografike në vend, thotë se në afat të gjatë, emigracioni në numër do të ulet për shkak se do të ketë më pak njerëz për të ikur, por në krahasim me popullsinë e mbetur, flukset janë shumë të larta.

Sipas tij, pa ndërhyrje të menjëhershme në formë politikash gjithëpërfshirëse që frenojnë ikjet dhe nxisin kthimet, vendi rrezikon një krizë strukturore afatgjatë të forcës punëtore, produktivitetit dhe sistemit të pensioneve.

Sot nuk ikin vetëm të rinjtë e papunë apo pa perspektivë si para një dekade, por ikin studentët më të mirë, profesionistët e rinj të shëndetësisë, IT-së dhe zanatçinj të kualifikuar. Pandemia intensifikoi ndjenjën e pasigurisë dhe e bëri më të dukshme pabarazinë sociale dhe mungesën e perspektivës.

Nga ana tjetër, programet e BE-së (si punësimi sezonal, vizat studentore, marrëveshja me Gjermaninë) kanë hapur më shumë rrugë të ligjshme. Emigracioni lartë ka krijuar edhe efekt psikologjik. Të rinjtë ndihen të paktë në një shoqëri të plakur e të zbrazur dhe janë më motivuar për t’u larguar.

Efektet në tregun e punës dhe në çmime

Forca aktive e punës (pjesa që punon ose kërkon punë) ka rënë, dhe nga ana tjetër, numri i vendeve të lira të punës është rritur. Në pesë vitet e fundit, bizneset raportojnë mungesa të mëdha me punonjës në bujqësi, ndërtim, turizëm, shërbime, tregti, etj. Bizneset raportojnë vështirësi në rekrutim, jo vetëm për arsye pagash, por sepse nuk ka kandidatë.

Emigracioni ka krijuar një hendek demografik në tregun e punës, që nuk mbushet as me rritje pagash dhe as me trajnime të shkurtra.

Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 53% e të punësuarve në bujqësi janë mbi moshën 50 vjeç dhe të rinjtë nuk e trashëgojnë punën. Rënia e forcës punëtore ka çuar në ulje të sipërfaqeve të mbjella, sidomos në fruta-perime në fermat familjare dhe rritje të varësisë nga importet ushqimore.

Të dhënat e INSTAT tregojnë që deficiti tregtar në ushqime është rritur me 23% që prej 2020-s. Ulja e prodhimit vendas ka krijuar mungesa relative në treg. Importet zëvendësuese janë më të shtrenjta. Prodhuesit vendas përballen me kosto më të larta për punonjësit, ndërsa produktiviteti bie.

Në vitin 2024, Shqipëria u rendit për herë të parë mbi mesataren e BE-së për çmimet e ushqimeve (102.4% e mesatares së BE-së sipas Eurostat). Në 2023, çmimet e ushqimeve ishin sa 89,8% të mesatares së BE-së, nga 66,8% në 2014.

Ndërkohë, PBB për frymë në Shqipëri mbetet vetëm 35% e mesatares së BE-së. Konsumatorët paguajnë shumë më tepër për mallra bazë (ushqim, transport, energji). Studimet e FMN-së tregojnë se emigracioni e përshpejton rritjen e çmimeve, sepse ul ofertën dhe shtrembëron ekuilibrin prodhim–konsum.

Emigracioni zvogëlon ofertën e brendshme, si në rastin tonë, ndërsa konsumi po rritet nga vizitorët e huaj gjithnjë e më të shumtë në numër. Këto zhvillime kanë rritur varësinë nga importet e kushtueshme dhe ulur konkurrencën lokale, pasi bizneset e mbetura dominojnë tregun.

Nga 2015–2025, indeksi i çmimeve për ushqimet dhe pijet joalkoolike u rrit me 67 %, duke u renditur në vend të 10-të ndër 40 vende europiane. Prodhuesit vendas përballen me kosto të larta inputesh, teksa mungojnë subvencionet për bujqësinë.

Kjo i detyron prodhuesit vendas të rrisin çmimet e produkteve, duke dobësuar konkurrencën e brendshme ndaj mallrave të importuara. Prodhimi bujqësor ra me 1.1% më 2024 nga -1.8 më 2023.

Në sektorin e bujqësisë ishin të punësuar 32.2% të totalit të punonjësve. Të dhëna më të detajuara tregojnë se bujqësia është në trajektore rënëse kryesisht për shkak të zhvillimeve negative në fermat familjare, ku ka një tkurrje të fortë të sektorit të blegtorisë.

Në dekadën e fundit, numri i kafshëve për qumësht dhe mish gati është përgjysmuar prej falimentit të fermave të vogla. Rënia e popullsisë në fshatra dhe plakja e saj ka bërë që fermat e vogla familjare me kafshë të shuhen. Për të njëjtat arsye ka rënë edhe prodhimi bujqësor në fushë.

Fermat familjare për vetëkonsum janë në faliment të vazhdueshëm nga pakësimi dhe plakja e popullsisë në fshat. Prodhimi bujqësor po organizohet në formë biznesesh me serra për eksport. Për shkak të këtij tranzicioni, tani fermerët që prodhonin për vetëkonsum janë kthyer në konsumatorë që nxisin rritjen e importeve të prodhimeve bujqësore nga jashtë.

Në bashkitë e vogla, pothuajse nuk ka më tregje fshatarësh. Familjet shqiptare lënë 39,7% të buxhetit të tyre për ushqime, krahasuar me mesataren europiane prej vetëm 13%./ Monitor

Video

Një vatër zjarri ka shpërthyer në orët e mbrëmjes në Orikum. Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Vlorës, ndërsa për ndihmë kanë shkuar edhe mjete dhe efektivë nga Himara. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit.

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë stuhinë më të fuqishme të dëborës në dhjetë vitet e fundit, e cila ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në furnizimin me energji elektrike dhe në transportin ajror, si dhe ka detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjence në një numër të madh shtetesh. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 130 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa mbi 12 mijë fluturime janë anuluar për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Gjendja e emergjencës është shpallur në 21 shtete, ku autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.

Alpinisti amerikan Alex Honnold ka realizuar një ngjitje historike të dielën, duke u bërë personi i parë që ka shkallëzuar ndërtesën më të lartë të Tajvanit, Taipei 101, pa përdorur litar, parzmore apo rrjet sigurie. Ngjitja u zhvillua në kushte të kontrolluara dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare, për shkak të nivelit ekstrem të rrezikut dhe vështirësisë që paraqet një strukturë prej 508 metrash lartësi. Taipei 101 konsiderohet një nga ndërtesat më ikonike në botë dhe një sfidë e jashtëzakonshme për çdo alpinist. Alex Honnold është i njohur globalisht për ngjitjet e tij pa mjete sigurie (free solo), duke shtyrë kufijtë e alpinizmit modern. Autoritetet lokale nuk kanë raportuar incidente gjatë ngjarjes, ndërsa ngjitja është cilësuar si një arritje e rrallë sportive dhe teknike.

Protestat e kamionistëve do të ndikojnë qarkullimin kufitar nga 26 janari. Automjetet e transportit të mallrave do të ndalohen të hyjnë dhe të dalin nga pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut: hyrja bllokohet nga mesnata, ndërsa dalja nga ora 12:00. Po ashtu, nga ora 11:30 e 26 janarit nis një grevë 48-orëshe e Shoqatës së Kamionistëve të Malit të Zi, duke ndaluar qarkullimin e kamionëve nga Shqipëria drejt këtij vendi. Në akset drejt kufirit me Malin e Zi do të lejohen vetëm automjete të vogla, autobusë, mjete emergjence dhe transport pasagjerësh. Përjashtim nga ndalimi bëjnë kamionët që transportojnë ilaçe dhe bagëti, ndërsa qarkullimi i automjeteve të udhëtarëve vijon normalisht. Protesta zhvillohet për shkak të kërkesave të kamionistëve për lehtësira fiskale, përmirësim të kushteve në dogana dhe kundërshtim të kufizimeve të punës së shoferëve në zonën Shengen.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme