
Kur autokrati urdhëron, rilindasit zbatojnë dhe pushteti vendor zhduket
Ervin Demo doli dje para kamerave për të folur për reformë territoriale, për standarde, për funksione dhe për Europë. Por pas gjithë këtij fjalori të lustruar, qytetari sheh qartë thelbin: kjo nuk është reformë për të fuqizuar bashkitë, por një tjetër operacion për t’i mbajtur ato nën kontrollin politik të Edi Ramës. Sepse sa herë kjo qeveri thotë “decentralizim”, Shqipëria përfundon me më shumë komandë nga qendra; sa herë thotë “pushtet vendor”, del në skenë pushteti personal i kryeministrit.
Dhe kjo nuk është figurë letrare. Vetë raportet europiane kanë shënuar se vala e dorëheqjeve dhe, në disa raste, shkarkimeve në administratat vendore gjatë vitit 2025, pas kërkesave publike të qeverisë qendrore për ndryshime në bashki, ngre shqetësime serioze në raport me parimet e vetëqeverisjes vendore. Pra, ajo që Rama e paraqet si disiplinë, në standardin europian shihet si problem.
Kjo është prova që shkatërron gjithë teatrin e Demo-s. Si mund të flasësh për “forcim të pushtetit vendor”, kur pak muaj më parë shefi yt politik u kërkoi kryebashkiakëve të shkarkonin nënkryetarë, drejtues njësish dhe drejtorë, me tone ultimative dhe arrogante? Kjo nuk ishte reformë. Ishte urdhër politik. Nuk ishte standard europian. Ishte demonstrim force.
Prandaj sot, kur Demo flet për “ritëm” dhe “transformim”, pyetja është e thjeshtë: transformim i kujt? I qytetit apo i zinxhirit të komandës? I interesit publik apo i kontrollit partiak? Sepse raportet serioze tregojnë se problemi kryesor në Shqipëri nuk është mungesa e një harte të re, por autonomia e dobët e bashkive, burimet e kufizuara financiare dhe varësia nga qeveria qendrore.
Kjo është arsyeja pse fjalimi i Demo-s nuk tingëllon si platformë reforme, por si justifikim i një modeli që e ka zbrazur pushtetin vendor nga përmbajtja. Bashkitë mbajnë barrën e shërbimeve publike, por nuk kanë fuqinë reale për të vendosur. Ndërkohë, qeveria qendrore kontrollon financat, ritmin dhe shpesh edhe administratën.
Edhe vetë progresi i reformave në këtë drejtim vlerësohet si i kufizuar. Pra, pas kaq vitesh qeverisje, rezultati mbetet i njëjtë: decentralizim në letër, por centralizim në praktikë.
Dhe këtu Ervin Demo shfaqet si fytyra e re e të njëjtit mekanizëm të vjetër: një përfaqësues politik që përpiqet të shesë si vizion atë që në thelb është nënshtrim. Ai flet për bashki më funksionale, por nuk flet për ndërhyrjen e qendrës. Ai flet për Europë, por nuk përmend standardet reale të vetëqeverisjes. Ai flet për qytetarët, por mbron një model ku qytetari është gjithmonë i fundit që pyetet.
Le ta themi troç: Rama nuk do bashki të forta; do bashki të bindura. Nuk do institucione të pavarura; do struktura që përgjigjen politikisht. Nuk do decentralizim real; do një sistem ku përgjegjësia zbret poshtë, por kontrolli mbetet lart.
Kjo është arsyeja pse çdo “reformë” e tyre prodhon të njëjtin rezultat: më pak autonomi lokale dhe më shumë kontroll nga qendra.
Prandaj qëndrimi opozitar duhet të jetë i qartë:
Jo një reforme që i shërben pushtetit qendror dhe jo qytetarit.
Jo një reforme që dobëson komunitetin dhe forcon kontrollin politik.
Jo një reforme që përdor Europën si justifikim për centralizim.
Shqipërisë i duhen bashki me dinjitet institucional, me financa të qëndrueshme, me kompetenca të qarta dhe me llogaridhënie ndaj qytetarëve. Gjithçka tjetër është një mashtrim politik i paketuar si reformë.






















