Editorial 3 Mars 2026, 16:24 Nga VNA

GJK i pret rrugën “plotësimit” të GJK me arsyetim unison: Pezullimi i ministrit s’është imunitet, neni 242/2 s’ka boshllëk dhe Kuvendi s’jep leje. Përplasja 4 me 4 vetëm për rolin e Parlamentit

Ndaje në Whatsapp

GJK i pret rrugën “plotësimit” të GJK me arsyetim

Më në fund, vendimi i GJK lidhur me kërkesën e Edi Ramës në mbrojtje të Ballukut është arsyetuar dhe publikuar. Tashmë dihet fati i çështjes dhe pasojat publike dhe politike që ka sjellë. Por nuk është pa interes edhe arsyetimi i vendimit, e sidomos për faktin se ky proces u shoqërua nga presion dhe tension i madh politik prej qeverisë. Vetë Edi Rama, në daljen e tij menjëherë pas vendimit, mori shkas për të iniciuar një projektligj i cili kërkon të plotësojë nenin e famshëm 242/2 të Kodit të Procedurës Penale që bën fjalë për mundësinë e pezullimit të një ministri në detyrë. Madje ai edhe kumtoi se mori shkas nga vendimi i gjykatës (që në atë kohë ishte vetëm një press release), duke pohuar se sipas tij edhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se ka nevojë për plotësim ligjor.

Në fakt, sot kemi edhe përgjigjen. Në një votim unison, Gjykata Kushtetuese ka marrë në analizë nenin 242/2 të Kodit të Procedurës Penale dhe, pasi ka arsyetuar nëse “imuniteti i deputetit” është i njëjtë me “imunitetin e ministrit”, ka dhënë përgjigje edhe pyetjes nëse në suazën e nocionit imunitet përfshihet apo jo edhe masa e pezullimit nga detyra.

Përgjigjja është e qartë dhe e prerë:

56…. Gjykata çmon të analizojë në vijim nëse në regjimin kushtetues të imuniteteve të ministrit, ashtu sikurse edhe në atë të deputetit, përfshihet apo jo garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2, të KPP-së.

57…. Gjykata thekson se një normë ligjore nuk mund të shërbejë si burim për t’i dhënë përmbajtje ose për të zgjeruar kuptimin e një norme kushtetuese; përkundrazi, është norma kushtetuese ajo që përcakton kuadrin dhe kufijtë brenda të cilëve duhet të interpretohet dhe zbatohet legjislacioni i zakonshëm. Për rrjedhojë, dispozita e mësipërme nuk mund të konsiderohet pjesë e regjimit kushtetues të imunitetit, i cili është i përcaktuar në mënyrë shteruese nga Kushtetuta.

58…… garancia ligjore e nenit 242, pika 2, të KPP-së nuk mund të interpretohet si një zgjatim i regjimit të imunitetit përtej kufijve kushtetues, por duhet të kuptohet në funksion të garantimit të integritetit të mandatit përfaqësues dhe të vullnetit të zgjedhësve.

Pra është e qartë se “pezullimi nga detyra e një ministri” si vendim gjykate nuk përfshihet te nocioni i imunitetit. Me fjalë të tjera, një anëtar qeverie është i pezullueshëm dhe, sipas kësaj logjike kushtetuese, as procedura që kërkohet në rastin e heqjes së imunitetit (dhënies së autorizimit) nuk ndjek procedurën në fjalë. Kujtojmë që në rastin e heqjes së imunitetit procedura kërkon që të jepet leje (autorizim) nga Kuvendi. Thënë ndryshe, për pezullimin nga detyra nuk kërkohet asnjë lloj leje nga Kuvendi, qeveria, kryeministri apo dikush tjetër. Mjafton kërkesa e prokurorisë në gjykatë dhe vendimi respektiv i gjykatës që miraton këtë kërkesë. Vendimi në fjalë ekzekutohet menjëherë, sapo i njoftohet palës së interesuar.

Gjykata, pra, nuk e ka gjetur këtë nen as si të paqartë, as si në kapërcim të Kushtetutës dhe as si të nevojshëm për t’u plotësuar me pasazhe të tjera, siç u përpoq të argumentonte Edi Rama dhe siç ai veproi duke depozituar iniciativën ligjore. Neni 242/2 i Kodit të Procedurës Penale është i zbatueshëm për çdo funksionar publik të Republikës së Shqipërisë, përfshirë ministrat, kryeministrin, Presidentin e Republikës, Avokatin e Popullit, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Të vetmit funksionarë ndaj të cilëve nuk aplikohet janë: deputetët, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë. Dhe kjo e ka një argument: ata janë të zgjedhur drejtpërdrejt nga sovrani me procese elektorale. Të gjithë të tjerët emërohen ose caktohen jo nga sovrani. Ata janë rrjedhojë ose e Kuvendit, ose e kryetarëve të bashkive, ose e këshillave bashkiakë. Pra ka dy kategori funksionarësh publikë: të zgjedhurit me votë – të cilët nuk pezullohen dot me vendim gjykate – dhe të emëruarit – të cilët pezullohen.

Interesante është edhe pjesa tjetër e vendimit që bën fjalë për ndarjen e anëtarëve të gjykatës në dy pjesë të barabarta prej 4 anëtarësh, kur bie fjala për shfuqizimin ose jo të vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të znj. Balluku.

4 anëtarë (votuan sipas këtij qëndrimi Kryetarja Fiona Papajorgji dhe gjyqtarët Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Marjana Semini) janë shprehur se:

65.Thënë kjo, nga njëra anë, është e qartë se vendosja e masës së pezullimit nga detyra ndaj një anëtari të Këshillit të Ministrave (ministrit), e cila nuk parashikohet shprehimisht nga Kushtetuta, për nga natyra dhe intensiteti i saj përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në ushtrimin e detyrës së tij. … 

68.Po kështu, edhe pse në rastin e deputetit këto garanci janë të tilla që ndalojnë pezullimin e tij, në vlerësimin tonë, edhe në rastin e ministrit, për sa kohë që masa e pezullimit është e tillë që sjell pasoja në ushtrimin e funksioneve kushtetuese të njërit prej pushteteve, është e nevojshme thirrja e Kuvendit, si organi që duhet të vlerësojë dhe verifikojë masën e kërkuar nga organi i akuzës. Prandaj, për të garantuar balancimin ndërmjet interesit kushtetues për ushtrimin efektiv të ndjekjes penale dhe funksionimit të rregullt të pushtetit ekzekutiv, edhe masa kufizuese e pezullimit do të duhet të kushtëzohet me autorizimin paraprak të Kuvendit, si mekanizëm kontrolli dhe ekuilibrimi institucional. 

69.Bazuar në këtë analizë, edhe pse kemi mbajtur qasjen se masa e pezullimit nga detyra sipas nenit 242, pika 2, të KPP-së nuk përfshihet në regjimin kushtetues të imunitetit të deputetit/ministrit, kjo nuk është e mjaftueshme për të përjashtuar apriori domosdoshmërinë e një vlerësimi të kësaj mase, e cila përbën një garanci për funksionarin publik gjatë ushtrimit të detyrës….. Nga ana tjetër, Kushtetuta nuk përmban asnjë ndalim ose kufizim për mundësinë e ushtrimit të kësaj forme kontrolli nga ana e pushtetit ligjvënës, e cila përfshin edhe verifikimin e zbatimit të garancive ligjore të funksionit politik të ministrit. Për rrjedhojë, çdo masë që sjell ndërprerjen/pezullimin, qoftë edhe të përkohshme, të ushtrimit të funksionit të një ministri prek drejtpërdrejt raportin e përgjegjshmërisë politike në aspektin procedural ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ. 

Sipas këtij arsyetimi të 4 anëtarëve më sipër, pranohet që pezullimi nuk përfshihet te imuniteti, por megjithatë ata janë të mendimit se edhe për këtë masë duhet të kërkohet autorizim prej Kuvendit, edhe pse Kushtetuta nuk parashikon një procedurë të tillë. Përfundimi logjik i arsyetimit të këtyre anëtarëve është se ata janë me idenë e krijimit ex novo të një rregulli të ri, që Kushtetuta nuk e përmban, por me anë të interpretimit kushtetues.

4 anëtarët e tjerë (votuan sipas këtij qëndrimi gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Genti Ibrahimi, Asim Vokshi dhe Ilir Toska) kanë mbajtur këtë qëndrim:

71…. çështja konkrete nuk mund të zgjidhet as vetëm përmes interpretimit të izoluar të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës dhe as nëpërmjet interpretimit të zgjeruar evolutiv të tij, që krijon një normë të re kushtetuese. … Në këtë kuadër shtrohet pyetja nëse masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës publike, sipas nenit 242 të KPP-së, ndaj një ministri është e tillë që kërkon autorizimin paraprak të Kuvendit, si garanci për të ruajtur ushtrimin e kompetencave të pushtetit ekzekutiv.

72.Neni 73, pika 2, i Kushtetutës parashikon autorizimin paraprak të Kuvendit vetëm për masat e listuara shprehimisht në të: arrestimin, heqjen e lirisë në çdo formë, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës. Pezullimi nga detyra qartazi nuk përfshihet në këtë listë. …. Mungesa e masës së pezullimit në tekstin e nenit 73 përbën zgjedhje të ligjvënësit kushtetues dhe nuk mund të tejkalohet me interpretim. Zgjerimi i imunitetit përmes interpretimit do të përbënte krijim norme të re kushtetuese, në kundërshtim me kompetencat e Gjykatës dhe parimin e epërsisë dhe zbatimit të drejtpërdrejtë të Kushtetutës.

73.Masa e pezullimit sipas nenit 242 të KPP-së nuk cenon lirinë personale dhe nuk prek të drejta themelore në kuptim të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës (integritetin personal dhe banesën), ndaj nuk mund të krahasohet me masat e imunitetit të listuara në Kushtetutë. Ajo synon mbrojtjen e integritetit të procesit penal, duke parandaluar rrezikun që ushtrimi i funksionit publik ekzekutiv të pengojë hetimin. Pretendimi se kjo masë cenon ndarjen e pushteteve, pasi ndikon në funksionimin e Këshillit të Ministrave, mbështetet në një premisë jo të saktë, pasi masa drejtohet ndaj individit dhe jo ndaj institucionit. Kompetencat e institucionit mbeten të paprekura dhe mund të ushtrohen sipas mekanizmave kushtetues të zëvendësimit, duke garantuar vijimësinë e funksionimit të pushtetit ekzekutiv.

76.Imuniteti kushtetues nuk është përjashtim i përgjithshëm nga juridiksioni penal, por mekanizëm i kufizuar ekuilibrues, i konceptuar për raste të caktuara dhe të përcaktuara qartë. Çdo zgjerim i tij përtej rasteve të parashikuara shprehimisht do të cenonte barazinë para ligjit dhe do të binte ndesh me orientimin e reformave kushtetuese të viteve 2012 dhe 2016.

Pra, 4 anëtarët e mësipërm janë të mendimit se pezullimi nga detyra i ministrave nuk përfshihet te imuniteti i tyre. Për pasojë, nëse vendoset një masë e tillë, ajo nuk kërkon që të merret leje nga Kuvendi. Gjykata Kushtetuese nuk mund të bëjë interpretim me anë të së cilit të shtojë një rregull të ri, sipas të cilit “edhe për pezullimin nga detyra duhet leje e Kuvendit”. Rregullat e Kushtetutës nuk mund të shtohen me interpretime të Gjykatës Kushtetuese, por vetëm nëse ndryshon Kushtetuta nga Kuvendi ose me referendum.

Vendimi përmban edhe një mendim paralel të gjyqtarëve Vokshi dhe Xhaferllari, të cilët, ndryshe nga të gjithë 6 anëtarët e tjerë, kanë mbajtur edhe qëndrimin më radikal, sipas të cilit kjo çështje as që duhej marrë në shqyrtim, sepse praktikisht nuk ka pasur ndonjë konflikt kompetencash midis Kryeministrit dhe GJKKO.

Ata shprehen se:

“Masa penale e sigurimit me natyrë ndaluese e pezullimit nga detyra nuk mund të barazohet me shkarkimin nga detyra të ministrit dhe, për rrjedhojë, nuk mund të pranohet se efektet e saj zvogëlojnë ose ndërhyjnë në kompetencën kushtetuese të Kryeministrit për të propozuar shkarkimin nga detyra të ministrit ose që zvogëlojnë funksionet e Këshillit të Ministrave. Pranimi i të kundërtës nuk pajtohet me frymën e parimit të ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, si dhe atë të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Në vlerësimin tonë, kërkesa është haptazi e papranueshme. Nisur nga mënyra e formulimit të objektit dhe përmbajtjes së saj, kërkesa, në thelb, nuk synon zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje kompetencash midis pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor (sepse dukshëm nuk ka një të tillë në nivel kushtetues), por anulimin e vendimeve individuale gjyqësore (përfshirë edhe pezullimin e tyre) të dhëna kundër zëvendëskryeministres dhe ministres… .

Nëpërmjet vendimeve të gjykatës së posaçme, objekt i kësaj kërkese kushtetuese, Kryeministrit ose Këshillit të Ministrave nuk i është marrë, bllokuar, paralizuar ose vështirësuar institucionalisht ushtrimi i kompetencave të tyre kushtetuese. Kërkuesi i ka të pacenuara kompetencat kushtetuese për zgjidhjen e situatës kur individi i caktuar si ministër është në pamundësi objektive për ushtrimin e detyrës. Këtu duhet mbajtur parasysh se neni 242 i KPP-së nuk bllokon kompetencat e ministrit si institucion, por ndalon individin e marrë të pandehur që të dëmtojë procesin penal nëpërmjet ushtrimit të funksioneve ekzekutive.”

Përfundimisht, ky vendim sqaron shumë gjëra.

Së pari, se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Nuk jemi përpara një “mosvendimi” apo një dështimi të Gjykatës për t’i dhënë përgjigje kërkesës së Kryeministrit.

Së dyti, se pezullimi nga detyra e një ministri nuk përfshihet në suazën e imunitetit të ministrit dhe ky vendim është marrë me unanimitet.

Së treti, nuk ka asnjë boshllëk ligjor apo kushtetues në këtë çështje.

Së katërti, 4 anëtarë janë të mendimit se edhe pse “pezullimi nga detyra” nuk përfshihet te imuniteti, duhet kërkuar leje nga Kuvendi, edhe pse Kushtetuta nuk e parashikon këtë rregull. Ata, mesa duket, mendojnë se ky rregull mund të shtohet me interpretim që e bën Gjykata.

Së pesti, 4 anëtarë të tjerë janë të mendimit se “pezullimi nga detyra” nuk përfshihet te imuniteti dhe për këtë shkak nuk kërkohet leje nga Kuvendi. Asnjë rregull i tillë nuk mund të shtohet me vendim interpretues të Gjykatës. Nëse kërkohet, kjo mund të bëhet vetëm me ndryshime të Kushtetutës sipas rregullave normale (Kuvend ose populli me referendum).

Së gjashti, 2 anëtarë janë të mendimit se nuk ka ndonjë konflikt kompetencash mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë. Drejtësia thjesht po ushtron kompetencat e veta kushtetuese për të hetuar.

Së fundmi, mjafton të lexosh këto qëndrime dhe kuptohet fare lehtë edhe impakti i presionit politik dhe rezistencës institucionale ku u ndodh Gjykata Kushtetuese në këtë kapitull të zhvillimeve politike, që, mesa duket, me këtë vendim mbyllet përfundimisht. Për të hapur kapitullin tjetër, atë të betejës për heqjen ose jo të imunitetit për znj. Balluku, tashmë jo me duart e të tjerëve, por të vetat.

Video

Drejtori i ARRSH gazetarëve: do pres ç’do thonë dhe ekspertët në TV për të bërë më të mirën për aksin e dëmtuar të Librazhdit

Një avion luftarak amerikan është rrëzuar në Kuvajt, ndërsa piloti arriti të shpëtojë duke u hedhur me parashutë pak çaste para përplasjes me tokën. Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit bëri të ditur se në incident janë përfshirë “disa” mjete ajrore, duke siguruar se të gjithë anëtarët e ekuipazheve kanë mbijetuar. Operacionet e shpëtimit nisën menjëherë pas ngjarjes dhe personeli u transportua në spital për kontrolle mjekësore. Gjendja e tyre raportohet e qëndrueshme.

Ish-kryeministri Sali Berisha në SPAK në zbatim të masës detyrim për paraqitje.

Një video e re ka kapur momentin e shpërthimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait mbrëmjen e së shtunës. Pamjet tregojnë pasagjerë dhe punonjës që vrapojnë në panik drejt daljeve emergjente. Dëgjohen shpërthime dhe aktivizohen alarmet e sigurisë. Sulmi dyshohet se është pjesë e hakmarrjes së Iranit pas përshkallëzimit të tensioneve me SHBa dhe Izraelin.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme