Editorial 23 Shkurt 2026, 09:28 Nga VNA

Dhe yjet rrinë e vështrojnë!

Ndaje në Whatsapp
Dhe yjet rrinë e vështrojnë!

Që kur shpërtheu çështja Balluku, Sali Berisha ka organizuar tre protesta të njëpasnjëshme. Të dhunshme dhe piroteknike. Me fishekzjarrë dhe molotovë. E sigurisht përgjigjja e Ramës me ujë autoblindash dhe gaz lotsjellës i skaduar që nga koha e Sandër Lleshit, nuk mund të mungonte. Berisha ka investuar burime financiare jo të vogla për të grumbulluar njerëz në bulevard. Kush e njeh jetën e PD, e di mirë se protestat në shesh janë edhe një mobilizim i madh financiar. Sigurisht që ka mobilizuar edhe ato që i quan struktura dhe e ka pozicionuar PD-në si një forcë të gatshme edhe për dhunë fizike — mesazh i qartë e i qëllimshëm ky. E në fakt rasti Balluku, e sidomos sjellja e Ramës dhe marrja zvarrë e Kuvendit dhe sulmi ndaj drejtësisë, është i tillë që e justifikon këtë acarim publik. Berisha tashmë ka thirrur edhe protestën e katërt. Dhe si asnjëherë më parë, përveç se në 1997, ka kaluar një kufi që kishte mbetur i paprekur: ka kërcënuar me goditjen dhe dhunën fizike ndaj selive të PS-së.

Ky është një eskalim i rëndësishëm. Deri tani, i vetmi precedent i dhunës ndaj ndërtesave të partive (përveç 1997) ishte sulmi ndaj selisë së vetë PD-së, në 8 janar 2022 — dhe ai ndodhi në rrethanat e një krize ekzistenciale për Berishën. Kërcënimi ndaj selive të PS-së shënon një nivel tjetër agresiviteti.

Po kështu është e vërtetë se, si asnjëherë më parë — përveç 8 janarit 2022 — pas protestës së 20 shkurtit, ndodhi dhe një detaj i vogël, por shumë domethënës. Për herë të parë u pa Policia e Shtetit e pozicionuar para hyrjes së selisë së PD-së në formacion sulmi e mbështetur me autoblinda. Pritej vetëm të mësynin brenda sakaq, dhe me aq pak njerëz që ndodheshin në seli (pasi deputetët e PD vrapuan çuditshëm të braktisnin selinë!!), mund ta zaptonin sa hap e mbyll sytë atë, dhe mund “të kapnin rob” cilin të donin, së paku qoftë edhe si provë force. Vetëm ndërhyrja e një “dore të padukshme” ishte ajo që shkrehu policinë dhe e zmbrapsi veprimin në momentin e fundit. Edi Rama, duket edhe ai, i skërmiti dhëmbët Sali Berishës.

Paralelisht me këto skena jemi dëshmitarë se presioni ndërkombëtar kundër Ramës është i qartë, i vazhdueshëm dhe tashmë edhe i hapur e jashtë diplomacisë: imuniteti i Ballukut duhet hequr dhe nuk duhet marrë asnjë iniciativë ligjore që ta bllokojë drejtësinë. “Balluku mbetet test kritik politik për qeverinë,” tha David McAllister — jo si shprehje diplomatike rutinë, por si paralajmërim.

Rama e ka lexuar këtë presion. Ishte po ai që lexoi edhe vendimin 4:4 të Gjykatës Kushtetuese — dhe zgjodhi, pas dëshpërimit fillestar, ta interpretojë si fitore. Duke pretenduar se “vetëm SPAK është i përmbushur” nga vendimi, ai ndërtoi një arsyetim të shpejt për zvarritjen e heqjes së imunitetit të Ballukut: sipas tij, nuk kishte më nevojë të ecej me heqjen e imunitetit, pasi Gjykata Kushtetuese kishte lënë “pezullimin nga detyra” në fuqi. Sipas Ramës, Gjykata Kushtetuese kishte identifikuar boshllëqe ligjore lidhur me “pezullimin nga detyra” që ai (Rama) të inicionte ndryshime ligjore të mirëstudiuara tashmë për të ruajtur parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe ekzekutivit në veçanti. Çështja është se deri më sot arsyetimi i plotë i GJK akoma nuk ka dalë publikisht dhe askush — as Rama vetë — nuk mund ta dijë ende çfarë ka thënë saktësisht gjykata. Megjithatë, ky “interpretim” i shërbeu Ramës për të deklaruar shtyrjen pa datë trajtimi, të kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit.

Befas, pas disa ditësh, Niko Peleshi lëshoi sinjal se Këshilli i Mandateve do të mblidhej “shumë shpejt.” Një kthesë e papritur — apo një lëvizje e kalkuluar për të ulur presionin ndërkombëtar, nuk dihet — por sot hënën mblidhet ky Këshill i zvarritur plot 2 muaj.

Përveç sa më sipër, qysh nga nëntori, Rama nuk ka lënë segment të drejtësisë pa e sulmuar. Prokurorin dhe gjyqtarin e SPAK-ut i ka akuzuar se “u mblodhën kokë me kokë” në një “spirale konspiracioni” kundër ndarjes së pushteteve. Gjyqtarët e GJK-së i ka quajtur “kokëbosh.” Një retorikë që synon qartë diskreditimin e institucioneve para se ato të prodhojnë vendime. Dhe me iniciativën ligjore që ka depozituar, synon neutralizimin final të tyre. Deklaratë lufte e hapur tashmë. Berisha, nga ana e tij, luftën e ka shpallur prej kohësh. Tashmë ka zgjeruar frontin e sulmeve. Përveç ritualit të mëngjesit të të hënave — ku Altin Troplini dhe Irena me 55 mbiemra marrin vargun e plotë të fyerjeve — tani ka shtuar edhe katër anëtarët “pro-Belindë” të GJK-së, që i cilëson si të udhëhequr nga kryetarja ekstremiste socialiste Papajorgji dhe “njëfarë Beci, Beci.” (e vetmja çudia është se nuk përmend as Mariana Seminin dhe as Sonila Bejtjan!!)

E pra, pamja e jashtme e skenës politike është e qartë: dy palë që shfaqen më të acaruara se kurrë që nga viti 1997. Dhe duhet ta pranojmë se edhe pritshmëritë e publikut të gjerë janë të mëdha. Sigurisht jo për arsyet që Berisha nxjerr dhe jo se ky acarim i publikut, amniston Berishën, por duket që është kundër Ramës dhe enturazhit të tij.

Megjithatë, siç thotë një shprehje e njohur, “apparenza inganna” – pamja të mashtron. Ekziston një fakt i vogël, pothuaj i padukshëm — por thelbësor — në zhurmën e madhe që po stisin Rama dhe Berisha.

Është fakt se në duart e Berishës dhe të deputetëve të tij anëtarë të Këshillit të Mandateve ndodhen të gjitha provat e dosjes Balluku: dokumente, foto, video, përgjime, mesazhe, plot 16 mijë faqe material hetimor. Të gjitha zyrtare. I ka edhe Rama. Të dy e dinë se çfarë përmbajnë, sa thellë e sa shumë gjëra implikojnë. E ngjashme me kutinë e Pandorës. Është e kuptueshme pse Rama nuk i nxjerr: çdo gjë që mund ta diskreditojë Ballukun, njerëzit e saj, stafin e saj, bizneset e përfshira me të, diskrediton edhe atë vetë. Për më tepër, aq pak leksik i përdorur në materialet e dosjes — “palloshi”, “i gjati”, “mos ma çaj këtë”, “mos ma qeth atë” — mesa duket nuk është i huaj as për Ramën, as për shumë prej të tijve, është po aq pak domethënës, krahasuar me atë çka realisht përmban ajo kuti.

Po Berisha? Si ka mundësi që dora vetë Sali Berisha nuk po e përdor këtë arsenal të plotë që ka në dorë? Dhe nuk ka shkrepur asnjë fishek deri më sot.

Berisha, të gjithë historinë e tij politike, verbin politik, argumentin politik, në qeveri apo opozitë e ka bazuar sistematikisht mbi “scoop”-et skandaloze, të vërteta apo të sajuara. Ai nuk ka lënë asnjë kundërshtar pa i nxjerrë letra, dokumente, gjysmë-informacione, të dhëna të qytetarit dixhital, dhe rëndom edhe shpifje të hapëta. Ndaj atyre që i konsideron armiq të vërtetë, nuk ka treguar kurrë mëshirë apo frikë nga pasojat ligjore. Pengesa ligjore — sekreti hetimor pra — për të as ka ekzistuar e as ekziston edhe tani. Për më shumë ai vetë është nën procedim penal nga SPAK — një akuzë më shumë a më pak nuk do t’i ndryshonte figurën publike. Edhe në këtë rast, nëse hipotetikisht do ta procedonin, ai do ta shndërronte lehtësisht veten në viktimë të së drejtës së opozitës për të bërë politikë. Aq më shumë e drejta do të ishte në anën e tij, sepse kjo pengesë — ruajtja e sekretit hetimor — ka kuptim vetëm kur Parlamenti funksionon normalisht. Kur kërkesa e heqjes së imunitetit për një ministër trajtohet shpejt, kur Këshilli i Mandateve nuk zvarritet e shtyhet pa datë, kur Kuvendi shërben si mjet vonese dhe jo si institucion. Pikërisht kjo sjellje e kalon të drejtën në anën e atij që bën publike të dhënat që i atribuohen të akuzuarit. Dhe bëhet fjalë për një nga skandalet me impaktin më të madh financiar, politik dhe publik të ndodhur ndonjëherë. 16 mijë faqe prova rrinë të mbyllura. Askush nuk flet. Asnjë rrjet mediatik i afërt me Berishën nuk i ka rritur presionin për këtë çështje. Asnjë deputet i PD-së nuk ka ngritur zërin me forcë. Një sjellje atipike dhe antipolitike që Berisha çuditërisht e ka bërë të vetën pa asnjë rezistencë.

Madje edhe kur Agron Shehaj, një herë të vetme, propozoi që provat t’u shpërndaheshin deputetëve, Gazmend Bardhi i ra si skifter: “po respektojmë ligjin për sekretin hetimor,” tha ai. Pikërisht ai Bardhi, i cili dikur nxori gjysmë dokumentesh që aludonin për vëllanë e Edi Ramës në rastin “Xibraka” — mori guximin të sfidonte ligjin atëherë pa u dridhur — dhe nuk pati asnjë pasojë ligjore as civile, as penale, pavarësisht përbetimeve të vëllezërve Rama.

Kështu pra, të dyja palët, Rama dhe Berisha, kanë në dorë “barut, armë, topa, raketa dhe drone” — metaforikisht këto — të afta që, nëse bëhen publike, të lënë pa frymë gjithë publikun dhe të shpërbëjnë në sytë e tij, ngrehinën e pushtetit. Por ama kanë zgjedhur të bëjnë “lojë” në bulevard me molotovë dhe fishekzjarrë argëtuese, apo me ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Çfarë përmbajnë ato dokumente, foto, video, përgjime, që i kanë vetëm ata — dhe askush nuk i lëshon? Cilat implikojnë këto dokumente? E mbi të gjitha, çfarë i mban të dy kampet në heshtje të njëkohshme, të koordinuar, në harmoni të pakërkuar me njëri-tjetrin?

Nuk e dimë. Ndoshta nuk do ta dimë edhe për ca kohë. Por ajo që dimë është kjo: marrëveshja mes Ramës dhe Berishës — e pashkruar, e kahershme, e papranuar kurrë — është e fortë, e qëndrueshme dhe e pandërprerë, para çdo proteste, pas çdo proteste dhe përtej çdo retorike lufte. Ky është akti që i demaskon të dy — secilin, në pozitën e vet.

Dhe Belinda rri e vështron!

-----------------------------------
* Romani i Archibald Joseph Cronin, botuar në 1935, është një nga veprat më të fuqishme të letërsisë sociale britanike të shekullit XX. Ideja e tij kryesore mund të përmblidhet në këtë pasazh nga vetë romani:“Yjet shikojnë poshtë me sy të ftohtë e të qetë. Nuk u intereson fati i njeriut. Njerëzit lindin, vuajnë, luftojnë dhe vdesin — dhe yjet vazhdojnë të ndritin njëlloj, indiferentë, të përjetshëm. E megjithatë njeriu, ky qenie e vogël dhe e brishtë, nuk pushon së kërkuari drejtësi në një botë që nuk di çfarë është drejtësia.”

Thelbi i romanit — dhe i kësaj ideje — është kontrasti tragjik midis ambicies njerëzore për drejtësi sociale dhe indiferencës së sistemit ndaj kësaj kërkese. Kronin tregon nëpërmjet minatorëve të Northumberlandit se si njerëzit e thjeshtë vuajnë, sakrifikojnë dhe shpresojnë — ndërsa ata që mbajnë pushtetin, si yjet, vazhdojnë në rrugën e tyre të pandryshuar, pa u lëkundur e pa dhënë llogari. Yjet nuk janë simbol optimizmi — janë simbol i pavdekësisë së padrejtësisë.

Video

Një bar në zonën e fundit të Lungomares në Vlorë u përfshi nga flakët mbrëmjen e sotme. Zjarri u përhap shpejt për shkak të materialit drusor, duke rrezikuar edhe ambientet përreth, por u izolua nga zjarrfikësit. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha. Shkaqet e zjarrit po hetohen.

Numri i viktimave ka shkuar në 74 persona pas operacionit të autoriteteve meksikane që përfundoi me vrasjen e bos-it të kartelit të njohur si “El Mencho”, duke shkaktuar një valë të re dhune në vend. Mes të vdekurve janë 25 oficerë të Gardës Kombëtare, 17 oficerë të zbatimit të ligjit, si edhe një agjent i zyrës së prokurorit dhe një roje burgu. Viktimat civile përfshijnë edhe një grua në muajin e tretë të shtatzënisë. Pas përplasjeve, autoritetet kanë ndërmarrë një valë arrestimesh, duke ndaluar mbi 30 persona. Sipas të dhënave zyrtare, 12 prej tyre akuzohen për incidente dhune, ndërsa mbi 20 të tjerë për plaçkitje të bizneseve dhe institucioneve të kreditit.

Ambasadori i BE në Kuvend teksa zhvillohet mbledhja për Ballukun.

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi është vetë-dorëzuar pranë pikës kufitare Bllacë me Kosovën, pasi ishte shpallur në kërkim pas masës së arrestit me burg. Në video momenti i shoqërimit

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme