Njoftimi i sotëm i Niko Peleshit për të mos mbledhur Këshillin e Mandateve për shqyrtimin e imunitetit të Ballukut nuk është aspak një rrufe në qiell të pastër. Përkundrazi, ai ishte paralajmëruar qartë nga Rama që në dhjetorin e kaluar. Sipas kësaj logjike të shpallur publikisht, Kuvendi do të presë që Gjykata Kushtetuese të shprehet fillimisht dhe vetëm më pas Niko me shokë do të vendosin nëse do të shprehen apo jo për imunitetin e shoqes së tyre, Ballukut. Kjo është një tallje monumentale me Kushtetutën, me Republikën, me ligjin dhe me çdo parim themelor që mban në këmbë një shtet të së drejtës. Ky është, në thelb dhe në formë, një grusht i pastër shteti që Kuvendi i bën drejtësisë.
Pretendimi se Kuvendi duhet të shprehet vetëm pasi të jetë shprehur Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë lidhje, as juridike, as logjike dhe as politike. Është thjesht një akt i hapur dhe i paskrupullt shpërfilljeje ndaj drejtësisë nga ana e Ramës. Ai nuk e dorëzon Ballukun. Çështja që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ka një objekt shumë të ngushtë dhe të përcaktuar: nëse SPAK ka të drejtë të kërkojë pezullimin nga detyra të një ministri. Ndërkohë, ajo që Kuvendi duhet të shqyrtojë është një çështje krejt tjetër: nëse do të hiqet apo jo imuniteti i një deputeti. Këto janë dy kërkesa të ndryshme, të pavarura dhe të shkëputura nga njëra-tjetra.
E para është një çështje gjyqësore, që trajtohet nga Gjykata Kushtetuese. E dyta është një çështje e natyrës politike dhe kushtetuese, që i përket ekskluzivisht Kuvendit. E para lidhet me një vendim gjykate të marrë nga GJKKO, ndërsa e dyta është iniciuar mbi bazën e një kërkese të drejtpërdrejtë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). E para ka në themel rastin kur Balluku akuzohej për Tunelin e Llogarasë dhe një lot të Unazës së Tiranës, ndërsa e dyta u iniciua pasi rezultoi se dosjet penale kundër Ballukut tashmë janë bërë rreth 11 të tilla. Vetë SPAK-u, në fakt, në këtë fazë nuk ka më interes për pezullimin nga detyra dhe, rrjedhimisht, as për gjykimin në Gjykatën Kushtetuese, pasi e konsideron pezullimin si një mjet të pamjaftueshëm për të mbrojtur hetimet. Për këtë arsye ka kërkuar procedimin me arrest, si masë më proporcionale dhe efektive.
Ndoshta është edhe e tepërt të sqarohet më tej, në aspektin juridik, se këto dy çështje nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, sepse kjo është më se e qartë. Arsyeja e vërtetë është shumë më e thjeshtë dhe shumë më brutale: Rama po e shpërfill SPAK-un haptaz. Harrojini lavditë e dikurshme për miratimin e Reformës në Drejtësi nga Partia Socialiste. Harrojini mburrjet politike se Reforma do të qëndrojë në këmbë sepse vetëm PS është garanci e saj. Harrojini pretendimet se afrimi i Shqipërisë me BE-në është fryt i Reformës në Drejtësi dhe i rezultateve të saj të sjella nga PS. Harrojini edhe fjalët mbështetëse ndaj SPAK-ut, të shoqëruara me relativizime për “nja dy gabime të vogla rritjeje”. Me aktin e sotëm, situata është bërë krejtësisht e qartë: imuniteti i Ballukut nuk do të hiqet. Dhe, përfundimisht, Rama ka rivendosur edhe një herë sistemin e imuniteteve për veten dhe për të tijtë. Ky është një rikthim i hapur në situatën para vitit 2016, kur drejtësia e kishte të ndaluar të hetonte korrupsionin qeveritar; madje është një rikthim edhe më pas, para vitit 2012, kur as ligjërisht nuk lejohej hetimi i qeveritarëve të korruptuar.
Kjo është tashmë e qartë. Me justifikimin banal të sotëm, efekti i vetëm konkret është vendosja e Gjykatës Kushtetuese nën presion të hapur politik dhe thyerja përfundimtare edhe e saj. Sinjali ishte i qartë edhe kur kjo e fundit shtyu vendimmarrjen, pasi mesa duket ka kuptuar se Rama po përpiqet ta përdorë si alibi. Në fakt, çfarëdo vendimi që Gjykata Kushtetuese të japë për çështjen që ka në dorë, siç u pohua më lart, nuk i shërben SPAK-ut. Në lojë është thjesht fakti nëse edhe Gjykata Kushtetuese do ta shoqërojë Ramën në shpërfilljen dhe pengimin e drejtësisë apo jo. Edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos të rrëzojë kërkesën e Ramës dhe të pezullojë Ballukun, Rama sërish nuk do t’ia heqë imunitetin. Dhe mesa duket, kjo legjislaturë nuk do të heqë asnjë imunitet për askënd. Por, siç u bë e qartë, edhe një pezullim nga detyra nuk do t’i bënte aspak punë SPAK-ut.
Përfundimisht, pra, në vitin 2026, në një moment kur – për ironi të fatit – duket se jemi më afër Bashkimit Europian (falë Reformës në Drejtësi), Rama ka marrë kazmën për të çmontuar një e nga një institucionet e drejtësisë: fillimisht SPAK-un, duke e shpërfillur hapur, e më pas Gjykatën Kushtetuese, duke u përpjekur ta përkulë përmes presionit politik.
R.I.P. Reforma në Drejtësi!






















