Editorial 21 Janar 2026, 20:34 Nga VNA

Mes heshtjes së Ballukut dhe ankthit të Ramës: Gjyqi në Kushtetuese që vendos në provë drejtësinë, politikën dhe aleancat e padukshme

Ndaje në Whatsapp
Mes heshtjes së Ballukut dhe ankthit të Ramës: Gjyqi në

Nga Desada Metaj

Nesër pritet të zhvillohet gjykimi në Gjykatën Kushtetuese për çështjen Balluku. Interesi publik është i jashtëzakonshëm. Jo për faktin se Agron Shehaj ka paralajmëruar një tubim para Gjykatës Kushtetuese, për të cilin ende nuk dihet qartë nëse është në mbështetje apo kundër saj, por sepse bëhet fjalë për një çështje që ndan qartë dhe pa ekuivok disa prej vijave themelore të jetës politike dhe institucionale të vendit.

Kjo është një çështje që ndan hipokrizinë e deritanishme të politikës — e cila në deklarata publike mbështet drejtësinë dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë — nga qëndrimet reale, sapo drejtësia prek pushtetin apo karrigen e partisë. Do të ndajë nëse Partia Demokratike e drejtuar nga Berisha do të japë realisht një kontribut kundër korrupsionit, apo do të vijojë bashkëpunimin faktik me Ramën, ashtu siç ka ndodhur deri tani. Do të ndajë gjithashtu nëse në Gjykatën Kushtetuese kemi përfundimisht një shumicë të nënshtruar ndaj presionit politik të Kryeministrit Rama, apo një institucion që mbetet realisht i pavarur.

Deri tani dihet se vetëm tre gjyqtarë, pjesë e pakicës në vendimin e ndërmjetëm, kanë mbajtur një pozicion të qartë dhe të artikuluar. Të tjerët ende nuk janë shprehur përfundimisht.

Kjo çështje do të testojë edhe pozicionimin e ndërkombëtarëve përballë konsolidimit të sistemit të drejtësisë. Nuk është pa domethënie fakti që dy ambasadorët më të rëndësishëm në vend — ai i Bashkimit Europian dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës — kanë zhvilluar vizita në Gjykatën Kushtetuese. Këto nuk janë vizita formale për të prodhuar fotografi për rrjetet sociale, por sinjale të qarta politike dhe institucionale mbi rëndësinë e momentit.

Sigurisht, çështja do të tregojë edhe nëse fati politik dhe penal i Ballukut është i pandashëm nga ai i Ramës. Ky i fundit duket se është “tërë sy e vesh” nga Gjykata Kushtetuese. Këtë e dëshmoi dy ditë më parë, kur për çështjen e pagave të gjyqtarëve u tregua jashtëzakonisht i vëmendshëm, deri në atë pikë sa sulmoi sërish Gjykatën Kushtetuese për një vendimmarrje ende të pa marrë.

Madje, me një vëmendje thuajse të tepruar, ai përgëzoi edhe SPAK-un që nuk iu bashkua shoqatës së gjyqtarëve. Një detaj i vogël, por domethënës, që e tradhton: SPAK-u në fakt nuk ishte palë në atë gjykim dhe as ishte thirrur fare. Ishte thjesht një rast për Ramën për të lëshuar sinjale miklimi, qoftë ndaj SPAK-ut, qoftë ndaj publikut, për të krijuar perceptimin se ai jo gjithmonë e sulmon SPAK-un. Ndonjëherë, madje, edhe e përgëzon — edhe kur nuk ka asnjë arsye reale për ta bërë këtë.

Urojmë që nesër seanca publike të transmetohet live, jo thjesht si një standard formal, por si një e mirë publike. Gjykimi do të zhvillohet, por me shumë gjasa nuk do të ketë ende një vendim. Megjithatë, transparenca e procesit, argumentet e palëve, pyetjet e gjyqtarëve dhe debati ndërmjet tyre do të tregojnë qartë se nga qëndron e drejta — të paktën aq sa publiku i gjerë ka aftësinë intuitive për ta kuptuar.

Që nga vendimi i ndërmjetëm i Gjykatës Kushtetuese, i cili pezulloi “pezullimin nga detyra” të Ballukut, kanë ndodhur shumë gjëra. Hamendësimet janë shtuar, intrigat e brendshme — dhe jo vetëm — kanë marrë një dinamikë të re. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është heshtja mistike e Ballukut.

Mesa duket, ajo ia ka deleguar këtë betejë vetë Ramës, duke lënë pa përgjigje një pyetje thelbësore: a është kjo një zgjedhje e lirë politike e Ramës, apo një detyrim politik dhe penal për të hyrë në përplasje të drejtpërdrejtë me drejtësinë?

Kjo do të kuptohet në ditët në vijim. Deri sot, një gjë është e qartë: mazhoranca e tij ndodhet në një barrikadë të gatshme për betejë reale kundër drejtësisë së re — asaj që Edi Rama e paketon si “krijesën e tij dhe të PS-së”.

Video

Kërkojmë dhunë demokratike

Në Foltore.. Aftësia e të folurit bukur duke mos thënë asgjë

“Trump për Hamasin: Hamasi ka rënë dakord të dorëzojë armët. Ata kanë lindur me armë në duar, ndaj nuk është e lehtë ta bëjnë këtë. Por kjo është ajo për të cilën kanë rënë dakord. Duhet ta bëjnë. Dhe nëse nuk e bëjnë, do të—do të shkatërrohen shumë shpejt,"-deklaroi presidenti amerikan gjatë Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës.

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej 4 qytetarëve të vrarë më 21 janar 2011, mbërrin në SPAK ku thotë se i ka kërkuar takim Alfred Shehut, prokurorit që po heton ngjarjet e dhunshme të 15 viteve më parë. SPAK po heton se kush dha urdhrin për të qëlluar mbi protestuesit. https://www.vna.al/kronika/mark-nika-ne-spak-kerkon-takim-me-prokurorin-qe-heton-21-janarin-i19130

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme