Editorial 12 Shkurt 2026, 12:24 Nga VNA

Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese…dhe përballja finale mes Edi Ramës dhe drejtësisë

Ndaje në Whatsapp

Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese…dhe

Nga Desada Metaj

Nuk është lajthitje. As ndonjë shkrim i harruar në sirtar i kohës para se të jepej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ballukun. Është më aktual se kurrë. Madje, nëse është dikush që e pret me ngulm këtë vendim, ai është vetë Edi Rama.

Vendimi ishte surprizë për shumëkënd, në politikë dhe media, por ai kapi në befasi edhe Edi Ramën dhe enturazhin e tij, të cilët, mesa duket, nuk e prisnin një përmbysje të situatës. Reagimi i tyre i menjëhershëm ishte një ofensivë e sinkronizuar për ta etiketuar rezultatin 4:4 në opinionin publik si dështim të GJK, si “një vendim pa vendim”, si një “mosvendim që nuk zgjidhi çështjen” dhe, për rrjedhojë, si dështim të reformës në drejtësi. Duke harruar – qëllimisht – se në fakt ka një vendim. Dhe ai vendim ka rrëzuar pastër kryeministrin Rama, madje me një votim 8:0 që rrëzon pretendimin themelor të Ramës: se “pezullimi nga detyra” nuk përfshihet në suazën e konceptit “imunitet” që gëzojnë deputetët dhe ministrat sipas Kushtetutës, si dhe ka rrëzuar Belinda Ballukun.

Protesta e PD duket se e fashiti përkohësisht interesin publik ndaj përballjes së vetme reale dhe serioze që po zhvillohet në këto momente: atë mes qeverisë dhe drejtësisë. Në fakt, nëse qeveria sot ndodhet në një nga situatat më të vështira të 12 viteve të fundit – situatë nga e cila përpiqet të përfitojë në mënyrë parazitare edhe Sali Berisha – kjo ndodh falë veprimeve të SPAK dhe institucioneve të drejtësisë. Madje, kaq apatike është opozita sa, pa kaluar 24 orë nga molotovët, u ul në një tryezë me mazhorancën, duke lënë mënjanë të vetmen tezë fituese përballë mazhorancës: drejtësinë.

Dhe për këtë kishte menduar Edi Rama, që bëri të qartë, të hënën pas mbledhjes së grupit parlamentar, se cili do të ishte plani i tij – i sajuar aty për aty pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Grupi parlamentar socialist – sipas tij – do të angazhohej për “zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion”. Dhe kjo, sepse – sipas Ramës – “të gjithë anëtarët e trupës së Gjykatës shfaqen unanimë lidhur me problemin, por ndahen në rrugëzgjidhje”. Një spekulim i hapur i Ramës ky.

Shpejtësia me të cilën ndryshoi justifikim, si dhe abuzimi i hapur me atë që pretendon se ka thënë Gjykata Kushtetuese, është arsyeja kyçe pse arsyetimi i vendimit merr një rëndësi edhe më të madhe. Fabula e Ramës është e thjeshtë: vetë Gjykata, sipas tij, ka konstatuar një mungesë ligjore, një boshllëk a paqartësi që duhet plotësuar me ndryshime. Dhe ai, si zbatues i zellshëm i vendimeve të Gjykatës, po e “zgjidh” problemin përmes ndërhyrjes ligjore. Një histori banale kjo, por e treguar shpesh nga Rama.

Ndaj tashmë jo vetëm Rama, por të gjithë jemi në pritje të arsyetimit të plotë të vendimit. Çfarë ka arsyetuar saktësisht GJK lidhur me pretendimet e Ramës? A ka pohuar Gjykata se imuniteti sipas Kushtetutës nuk përfshin “pezullimin nga detyra” të anëtarëve të qeverisë? Nëse po, a duhet SPAK apo GJKKO të marrin leje nga dikush përpara se të vendosin një masë të tillë sigurimi? A ka thënë vërtet GJK se “duhen ndryshime ligjore”, siç pretendon Rama?

Rama duket tashmë i vendosur të ndërmarrë rrugën e ndryshimeve ligjore. Ndryshime që, pa asnjë diplomaci juridike dhe pa shumë kujdes ndaj reagimit të partnerëve ndërkombëtarë, synojnë të krijojnë një fortifikim të ri imunitar për anëtarët e qeverisë. Përfshirja në të njëjtën paketë e figurës së Presidentit, Avokatit të Popullit apo Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë (nëse ky është variant i vërtetë i ndryshimit), sa qesharake, po aq e bën edhe më të qartë synimin real: mbrojtjen e vetes dhe rrethit të bashkëpunëtorëve të tij. Shqipëria qartas po shkon drejt një Republike të imuniteteve.

Jo vetëm kaq. Rama po nxiton. Synon ta kalojë me shpejtësi në Parlament, atje ku nuk ka asnjë pengesë numerike. Aq shpejt, sa të parakalojë ndoshta edhe arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas ligjit, duhet të zbardhet maksimalisht brenda 30 ditëve nga shpallja. Kjo sepse, të mos harrojmë që në pritje është edhe Apeli i GJKKO, i cili e la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit për Ballukun, por pezulloi shqyrtimin e masës së “pezullimit nga detyra” të Ballukut, deri në shprehjen e Gjykatës Kushtetuese. Edhe për këtë arsye Rama ka interes të nxitojë: që, kur Apeli të rimarrë çështjen në shqyrtim pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në tryezë të gjyqtares.

Video

Një gropë e madhe është shfaqur në distriktin Minhang të Shangait, duke përpirë një pjesë të konsiderueshme të rrugës dhe duke shkaktuar dëme në strukturat përreth. Ngjarja ndodhi një ditë pasi punëtorët zbuluan një rrjedhje uji gjatë punimeve të gërmimit për linjën e metrosë Jiamin.

Në Grenoble, Francë, një bandë me origjinë nga Afrika e Veriut vodhi bagazhe nga një autobus në mes të ditës.

Rrugës për në SPAk bëjmë dhe një koment për Big Brother

Kur ministri nuk di as të lexojë...

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme