Vendosmëria me të cilën, sot në fund të një fjale të gjatë, Edi Rama mbylli në mënyrë demonstrative dosjen dyfaqëshe që mbante në dorë – duke e përplasur mbi tavolinë dhe duke shpallur shkurt: “Kërkesa rrëzohet” – nuk ishte thjesht një gjest retorik. Ishte një deklaratë politike. Një sinjal i qartë se ai ka zgjedhur një vijë të re sjelljeje në raport me drejtësinë dhe me krizën që po i afrohet gjithnjë e më shumë pushtetit të tij.
Prej muajsh ai kishte zgjedhur një tjetër strategji: të zvarritej. Të fliste me gjysmë fjalësh, të bënte deklarata të paqarta, të dërgonte kërkesa të paargumentuara mirë në dyert e gjykatave, të heshtte gjatë dhe të zhdukej nga skena në momentet më të vështira. Ishte një sjellje që dukej se kishte vetëm një objektiv: të shtynte përballjen me problemin.
Në prapaskenë zhvilloheshin takime të gjata, konsultime të pafundme, përpjekje për të gjetur një formulë të pamundur – një rrugëdalje ku mishi të piqej dhe helli të mos digjej. Për katër muaj me radhë, kryeministri i Shqipërisë dukej si një drejtues i vogëluar, i përhumbur, i zhveshur nga aura e zakonshme e liderit dominues që kishte ndërtuar gjatë më shumë se një dekade pushtet.
Imazhi i drejtuesit të një “shteti të vogël me jehonë të madhe” dukej se ishte zbehur. Për herë të parë në shumë vite, Rama dukej në mbrojtje.
Por sot ai bëri ndarjen. Vendosi të ndryshojë rol. Të mos duket më si një lider që kërkon rrugëdalje, por si një lider që vendos vijën e betejës.
Ai zgjodhi të dalë hapur dhe pa doreza. Të mbrojë njerëzit e tij. Të mbrojë pushtetin e tij nga procedimi penal. Dhe njëkohësisht të godasë prokurorinë, duke i treguar publikisht kufirin që, sipas tij, drejtësia nuk duhet ta kalojë. Është një sjellje që i shkon për shtat modelit të liderit me grusht të fortë – një model që historia politike e këtij vendi e ka prodhuar me bollëk dhe që duket se ende nuk ka reshtur së riprodhuari.
Por pyetja e vërtetë është tjetër:
Pse Rama ndryshoi kaq papritur?
Dhe sidomos pse e bëri këtë pikërisht tani, kur dukej se kishte më pak arsye se kurrë për ta bërë.
Pas zgjedhjeve të 11 majit ai hyri në mandatin e katërt me një fuqi politike që rrallë është parë në Shqipërinë pluraliste. Tetëdhjetë e tre deputetë në parlament, një opozitë e përçarë dhe e dobësuar, një pjesë e mirë e mediave nën ndikim politik, një shoqëri që duket se e ka humbur nervin e reagimit dhe institucione gjithnjë e më të zbrazura nga fuqia reale.
Në një situatë të tillë çdo kryeministër do ta kishte shumë të lehtë të bënte atë që ka bërë politika shqiptare prej dekadash: të sakrifikonte bashkëpunëtorin e radhës.
Madje Rama do të kishte mundur të ndërtonte mbi këtë një narrativë historike për veten. Të dilte si shtetari i parë në më shumë se një shekull histori që sakrifikon pushtetin për të bërë shtet. Të krijonte diferencën me kënetën politike të 35 viteve të fundit. Të konsolidohej në sallonet e Europës si lideri që guxoi të lejojë drejtësinë të godasë edhe brenda qeverisë së tij.
Një skenar i tillë do ta kishte bërë edhe më të fortë politikisht. Do ta kishte çuar Shqipërinë drejt negociatave europiane me një narrativë shumë më të besueshme. Do ta kishte vendosur Ramën në një pozicion të fortë për të udhëhequr projektin e integrimit deri në fund të dekadës.
Por kjo rrugë nuk u zgjodh.
Dhe kjo tregon diçka shumë më të rëndësishme sesa vetë episodi i sotëm. Sepse për shumë vite Rama ka udhëtuar mbi një kapital të madh besimi ndërkombëtar. Partnerët perëndimorë e kanë parë si një faktor stabiliteti në rajon dhe, në emër të këtij stabiliteti, i kanë dhënë mbështetje të fortë politike. Por kjo mbështetje kishte një kusht themelor: ndërtimin e një sistemi të pavarur drejtësie. Reforma në drejtësi ishte pikërisht kjo provë. Ishte momenti kur pushteti politik duhej të pranonte kufizimin e vet për hir të shtetit të së drejtës. Sot duket se kjo provë po jep një rezultat të ndryshëm nga ai që pritej.
Sepse stabiliteti politik nuk mund të jetë i besueshëm kur shoqërohet me perceptimin e korrupsionit të lartë dhe me hijen e krimit të organizuar mbi pushtetin. Për Bashkimin Europian kjo është një vijë e kuqe e pakalueshme. Krimi i organizuar nuk është thjesht një problem penal. Ai është kërcënim për vetë demokracinë. Në këtë pikë modeli i qeverisjes që kombinon stabilitetin formal me tolerancën ndaj korrupsionit nuk funksionon më.
Por ekziston edhe një problem tjetër.
Pushtetet shumë të përqendruara shpesh krijojnë paradokse të rrezikshme. Formalisht gjithçka duket se kontrollohet nga një qendër e vetme. Por në praktikë pushteti ndahet në mënyrë informale me aktorë të tjerë: oligarkë ekonomikë, rrjete klienteliste apo struktura kriminale.
Kur kjo ndodh, lideri që mendon se kontrollon gjithçka fillon të kuptojë se nuk është më pika e vetme e gravitetit të sistemit. Dhe kur sistemi fillon të lëkundet, rreziku nuk është më vetëm politik. Ai bëhet edhe penal. Një qeverisje e gjatë, e shoqëruar me ndjenjën e paprekshmërisë, krijon gjithmonë një arkiv vendimesh që në një moment të caktuar mund të kthehen në objekt hetimi. Dhe kur drejtësia fillon të funksionojë realisht, ky arkiv bëhet një rrezik real për pushtetin. Ndoshta pikërisht këtë ndjen sot Rama.
Ndaj reagimi i tij duket si kalimi nga strategjia e menaxhimit të krizës në strategjinë e përplasjes me drejtësinë. Ishte një gjest demonstrativ për të treguar se vendimmarrja mbetet në duart e tij. Por historia e pushtetit tregon diçka tjetër: kur liderët fillojnë të përplasin dosje mbi tavolinë, zakonisht nuk është sepse janë më të fortë se më parë. Është sepse, për herë të parë, ndjejnë se nuk janë më të paprekshëm. Dhe në atë moment pushteti kërkon gjithmonë një sakrificë: dy duar për një kokë.
Vetëm se këtë herë, qartësisht, nuk ishte koka e Belinda Ballukut.






















