Editorial 24 October 2026, 21:13 Nga VNA

E shtuna apokaliptike e Tiranës: Shumë dhunë, thuajse aspak politikë dhe një kryeqytet i marrë peng nga kriza

Ndaje në Whatsapp
E shtuna apokaliptike e Tiranës: Shumë dhunë, thuajse aspak

Dhuna ishte kryefjala e së shtunës në Tiranë. Pas dy ditësh protestash paqësore, kryeqyteti iu rikthye gazit lotsjellës, autoboteve me ujë dhe molotovëve. Orët e pasdites dhe të mbrëmjes sollën sërish skena përplasjesh, rrugë të mbuluara nga tymi, protestues të gjakosur dhe policë që, në pamjet e shpërndara, shihen duke goditur edhe njerëz të rrëzuar përtokë.

Një protestues 28-vjeçar, Erjon Vishkulli, mbeti i plagosur rëndë në sy nga një plumb gome, ndërsa rreth 20 persona të tjerë, sipas raportimeve, morën ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak. Mes të lënduarve u raportuan edhe tre gazetarë, duke e shtrirë dhunën përtej përplasjes mes policisë dhe demonstruesve.

Protesta pati akte të dhunshme, sulme ndaj policisë dhe veprime që kërkojnë përgjegjësi penale individuale. Por asnjë shkelje e rendit publik nuk i jep policisë të drejtën të godasë një njeri që është rrëzuar në tokë dhe nuk përbën më kërcënim. Mund ta ndalosh, ta shoqërosh, ta arrestosh në kushtet e ligjit. Nuk mund ta rrahësh. Forca e shtetit nuk është instrument ndëshkimi dhe uniforma nuk është leje për hakmarrje.

E shtuna pati edhe një ndryshim të dukshëm në përbërjen e protestës. Partia Demokratike mobilizoi mbështetësit e saj përpara Kryeministrisë, duke u përfshirë drejtpërdrejt në një lëvizje që prej ditësh kishte pasur në qendër të rinjtë dhe studentët. Më pas, turmës iu bashkuan grupe të tjera protestuesish, por prania e opozitës nuk u përkthye në një drejtim të qartë politik të protestës.

Në vend të një mesazhi, një kërkese të artikuluar apo një alternative politike, Tirana pa sërish përplasje, molotovë dhe ndërhyrje policore. Protesta që kishte nisur si shprehje e pakënaqësisë ndaj qeverisë përfundoi duke u dominuar nga pamjet e dhunës. Kërkesat e qytetarëve mbetën në plan të dytë, ndërsa debati publik u zhvendos te bilanci i të plagosurve dhe përgjegjësia për përplasjet.

Nga ana tjetër, reagimi politik i kryeministrit Edi Rama u përqendrua te publikimi i pamjeve me dron nga selia e Partisë Demokratike, ku, sipas pretendimit të tij, protestuesit furnizoheshin me molotovë.

Nëse pamjet provojnë vërtet organizimin dhe shpërndarjen e mjeteve të rrezikshme nga një seli partie, atëherë lind një pyetje që nuk mund të marrë përgjigje me një postim në rrjetet sociale: përse nuk ndërhyri policia për të parandaluar një vepër penale dhe për të sekuestruar mjetet e rrezikshme?

Nëse autoritetet kishin informacion për përgatitjen e sulmeve, detyra e tyre ishte parandalimi dhe dokumentimi i veprave penale, jo thjesht publikimi i pamjeve pasi rrugët ishin përfshirë nga përplasjet. Nëse nuk kishin prova të mjaftueshme, atëherë pretendimet politike nuk mund të zëvendësojnë hetimin.

E shtuna la pas edhe një tjetër problem, ndoshta më të madh se dëmet materiale: mungesën e një përgjigjeje politike ndaj pakënaqësisë që ka nxjerrë qytetarët në rrugë prej dymbëdhjetë ditësh.

Qeveria vazhdon ta trajtojë protestën kryesisht si çështje të rendit publik, ndërsa opozita përpiqet të marrë një rol në një lëvizje që nuk e ka lindur dhe nuk e kontrollon domosdoshmërisht. Mes tyre janë të rinjtë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, por që rrezikojnë të shohin kërkesat e tyre të zhduken pas çdo molotovi të hedhur dhe çdo ndërhyrjeje të dhunshme të policisë.

Tirana e së shtunës nuk ishte vetëm një qytet i përfshirë nga përplasjet. Ishte pamja e një krize ku pushteti përgjigjet me polici, opozita kërkon vendin e saj në protestë dhe qytetarët mbeten pa një rrugëdalje të qartë politike.

Në fund, mbetën rrugët e mbuluara nga gazi, njerëzit e plagosur dhe pyetjet pa përgjigje. Për molotovët duhet të përgjigjen ata që i hodhën. Për dhunën e paligjshme policore, ata që e ushtruan dhe ata që e urdhëruan. Për krizën politike, ata që qeverisin vendin.

Video

Dy persona të tjerë të plagosur gjatë protestës kanë mbërritur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, duke e çuar në 11 numrin e të lënduarve. Në videon e siguruar nga VNA shihet mbërritja e dy të plagosurve në spital. Ende nuk dihen rrethanat e dëmtimit

Policia dhunon qytetarin dhe largohet duke e lënë këtë të fundit pa ndjenja. Nuk flitet më për zbatim ligji. Kjo është thjeshtë barbari

Pas dhunës në protestë, policia zbarkon në disa zona të Tiranës, nis shoqërimet e protestuesve

Shkelma në kokë dhe goditje me shkop gome ndërkohë që ishte pa ndjenja. T’i quash shtazë ofendon kafshët

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme